Fjala e deputetes së LSI në Kuvend, Silva Caka

650
Sigal

Të nderuar kolegë deputetë, më në fund, doli edhe dikush nga qeveria që e pranoi, që Policia e Shtetit është ku thërret qameti. Më në fund, dikujt i doli dehja e kanabisit të Sajmirit, Hakiut e Moisiut dhe të paktën pranoi, që Policia e Shtetit është në gjendjen më të keqe të saj dhe ajo që duhet të bëjmë, është ta ristandartizojmë atë. Vetëm kryeministrit nuk i ka dalë ende dehja nga kanabisi, ndoshta ngaqë kryeministri nuk preferon kanabisin. Jemi në kushtet kur Departamenti Amerikan i Shtetit, na ka sinjalizuar me kohë që trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike organizohet shpeshherë nga Shqipëria. Jemi në kushtet kur, pothuaj në çdo progres-raport të Bashkimit Evropian përmendin të njëjtën gjë dhe së fundmi Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian ka pranuar shumë qartë që ka pasur një ndikim nga instancat shtetërore dhe titullarët e tyre, një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. E dinë shumë mirë shqiptarët se cilat institucione dhe cilët titullarë, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, për mos të thënë që janë ata arkitektët e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Jemi në kushtet kur Shërbimi Informativ i Shqipërisë na ka sjellë 128 emra funksionarësh policie në rang drejtorësh apo oficerë të thjeshtë policie, të cilët janë të përfshirë në mënyrë direkte në vepra penale që kanë lidhje me drogën, e thënë ndryshe kanë lejuar, ose urdhëruar mbjelljen apo trafikimin e kanabisit dhe jo vetëm, por edhe droga më të rënda se kanabisi kanë bërë xhiron e botës, duke e kthyer Shqipërinë në hambarin narkotik të Evropës, ku jo vetëm kalonin pa asnjë problem këto trafiqe, por shpesh herë, është iniciuar nga këtu i gjithë ky trafik. Jemi në kushtet kur nisin procedime penale për efektivë policie, por ata kanë avulluar përpara se të fillojë të konceptohet shkresa, sepse shokët dhe informatorët e tyre që mund të kenë në instancat e brendshme të policisë së Shtetit apo Ministrisë së Brendshme, i kanë lajmëruar ata tashmë. Në këto kushte, gjen vend shprehja se nuk ka të verbër më të madh se ai që nuk do të shikojë. Ky i verbër është ky Kryepolici, të cilit nuk i leverdis të shikojë, sepse është njësoj si të shihet në pasqyrë. Ai e di shumë mirë që pas raporteve që përmenda por edhe trafikut të lëndëve narkotike, është vetë ai arkitekti i gjithçkaje. 
Megjithatë, këto janë tashmë të gjitha të ditura për shqiptarët. Ajo që vlen sot për të gjithë ne, është të dimë se si të dalim nga kjo gjendje që ka kapluar policinë e shtetit, se si të shpëtojmë ata efektivë policie që janë të mirë e të ndershëm, që janë shumë dhe që në asnjë mënyrë, nuk duhet të mbajnë mbi shpinë kryqe, që nuk janë të tyret. Mënyra më e mirë për të shpëtuar Policinë e Shtetit nga mënxyra, është veting-u i saj: hetimi pasuror, kontrolli i figurës dhe kontrolli i aftësive profesionale. Këto janë 3 elementë që duhen hetuar, në mënyrë që të ndajmë shapin nga sheqeri. A jemi ne dakord ne si Lëvizje Socialiste për Integrim që policisë i nevojitet Vetting? Sigurisht që po, kemi qenë dakord me kohë. A duhet parashikuar dhe rregulluar ky proces me ligj? Patjetër që po, madje për të mos thënë që projektligji është i vonuar, sepse nuk është kurrë vonë për të bërë punë të mira. Mendoj që është pikërisht ky momenti i duhur, pra është ekzaktësisht koha e duhur për të bërë vetingun e policisë së shtetit. A është mënyra e parashikuar në projektligj, mënyra e duhur për të realizuar me përgjegjshmëri, besueshmëri, gjithëpërfshirje, depolitizim dhe integritet procesin e veting-ut të Policisë? Unë mendoj që kjo nuk është mënyra e duhur. Dhe ka disa arsye pse. Në seancën e prezantimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve, konkretisht në datën 19.02.2018, kam pasur disa pyetje për përfaqësuesin e Ministrisë së Brendshme për shumë çështje lidhur me ligjin, ku do të doja të veçoja 2 pyetje. 
Pyetje e parë ka qenë nëse ky draft ka qenë i konsultuar me partnerët ndërkombëtarë të Policisë (konkretisht i referohesha ICITAP-it, PAMECA-s dhe OSBE/ODIHR-it). Dhe pyetja e dytë ka qenë a parashikon ligji që anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit t’i nënshtrohen një trajnimi paraprak, përpara se ato vetë të fillojnë të vetojnë efektivët e policisë. Përgjigjja e përfaqësuesit të Ministrisë për pyetjen e parë ishte se ICITAP dhe PAMECA kanë qenë pjesë e një grupi pune, të ngritur me urdhër të Ministrit të Brendshëm dhe nuk ka pasur opinione apo sugjerime të shkruara nga këta partnerë ndërkombëtarë, pasi projektligji është produkt i punës së përbashkët. Së bashku me Kreun e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Z. Vasili i drejtuam nga një letër këtyre misioneve të huaja (ICITAP-it dhe PAMECA-s), që faktikisht kanë një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm nga ana financiare e logjistike, por kanë bërë të pamundurën që strukturat tona policore të krahasohen me ato të vendeve më të zhvilluara evropiane dhe më gjerë.
