Fitoussi: Në të ardhmen në këtë parlament të flitet pak më shumë, e të bërtitet pak më pak

485
Sigal

Ambasadorët e akredituar  në Tiranë,  marrin pjesë në Kuvend, por zhgënjehen nga rrumpalla politike dhe e braktisin  atë

Edhe pse seanca e djeshme parlamentare kishte pikën e parë të rendit të ditës interpelancën e kryeministrit Rama me deputetët e opozitës, për grevën e urisë, deputetët e opozitës u vonuan shumë të vinin në sallë. Madje, mbrëmë,  kryeparlamentari Ilir Meta, firmosi edhe mocionin e PD-së, që kërkonte dorëheqjen e tij, si një veprim parimor politik, duke ia lënë rrjedhën e ngjarjes procedurës dhe jo pengut. Dhe nga shumëkush mendoi se , edhe mocioni për shkarkimin e kryeparlamentarit, do të ishte pjesë e debatit parlamentar.  Nuk vonuan zërat që u përhapën për këtë vonesë të deputetëve të opozitës, që PD-ja, do të përpiqet  të bllokojnë punimet e seancës, nëse kryetari i Kuvendit nuk jep dorëheqjen, nga kërkesa që ata do ti parashtrojnë, pa u diskutuar fare mocioni i PD-së.

Të parët mbërrijnë ambasadorët e akredituar në Tiranë 

Fillimisht, në Kuvend mbërrijnë ambasadori I Francës, më pas ambasadori i Gjermanisë dhe e fundit edhe ambasadorja e Holandës, për të marrë pjesë në seancën parlamentare, duke shprehur qartazi interesimin e madh që kanë BE për zhvillimet politike në Shqipëri, pikërisht edhe nga rrjedha që do marrë çështja “Doshi”. Kryeparlamentari Meta, duke parë mungesën e opozitës, fillon punimet në rendin e dytë, duke shpresuar që interpelanca e kryeministrit,d do të bëhet sat ë vijë opozita.

PD-ja kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit, duke bllokuar foltoren e Kuvendit

Opozita erdhi me vonesë. Dhe nuk u ul fare në sallë, por kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka,u drejtua nga foltorja dhe kërkoi ultimatikisht dorëheqjen e kryparlamentarit, duke i përsëritur akuzat e Tom Doshit. Kryetari i Kuvendit, me qetësi, i kërkoi Palokës, që të fillonin procedurën, dhe të mblidhnin Këshillin e Legjislacionit e të fillohet menjëherë procedura e shkarkimit. Mirëpo, Paloka replikonte, duke kundërshtuar Metën.  Ndërkohë, gjithë deputetët e PD-së ( nuk ishte asnjë deputet tjetër aleat i opozitës) pushtuan foltoren, duke dashur të bllokojnë punimet e seancës plenare. Tensioni politik arriti kulmin, sa kryetari i Kuvendit, u detyrua të ndërpresë për 5 minuta seancën, për të qetësuar opozitën

 Debatet Paloka dhe Meta
Paloka:
 Jep dorëheqjen dhe nëse je i pafajshëm ktheu aty ku je. Për telenovelat e 21 janarit donin të digjnin Shqipërinë, sot duhet të mbrojnë. Nuk mund të rrish në atë Parlament. Nuk di si e ke marrë guximin. Dhe na mbyllni gojën dhe kjo ka mbetur. Mund ta bëni. Po vërtetoni që jeni bashkë. Që kur jeni miq të Ilir Metës, kur bën marrëveshjen këta të dy.

Meta: Cila është kërkesa juaj?
Paloka: Ju të mos qëndroni në atë karrige. Të japësh dorëheqjen, si kryetar i Parlamentit.
Meta: Mblidheni Këshillin e Legjislacionit tani ta fillojmë për kërkesën për shkarkim. Do ta shkel rregulloren për ju.

