Fjala në Kuvend e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili

727
E nderuar drejtuese e seancës, të nderuar kolegë deputetë! Në diskutimin e sotëm sigurisht të gjithë ne prisnim një qasje kokulur përpara një problemi që është në dimensionet e një dramë të vërtetë, siç është problemi i asistencës sociale dhe për më shumë, duke pasur parasysh që qeveria ka nisur riemërimin e saj politik nëpërmjet Rilindjes, duke cituar shpesh edhe bijtë e shekullit të ri. Bijtë e shekullit të ri ka qenë një marrje nga diku, nga Migjeni i madh, i cili ka folur njëherazi dhe ka shkruar dhe ‘Poemën e Mjerimit’. Po e vërtetë, është një objektivë e realizuar, një hap i madh që qeveria ka hedhur për të kaluar nga varfëria në mjerim. Pra, ky hap i madh epokal, nga varfëria në mjerim është arritur nga qeveria. Është një arritje shumë e madhe dhe thelbësore. Njëherazi, ka arritur që në vend që t’i japë përgjigje një çështjeje të tillë kaq madhore për sa i takon potencialit social që ka, përgjigja alternative ka qenë: Ecim përpara me koncesione qindra-milionëshe dhe me koncesionarë që trashen dhe kemi të varfër që thahen, pasi të tëra këto para që shkojnë dhe shpërdorohen dhe ku koncesionarët shumëfishojnë fitimet e tyre në më pak se 2-3 vjet, këtu mungojnë paratë për të trajtuar njerëz, të cilët kanë të bëjnë me mbijetesën e tyre biologjike. Shumë nga kolegët e mi harruan ta nënvizojnë që bëhet fjalë për mbijetesë biologjike. Këto para të vendosura në dispozicion nuk respektojnë dhe realizojnë dot as ushqimin më minimal bazik. Po të merrni të kalkuloni artikujt e shportës dhe po të merrni minimumin e ushqyeshmërisë së një njeriu dhe sa jep ndihma ekonomike, as këtë kjo ndihmë nuk e realizon. Dëgjuam këtu, me neveri mund t’ju them, që pas 25 vitesh kemi një ngjarje epokale që po ndodh sot dhe po e bëjnë këta. Tani t’ia kursejmë këtë lloj mashtrimi opinionit dhe t’i referohemi vetëm fakteve që janë të shkruara, jo fakteve opozitare. Vazhdojmë t’i qëndrojmë kësaj norme që unë kam vendosur për komunikimin në këtë sallë. Projekti i modernizimit të asistencës sociale ka filluar në vitin 2012 dhe përfundonte si projekt i Bankës Botërore, punët e tij, formësimin e tij në 2018-n. Po pesë vjet, 2013-2015 a nuk ka qenë po kjo qeveri, në këtë sektor specifik të ndihmës shoqërore, a nuk e ka pasur vetë tepsinë dhe timonin? Po këto pjesë vjet të kujt janë? Asgjë? Rri në ajër? Kush e ka përgjegjësinë për këto? Kujt t’ia kërkojmë këtë përgjegjësi? Pse paska ndodhur sot pas 25 viteve, nuk ndodhi përpara 5 viteve ku ishin po vetë? Apo, ditën që ishte interpelanca, ditën që ka hallin dhe sikletin që duhet të shpjegohet Kryeministri, historia filloi sot, pikërisht ditën e sotme, datën e sotme, në orën e sotme. Ky është një turp i padëgjuar që nuk ka çon asgjëkund dhe përkundrejt betejave shumë të forta dhe fuqisë së madhe edhe shpjeguese, që qeveria harxhon për të shpjeguar se si do japi, se si do falë Teatrin Kombëtar për të bërë ca kulla, si do të japë koncesionin e radhës, edhe Varrezat e Dëshmorëve duan t’i japin me koncesion. Çështja është këtu, meqenëse japim kaq shumë koncesione dhe për të varfrit nuk mendojmë: Në këtë sallë këtu është përmendur me qindra herë fjala veting. Vetingu do bëjë këtë, vetingu do bëjë atë, të gjitha gjërat do bëheshin. Meqë është kjo sevda kaq e madhe për vetingun, po këtë vetingun e koncesioneve që na gllabërojnë qindra milion euro, përse nuk e bëjnë? Ç’ka këtu që të gjitha vetingjet i duan dhe këtë nuk e dashkan? Se këtu janë edhe paratë e ndihmës ekonomike. Janë paratë e atij minimumit biologjik që thamë më lart, bukës së gojës. U fol këtu për një ngjarje të jashtëzakonshme në pikëpamje të riorganizimit, strukturimit, funksionimit. Hajde t’i qëndrojmë edhe kësaj teme. T’i japim edhe kësaj një përgjigje. Po këtu dëgjoj unë, që meqenëse mund të ketë probleme sistemi, por ta lëmë sistemin, meqenëse mund të ketë disa që janë djegur për një pikë apo për dy pikë etj., këtë çështje tani e trajton pushteti lokal. Kam një pyetje si një njeri që ka punuar jo pak në administratën shtetërore . Çfarë kriteresh janë këto, serioze apo karagjoze? Ka vetëm një kriter kur përdor sisteme evropiane, ku ose i përmbush ose jo. Nëse nuk përmbushet për një apo dy pika do dërgohet në pushtetin lokal. Ne flasim për këtë klientelizmin lokal të ndihmës, i cili do dërgohet atje sepse kemi 6%-shin. Po pse vetëm 6%? Pse nuk del qeveria të thotë që nuk e kemi futur në sistem? Hajde të bëjmë një sistem nga e para dhe të funksionojë ashtu siç duhet. Po nëse një i varfër nuk e ka përmbushur dot për 2 pika? Po ai që nuk e ka mbushur për tre pikë, çfarë do i themi? Ku është logjika këtu, por modernizimi i sistemit? Çfarë është kjo, një llastik që e tërheq kryetari i bashkisë dhe pjesën tjetër e tërheq Kryeministri? Nëse është ndihma sociale një llastik elektoral dhe politik, ku duket qartë që është i tillë me anë të kritereve që ose përmbusheshin, ose jo, kjo tregon qartë se si qëndron kjo çështje. E ardhmja e kësaj çështje sigurisht që është pa zgjidhje për këtë qeveri, por të paktën t`i japin një përgjigje Bankës Botërore, e cila thotë që 70% e familjeve të varfra janë përjashtuar nga ndihma ekonomike. Meqenëse kanë shumë siklet t`i përgjigjen opozitës, ç`mund të thonë për këtë konstatim që nuk është i joni? Opozita me të drejtë do e marrë si një shqetësim që vjen nga ata që kanë asistuar programin, për të cilën janë shpenzuar para. Ku është përgjigja për këtë? Apo përgjigja alternative për këtë 70%-shin është se sa më shumë na thuhet nga Banka Botërore, aq më shumë do çojmë koncesione. Sa herë t’u themi ne bëni vetingun e koncesionit, ata do përgjigjen me marrjen e të tjerave ku do e hedhin edhe teatrin përtokë e do bëjnë ca kulla të tjera. Në fund të fundit, çfarë ndodhi? Ndodh kjo, do trashen koncesionarët e do thahen të varfrit, do mpaket Shqipëria jonë, ku do i hahet edhe kocka e fundit. Profesoresha Duka tha pak më parë që vjen në revoltë popullore, por këta e dinë këtë gjë pavarësisht se meraku i tyre është që të ikin ashtu siç bëjnë tradhtarët, të marrin thesarin me vete dhe ta çojnë përtej.
Sigal