Në këtë letër u drejtuam të njëjtën pyetje dhe atyre, që a ishin konsultuar në këtë proces për draftimin e projektligjit. Dje më ka mbërritur email konkretisht nga përfaqësuesi i ICITAP-it, i cili më ka thënë se janë konsultuar dhe në të kundërt nga ajo që tha ministri, ka pasur 9 sugjerime të shkruara, ku një pjesë e tyre janë marrë në konsideratë në hartimin e projektligjit. Megjithatë ka 2 çështje, ku unë me aq sa e kam parë projektligjin them se nuk janë reflektuar, ku nuk janë të parëndësishme për të. Në nenin 43 në paragrafin e 3-të, ku po ta lexoni tregon që ata që do vlerësohen duhet të paraqesin 3 dokumente të hartuara nga ata vetë, në fakt edhe ICITAP ka hasur probleme sepse në fund të ditës kemi 3 titullarë që firmosin dokumentet, por nuk e dimë a i kanë hartuar, a janë produkt i tyre. Ajo që ka rëndësi është vlerësimi i ligjshmërisë së marrjes së gradave në kupolën e policisë së shtetit, si një ndër elementët më të rëndësishëm të vlerësimit profesional ka qenë pikërisht vlerësimi i mënyrës së përftimit të gradës. Jo më kot, ICITAP ka kërkuar që këto procedura të hetohen në fakt. Ne e kuptojmë shumë qartë se pse Ministria e Brendshme nuk e ka reflektuar këtë kërkesë në projektligj. Është shumë e thjeshtë, nuk i leverdis sepse të jeni të bindur që më shumë se kupola e policisë së shtetit, do të rezultonte me grada, që si me magji i kanë marrë duke kaluar kufijtë kohor dhe procedurale. Pra me pak fjalë, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme jo vetëm që gënjejnë paturpësisht për raportet institucionale që krijojnë me partnerët e tyre ndërkombëtarë, por edhe nuk reflektojnë rekomandimet më me vlerë të tyre, pikërisht sepse me këtë ligj nuk duan të realizojnë një proces të pastër veting-u, por sepse duan të shpëtojnë shokët, të mbulojnë horrllëqet dhe pse jo të riciklojnë edhe ndonjë nga këta që sot është në arrati. Sugjerimi i dytë i ICITAP ka të bëjë pikërisht me pyetjen e dytë, pra me trajnimin e anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit. 
ICITAP ka rekomanduar që këta anëtarë, përpara marrjes së detyrës, t’i nënshtrohen një trajnimi të specializuar dhe përgjegjëse për përcaktimin e përmbajtjes dhe kohëzgjatjes së këtij trajnimi, ishte Ministria e Brendshme. Përfaqësuesi i Ministrisë, kësaj pyetjeje zgjodhi të mos i përgjigjej fare dhe ne përsëri e kuptojmë arsyen: Nuk ka pse t’i trajnojë sepse në fund të fundit të trajnuar janë. Këta tashmë i kanë zgjedhur se kush do të jenë anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit dhe i kanë dhënë edhe direktivat që ata duhet të zbatojnë, prandaj nuk ka ç’iu duhet trajnimi. Në projektligj kanë parashikuar një strukturë që e kanë quajtur Bordi i Përzgjedhjes, e cila e thënë me pak fjalë, është koka e gjithë procesit. Këta, nuk i shpëtojnë dot thirrjeve të brendshme për të kapur çdo institucion të mundshëm dhe për të kapur edhe këtë institucion kanë parashikuar që anëtarë të Bordit të jenë njerëz të emëruar nga 3 institucione me varësi tërësisht politike, të drejtpërdrejtë nga kryeministri i Shqipërisë. Mënyra se si do të ndërtohet ky Bord, do të përcaktojë edhe mënyrën se si do të shkojë procesi i veting-ut. Nëse do e lëmë ashtu, unë jam e bindur që edhe vetingu do shkojë për dreq, ashtu siç ka shkuar çdo gjë që ka prekur dora e këtij. Kolegët e mi nga ana e mazhorances thanë që nuk duhet përfshirë politike pasi vetingu i policisë nuk është e njëjta gjë me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë mendoj që vetingu i policisë të paktën për drejtësinë penale, është e njëjta gjë sepse të jeni të sigurt që policët e korruptuar na shtrembërojnë drejtësinë. Kështu që në emër të Grupit Parlamentar të LSI, ju ftoj t`i lexoni dhe njëherë amendamentet tona sepse qëllimi është të kemi një projektligj të mirë, një polici që t`ia kthejmë qytetarëve e t`ia heqim Kryeministrit, Sajmirit, Hakiut e Moisiut.