Ambasadorët të zhgënjyer, braktisin Parlamentin

Ambasadori  gjerman, Hoffmann, ambasadori  francez Bernard Fitoussi dhe ambasadorja e  Mbretërisë së Holandës, Dewi Van de Weerd, të akredituar në Tiranë,  u zhgënjyen se çfarë panë dhe dëgjuan në parlamentin tonë, ku n një fliste e shumë bërtisnin, ku deputetët me forcë pengonin kolegët e tyre të mos flisnin nga foltorja e Parlamentit. Kjo që panë në këtë parlament, nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës së tretë, e jo më në një vend që pretendon të bëhet anëtar i BE-së.  Ata, të zhgënjyer, dolën nga salla e Parlamentit dhe së bashku diskutuan gjendjen e acaruar në korridoret e Kuvendit. Ata nuk pranuan që të bisedonin me asnjë palë politike dhe, pak çaste më vonë, të zhgënjyer nga sa panë dhe dëgjuan në Parlamentin tonë, e braktisën Parlamentin.

Ambasadori francez Bernard Fitoussi:  Të flitet pak më shumë e të bërtitet më pak

Ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi  tha se do të kishte dashur që gjatë ditës së djeshme të shihte një parlament “ku ligjvënësit do të flisnin dhe jo bërtisnin”. “Fjala Parlament rrjedh nga një fjalë franceze, flas. Shpresoj, por kjo nuk më përket mua, besoj se në të ardhmen në këtë parlament të flitet pak më shumë dhe të bërtitet pak më pak.”- tha ai. Sipas ambasadorit francez, “rrugën e duhur drejt Europës, Shqipëria duhet ta gjejë pa shqetësime dhe pa dhunë”. “Prej 6 muajsh që jam në Shqipëri kam kuptuar  se shqiptarët duhet ta gjejnë rrugën e duhur me dialog me paqe si dhe të përballojnë sfidat që ka vendi në rrugëtimin e tij drejt BE”,­

Berisha për gazetën “Telegraf”

Prokuroria nuk heton dot kryetarin e Kuvendit

Ish kryeministri Berisha, dje, pasi mbaroi seanca plenare, u pyet nga gazeta “Telegraf” se çfarë do të bëjë paskëtaj PD-ja. Ish kryeministri Berisha pohoi se hapat janë institucionet.  Pyetjes së gazetës “Telegraf” përse PD-ja nuk prêt të flasë prokuroria dhe drejtësia për çështjen “Doshi”, ish kryeministri Berisha shprehu mosbesim te puna e prokurorisë, dhe u përgjigj se nuk ka asnjë mundësi që prokurori  të hetojë kryeparlamentarin. Është paradoksale, që kryeministri që emëroi kryeprokurorin me votat e maxhorancës së tij, pa asnjë konsultim me opozitën e atëhershme, tani, në opozitë të shprehet publikisht se nuk i beson pikërisht kryeprokurorit që ai zgjodhi.

-Cilat janë hapat që ju do ndërmerrni tani, paskëtaj?

– Hapat janë për çdo vend normal, që nuk është normal (ky vend, Shqipëria) janë institucionet.

– Pse ju nuk prisni që të flasë prokuroria, të zbardhë këtë të vërtetë, pastaj le të flas politika?

– S’ mund të flas prokuroria për kryetarin e Parlamentit, i cili shkon në takimin që fton prokurori kryeministrin, shkon edhe ky në takim, ndonëse është i akuzuari kryesor. S’ mund të hetojë prokurori këtë

– Pse ju nuk akuzoni drejtpërdrejt prokurorinë, që nuk heton këdo?

– Pse ta akuzoj unë prokurorinë? Pa më thoni ju pak, të dashur, në cilin vend të botës, në qoftë se prokuroria ka ekzekutivin, dhe legjislativin kundër, mund të çajë dhe mund të bëjë drejtësi?

– Ka rënë prokuroria, pastaj?

