Fillon shkërmoqja e PS, 216 socialistë braktisin “Rilindjen”, aderojnë në LSI

815
Maks TUFA
PS thirrje Ramës dhe Ruçit : “Ju presim urgjent në Elbasan” pasi parashikimet thonë se në 18 qershor LSI del forcë e parë në Elbasan,
E ndërsa fushata ka trokitur, duket se problemet e Rilindjes edhe në rrethe kanë nisur të bëhen më komplekse. Në degët lokale, kanë nisur të përshfaqen zhgënjimet e 4 viteve qeverisjeje, kanë nisur të japin “rezultat” sorrollatjet, mashtrimet dhe abuzimet që lanë pa punë mijëra socialistë, që rrënuan mijëra biznese dhe që pasuruan një kastë, e cila vallëzon në miliona. Baza e Rilindjes, e cila ka mbetur socialiste, ka 4 vjet që lihet pas dore dhe pas dere, ka 4 vjet që mashtrohet me premtime boshe, ka 4 vjet që përbuzet dhe lihet në varfëri, duke e detyruar shpesh të grisë dhe braktisë partinë e traditës dhe të kalojë tek një tjetër forcë politike që premton dhe realizon atë ç’ka thotë. Burime tepër të besueshme nga Elbasani i thanë “Telegraf” se “mbi 216 socialistë nga 5 organizata në lagjet e qytetit kanë braktisur përfundimisht PS dhe janë anëtarësuar tek LSI, kryesisht njerëz të zhgënjyer dhe të mashtruar, njerëz të përbuzur dhe kurrë të trajtuar si qenie të gjalla, njerëz me halle dhe probleme të shumta sociale. Kjo gjë ka detyruar kreun e degës lokale të Rilindjes, drejtorin e Punësimit, Ardit Demirin të kërkojë me urgjencë ardhjen e kreut të qeverisë Edi Rama dhe Gramoz Ruçit, “pasi situata e krijuar nuk jep shanse të mira për fushatën e afërt”. Dihet publikisht se LSI në Elbasan ka arritur të afrojë dhe anëtarësojë rreth saj me qindra socialistë të mospajtuar me qeverisjen e partisë tyre, qindra të zhgënjyer që ishin dhe janë akoma edhe sot pa punë, pa shtëpi, pa shkollim, dhe të pashpresë për të ardhmen. E ndërsa dega e LSI firmoste anëtarësimet e reja, kryesia lokale e Rilindjes, jepte alarmin se “baza po na largohet drejt Ilir Metës, rrezikojmë të mos marrim as 3 deputetë në 18 qershor”. Mësohet se telefonatës i është përgjigjur Ruçi, duke premtuar se “do të ndalemi gjatë në Elbasan”. Kjo padyshim nënkupton faktin se “në Elbasanin me halle dhe probleme shumë, patjetër dyshja Rama-Ruçi do të presin edhe mandate deputetësh dhe drejtorësh, duke i akuzuar ata si shkaktarët e situatës së agravuar, e cila rrezikon humbjen e madhe në 18 qershor”. Situata e rënduar ekonomike, humbja e qindra vendeve të punës, mbyllja e qindra bizneseve si shkak i rritjes së taksave dhe gjobë vënieve, rritja e numrit të papunësisë, ka detyruar kryesisht bazën socialiste të braktisë degën lokale dhe t’i afrohet me dëshirë LSI. Parashikimet thonë se në 18 qershor kjo parti ka gjasa të dalë forcë e parë në Elbasan, ndërkohë që për PD dhe PDIU shanset janë të barabarta. Duket paksa paradoksale, por PS në Elbasan pritet të marrë rezultatin më të dobët në 26 vitet e fundit. Kjo për faktin se edhe në Këshillat Bashkiake, në Këshillin e Qarkut dhe kudo, LSI është kthyer në faktor vendimtar në miratimin apo mosmiratimin e mjaft vendimeve që lidhen me investimet apo problemet e tjera jetike për qytetin dhe komunitetin. Qytetarët e thjeshtë, veç bazës tradicionale socialiste, po shohin tek LSI forcën aktive politike që zbaton ato që premton, duke mos u marrë shumë me lojëra fjalësh. Largimet e shpeshta dhe ato që po ndodhin në vetëm 3 muaj para zgjedhjeve, tregojnë se Rilindja duhet të jetë e përgatitur për ta kapërdirë me qetësi e dashuri një rezultat surprizë jo vetëm në Elbasan, por edhe në shumicën e qyteteve dhe rretheve, ku ajo pavarësisht se harxhoi miliona për “Rilindjen Urbane” duket se nuk arriti të bënte të lumtur dhe të pasur askënd tjetër, veç ministrave dhe ligjvënësve të saj.
Sigal