– Unë nuk di. Jo, jo, nuk e ka prokuroria. E ka shoqëria që mban ekzekutivin dhe legjislativin të inkriminuar. Çfarë do t’ i bëjë prokuroria atij? Ai, hapin e parë, të japë dorëheqjen dhe kjo tregon një xhest vullneti në atë nga kjo shumicë. E dini ju përbërjen e saj, që është dhe pasi të japë dorëheqjen, të ecë hetimi.

Spartak Braho: Videon do e shfaq seancën tjetër, sot s’na krijoi mundësin Berisha

Ndërkohë, deputeti i LSI Spartak Braho, që kishte paralajmëruar një bombë në këtë seancë plenare, madje kishte kërkuar edhe projektorë, ka deklaruar shkurt për gazetarët se videon e skandalin që disponon do ta shfaqë të enjten tjetër. Spartak Braho: “Po nuk na e krijoi mundësinë zoti Berisha në vend të 8 minutave, ato 30 të tjera kërkova të vihej projektori. Ne seancën e ardhshme besoj se do t’i shfaq”.

 Meta replikë me Berishën: Mos u merr me deklarata, faktet dërgoi në prokurori

Seanca parlamentare e djeshme u fokusua në debatin mes Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha, të cilët u përplasën në lidhje me çështjen “Doshi”. Kërkesës së Berishës për të dhënë dorëheqjen, Meta iu përgjigj duke i thënë që të mos merret me deklaratat e të tjerëve por të dërgojë në prokurori çdo fakt që disponon.

Replikat Meta- Berisha

Sali Berisha u çarmatos sapo Ilir Meta i përmendi Shkëlzenin. “Për Shkëlzenin kam dhënë një herë dorëheqje, nuk jap dy here”, tha Meta. Pas kësaj Berisha u çrregullua dhe humbi agresivitetin. Meta vazhdoi më tej, duke aluduar se e gjitha është një inskenim i Shkëlzenit dhe Priftit, duke i bërë thirrje Berishës të mos përfundoj nga lider demokracie, në aksioner pularie.

 Meta: Pse me fjalë do merremi ne këtu. Çoji në prokurori. Ty të ka akuzuar gjysma e parties, që ke nxjerr në pritë Azem Hajdarin dhe ne nuk ta kemi kujtuar ndonjëherë. Apo jo?

Berisha: Unë në radhë të parë nuk akuzoj njeri! Të ka akuzuar Tom Doshi! Ke bërë dhe një veprim shtesë ke thirr familjarët e Fufit.

Meta: Ore zotëri, mos fol në emër të të tjerëve, çdo njeri flet vetën në emrin e vet…

Berisha: Atëherë

Meta: Të gjithë të shkojnë në prokurori… edhe mua po më thirri do të shkoj në prokurori. Çfarë shqetësimi ke ti?

Berisha: Unë kam thirrje për dorëheqje dhe të shkosh në prokurori

Meta: Në qoftë se ke shqetësimin për të zbardhur ngjarjen kishe vajtur në prokurori me kohë apo jo…

Berisha: Jo jo!

Meta: Ti nuk ke këtë shqetësim!

Berisha: Shqetësimi im është zbardhja e ngjarjeve. Ngjarjet nuk zbardhen me ty kryetar parlamenti. Nuk ka hetim! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë.

Meta: Jo më jo e dhashë prej Shkëlzenit unë dorëheqjen, se Shkëlzeni ishte në video e Dritan Priftit, ti e di shumë mirë, edhe më the shiko çfarë më ka bërë ky budallai.

Berisha: Prit, prit!

Meta: Po, ashtu më the! Vazhdo merr mend e Shkëlzenit akoma! Ca të bëj unë për ty, s’kam ça të bëj!

Berisha: Ore, shiko të them unë ty një gjë… mos mendo se e kalon ti veten më këto, se vetëm e zhyt akoma veten më thellë.

Meta: Ti me Tomën do marrësh më shumë vota në Shkodër e ke  të sigurt.

Meta: Z. Berisha mos kërcëno deputetë, jemi kundër kanosjes. E kërcënove një deputet. Z.Stërkaj vazhdo pas Berishës, të lutem.

Berisha: Pra u denoncua kryetari i Parlamentit se ka vrarë dy deputet

Meta: Po ti more zotëri e paske ditur para 3 muajsh dhe nuk e ke denoncua. Denoncohet në Prokurori E nise, si lider demokracie e po e vazhdon si aksioner Pularie. Po, po vazhdo.

Meta: Ky mezi po priste të ndodhte vrasja brenda Parlamentit

Berisha: Ne kërkojmë që Ilir Meta si i akuzuari kryesor të heqë dorë nga kryetar i Parlamentit të zbresë në qytetar të thjeshtë dhe të bëhen hetimet.

Meta: Nga cili deputet të lutem?

Meta: Është miku juaj prej muajsh.

Berisha: Vetëm sa fakton shkallën e krimit mor i mjerë.

Meta: Kush është i mjerë?

Berisha: Tom Doshi bashkë me Kokëdhimën është më i sulmuari nga unë.

Meta: Çfarë propozimi ke, se s’po të kuptoj.

Berisha: Propozimi ynë është ky: jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen. Mos shfrytëzo votat e krimit

Meta: Jepjani ilaçet, se kemi përgjegjësi për shëndetin e Doktorit.

Meta: Të ta jap përgjigjen. Mbylle mikrofonin. Eshtë kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën nuk e bëj e kam dhënë njëherë për të. Mos u bëj pjesë e puçit të pularisë Tom Doshi dhe Dritan Prifti si aksioner. Ti beson më shumë tek Toma se tek Prokuroria se si një I akuzuar për vrasje flet tek Doshi dhe jo tek Prokuroria.

Berisha: Morali është se po të marr Tom Doshin.

Meta: Nuk ke moshë ti për të ngrohur vezët e krimit. Ti je njeri serioz. Tani po i jepni drejtim dekriminalizimit me Tomën.

Meta: E ka përmend Toma kunatin tënd, jo unë. Ti  je mësuar të mohosh, moho edhe kunatin.

Berisha: Si Agim Ramaj, sikurse dhe Bami është I LSI-së.

Meta: Ke pa shumë keq nga LSI-ja ti.

Meta: Hapeni tribunën ju lutem të flasë doktori. Z. Kokëdhima Një nga arsyet që nuk jap dorëheqjen se nuk mund të lejoj një tjetër të vijë këtu dhe t’i presë fjalën doktorit.

Berisha: I akuzuar se je përpjekur të krijosh alibi, vjen këtu dhe bën kllounin

Meta: Edhe ’97 unë e bëra, patjetër…

Berisha: Të kuptoj unë mirë ty se çfarë përfaqwson ti për vendin. Jep dorëheqjen dhe prano me gjakftohtësi konkluzionet e drejtësisë

Meta: Jepjani ilaçet urgjent

Berisha: Mos mendo ti se do ta kalosh këtë që i bëre vendit ti, duke shitur Tom Doshin, duke kaluar nga një alibi në një alibi tjetër.

Meta: Ulu se po të merret goja.

Berisha: Largohu nga kryetar parlamenti. Je përpjekur në mënyrë makabre skenarin tënd t’ia kalosh të tjerëve. Shiko mos fol nga mbrapa ti (Ramës). Ti mos ki merak se të ka rekrutuar Meta ty. Ky është sot,

Meta: Normal se dhe ti që nuk je akuzuar për vrasje e ke problem këtë punë. As në ’97, as ’98 asnjëherë, ke të drejtë që shqetësohesh. Çoji letrat në Prokurori.

Berisha: Jep dorëheqjen.

Meta: Mos fol në emër të shqiptarëve, se le nam. Çoji provat në prokurori. Këtë duan shqiptarët.

Tom Doshi jep 6 orë dëshmi në Krimet e Rënda

Tom Doshi u thirr dje urgjent në prokurorinë e Krimeve të Rënda, pasi pardje publikoi vidion e provës së tij, edhe pse thirrja për të ishte planifikuar për sot. Pas 6 orësh dëshmi në prokurorinë e Krimeve të Rënda, deputeti Tom Doshi ka dalë nga zyrat e prokurorëve rreth orës 15.35. Për gjashtë orë ai ka dhënë deklarime para prokurorit Përparim Kulluri, në lidhje me akuzat që ka bërë për një plan vrasje ndaj tij. Tom Doshi, meqenëse ka deklaruar se I ka blerë makinë të penduarit vrarsë së tij, duhet të vërtetojë nëse këto miliona lekë a i ka deklaruar për blerjen dhe dhuratën që ka bërë. Gjithashtu, Doshi, për të evidentuar kontributin e tij në PS, ka thënë, kohë më parë, që ka sponsorizuar lëvizjen e militantëve të PS-së nga Shkodra në Tiranë, ku vetëm për transportin ka paguar 25 milionë lekë. A janë deklaruar të tilla këto shpenzime të pohuara publikisht? A duhet të hetojë prokuroria edhe burime financiare të partive, të bëra në këtë mnyrë?

Prokuroria fton për dëshmi Ramën, Metën, Tahirin, Berishën, Becin, Fufin e Frrokun

 Pas një seance maratonë pyetjesh, prokurorët e çështjes Doshi kanë vendosur të thërrasin  për të dëshmuar zyrtarët më të lartë të politikës, e cilwsinë e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit. Duket se dëshmia prej më shumë se 6 orësh e Doshit përpara grupit të prokuroreve ka vënë në pozitat e deklaruesit, Ilir Metën, Edi Ramën, Sajmir Tahirin, Mark Frrokun, Mhill Fufin, Eugen Becin dhe Sali Berishën. Zyra e shtypit e Prokurorit të Përgjithshwm njofton se dëshmia e zyrtarëve të lartë konsiderohet nga grupi hetimor i Krimeve të Rënda si shumë i rëndësishëm për hetimin e plotë të kwsaj çështje. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton sot zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, shtetasit:

  1. Z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
  2. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
  3. Z. Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm
  4. Z. Mark Frroku, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
  5. Z. Mhill Fufi, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
  6. Z. Eugen Beçi, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda.
  7. Sali Berisha, ish kryeministër, duke qenë se dje ka deklaruar të dhëna, që mund t’ i vlejnë procesit hetimor.

Bashkia e Tiranës: Rama gënjen, Basha nuk u ftua në përurimin e Qendrës Rinore

Dje u përurua Qendra rinore në kryeqytet dhe ajo që bëri përshtypje është se nuk ishte I ftuar Lulzim Basha, si kryebashkiaku I Tiranës. Kryeministri Rama, e cilësoi këtë mungesë si braktisje të rinisë nga Lulzim Basha. Mirëpo Bashkia e Tiranës reagoi duke thënë se Rama gënjen, dhe Basha nuk u ftua në këtë përurin. “Nuk është gjë e re që kryeministri Edi Rama përveçse i paaftë është dhe gënjeshtar. Kryebashkiaku Lulzim Basha nuk është ftuar në përurimin e të ashtuquajturës Qendër Rinore. Është e disata herë që kryeministri bëhet qesharak me gënjeshtra të tilla të ulëta dhe ordinere. E çfarë mund të presësh tjetër nga njeriu që në një vit e gjysëm ka bllokuar  investimet në Tiranë, ka shkatërruar mijëra vende pune dhe nuk ka hapur asnjë të ri, njeriu që ditë për ditë po varfëron qytetarët dhe kujdeset vetëm për të pasuruar ministrat dhe miqtë e tij?! Turp për ju zoti kryeministër që dëshmoheni si dje dhe sot një gënjeshtar ordiner!”

Edi Rama: Unë e Meta u shqetësuam kur morëm vesh versionin e Doshit, por pastaj policia zbuloi që ishte aktrim

 Kryeministri Edi Rama deklaruar dje në një intervistë televizive se nuk ka pasur asnjë tentativë për të eliminuar deputetin Doshi. Ky sipas tij, është rezultati ku ka dalë policia pas pretendimeve dhe provave që Doshi pretendonte se kishte. “Kemi ndjekur këtë situatë hap pas hapi me minstrin e Brendshëm dhe u njoftua edhe Kryeprokuri. Që të ketë një hetim ligjor duhet të ketë një kallëzim, gjë që deputeti nuk ka dashur asnjëherë ta bëj”, tha Rama.  “Çdo deputet mund të shfaqet në derën e ministrit të Brendshëm dhe mund të pretendojë këtë histori. Por deputeti Doshi ka refuzuar të japë dëshmi, ndaj ka refuzuar dy oficerët. Ne e kemi marrë vesh qysh në krye të herës. Kjo është një bisedë kot, një farsë. Nuk ka pasur një përpjekje për të eliminuar deputetin. Deputeti dhe personat publikë mund të shfaqen me një person tjetër, në këtë rast Doshi është shfaqur me një aktor, i cili është futur në një rol. Mbi shqetësimin ministri ka ngarkuar policinë për të hetuar çështjen dhe policia ka dalë në konkluzionin që është një aktrim. Policia ka ndjekur rrugën e treguar nga indiciet, kjo nuk ishte përpjekje për të vrarë askënd. Drejtori i Përgjithshëm i policisë ka qenë atë ditë me ministrin. Nuk kërcënohej jeta e askujt. Policia ka marrë masat, ka marrë protagonistët në vëzhgim dhe ka arritur në këtë konkluzion që në momentin e parë është njoftuar Prokurori i Përgjithshëm që e ka ftuar Doshin të denonconte. Ministri i Brendshëm na ka informuar mua, Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llallën dhe kryeparlamentarin Meta menjëherë. Është një aktor, nesër mund të dalë video tjetër me aktor tjetër, ku pagues mund të dal unë apo Sandri dhe çfarë do bëjmë ne do ngrihemi në këmbë? Policia e ka ndjekur procesin ka fashikuj të regjistruar për këtë çështje”.Më tej kryeministri është shprehur se kërkon që kjo çështje të zbardhet nga organet hetimore në mënyrë të plotë. I pyetur si ka mundësi që kanë dashur të eliminojnë atentatorin e Doshit në një kohë që kryeministri e quan aktor, Rama tha se nuk është i çuditur, pasi ai vjen nga bota e krimit. “Një person që është gati për të marrë rolin, që është gati të aktrojë duhet të jetë patjetër dikush që vjen nga bota e rrugaçërisë dhe krimit, dhe që kanë probleme në botën e tyre, këtë e dinë të gjithë. Është farsë, nga makthi duhet të çlirohet i gjithë opinioni. Nuk ka pasur komplot për të vrarë asnjë deputet. Personi i shfaqur në cilësinë e të penduarit dhe ka refuzuar edhe deputetit i është kërkuar të bëjë kallëzim dhe ka refuzuar. Rama thotë se fill pas rrëfimit të Doshit ka komunikuar me Metën. “Me Metën komunikova, e ndoqëm me shqetësim çështjen derisa policia na tha që nuk ka asnjë tentativë për ta vrarë”. Lidhur me kërkesën e PD-së, për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Rama u shpreh se, “Në këtë vend Kryeminsitri i ka thënë Kryeprokurores lavire Bulevardi. A ka ky person fytyrë t’i kërkojë dorëheqjen kreut të Kuvendit. Dëshminë kreu i Kuvendit, ashtu si unë dhe si minsitri i Brendshëm do ta japim nesër në Prokurori. Rama u shpreh ndër të tjera se përjashtimi i Doshit nga PS-ja erdhi pas deklaratave të tij kërcënuese dhe jo pas atyre që erdhën më pas. “Arsyet e përjashtimit nuk kanë lidhje me çfarë erdhi më pas. Ai shkeli kontratën tonë të bashkëjetesës. Nuk mund të pranojmë deputet që i shpallin luftë qeverisë, që thonë se janë në luftë me të dhe se do na tundin leqet”. Rama përgënjeshtroi hipotezat se ambasada amerikane e ka këshilluar që ai të mos futë në listë për deputetë, këdo kandidat, qoftë edhe Tom Doçin.

Eugen Beci, tek presidenti Nishani, për të rrëzuar heqjen apo për të dhënë dorëheqjen?!

 Dje, vetëm 24 orë pas transferimit të “befasishëm” në krye të Prokurorisë së Elbasanit, ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beci, ka “trokitur” në presidencë dhe është pranuar për “vizitë” nga Presidenti Bujar Nishani. Kujtojmë, që transferimi i tij në Elbasan, u bë tri ditë më parë, me kompetencë dhe urdhër të kryeprokurorit të Shqipërisë Adriatik Llalla, pas përmendjes prej deputetit Tom Doshi, të emrit të tij, si “i implikuar në një skenar për vrasjen e deputetit Tom Doshi, denoncuar po nga Tom Doshi. Pas transferimit të tij, deputeti Doshi publikoi edhe foto të prezencës së Eugen Becit, ulur në lokal të Tiranës, me personin që sipas Doshit, ishte “porositësi dhe paguesi i atentatorit”. Zyrtarisht, nga presidenca nuk jepen detaje, as për për motivin e vizitës së Becit tek presidenti Nishani dhe as informacion se përse kanë biseduar dyshja Nishani-Beci. Ajo që kuptohet nga “vizita”e Becit tek Nishani është fakti, që Beci nuk ka shkuar për takim tek eprori i tij Llalla, por tek kreu i shtetit, njëherazi edhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas burimeve të “Telegraf” brenda kupolës së presidencës “Nishani”, mësohet se Beci e ka motivuar “destinacionin” e vizitës së tij tek Presidenti, me shpjegimin, se “hierarkisht e ka tejkaluar instancën eprore të kërkimit të së drejtës dhe ka shkuar tek kreu i shtetit, pasi mendon se vetëm tek ai i ka mbetur pak besim, për të trajtuar me paanshmëri “goditjen e papritur e të shoqëruar me prova”, që iu bë prej shefit Llalla”. Mësohet, se Eugen Beci, ia ka deklaruar këtë besim Presidentit Nishani, por nuk i ka kërkuar ndërhyrje dhe veprim kushtetues për të rrëzuar vendimin e shkarkimit dhe transferimit “pa prova”, të bërë prej kryeprokurorit Llalla. Burimet tona brenda presidencës bëjnë me dije, se Beci ka shkuar tek presidenti për t’’í bërë të qartë se shkarkimi dhe transferimi i tij është tregues i përfshirjes së kryeprokurorit Llalla, me shërbesa antikushtetuese edhe në skenarët dhe interesat politike, të atyre që flasin për skenarë. Ndërsa kjo ishte akuzë për Llallën, thuhet se Beci i ka deklaruar kreut të shtetit dhe vendimin personal, për dorëheqjen nga funksioni si prokuror i komanduar në Elbasan deri në zbardhjen e këtij skandali, mbasi shkarkim dhe transferimin e konsideron denigrim publik, për aq kohë sa LLalla nuk ia shoqëroi vendimin me asnjë “provë” konkrete”, por vetëm me “fjalë veshi” rruge. Mbështetur në këtë informacion konfidencial, gazeta “Telegraf” pyet: Eugen Beci, shkoi tek presidenti Nishani. për t’í denoncuar heqjen, apo për t’í paraqitur dorëheqjen?!

 Jakup B. GJOÇA