Fillon shkatërrimi i Spitalit Ushtarak nga Ministria e Mbrojtjes

536
Sigal

Sot në Komisionin e Shëndetësinë, diskutohet shkëputja e Shërbimit Kombëtar të Traumës nga Spitali Ushtarak në spital civil

Sot në Komisionin e Shëndetësisë të Kuvendit do të diskutohet shkëputja Shërbimit Kombëtar të Traumës nga Spitali Ushtarak në spitalin Civil, ” Nënë Tereza”. Spitali Ushtarak pas 55 vitesh do të shkrihet për t’i liruar mjediset në favor të një spitali privat që gjendet pranë tij. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka përgatitur procedurën për të transferuar qendrën e traumatologjisë pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ndërsa Spitalin Ushtarak si institucion do ta zhvendosin në Zallher, ku mund të shërbejë sipas Ministrisë së Mbrojtjes për ushtarakët. Kohë më parë,  janë shkëputur edhe pjesë të tjera të shërbimit shëndetësor nga Spitali Ushtarak, gjoja në kuadrin e reformimit e të menaxhimit të shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, për të fshehur qëllimet e vërteta, të privatizimit të spitalit ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ka dhënë me qira edhe pjesë të territorit të spitalit ushtarak, spitalit Amerika, i cili është një aktivitet privat. Për herë të parë ndodh që një pjesë e territorit ushtarak, sikurse ka statusin Spitali Ushtarak, t’i jepet me qira për shërbim  një aktiviteti privat, siç veproi ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Madje, ministria e Mbrojtjes nuk përfilli as faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe, si e tillë, duhet të respektojë edhe ligjin ushtarak të NATO-s. Shkëputja e shërbimeve ushtarake nga Spitali Ushtarak, bëhet me qëllim që ky spital të denigrohet, të humbasë atë rol të madh e të çmuar që ka luajtur deri tani në shërbim jo vetëm të ushtarakëve, por edhe të qytetarëve. Madje shërbimi i traumës në Spitalin Ushtarak ka qenë shumë i specializuar dhe ka dhënë ndihmesën e madhe gjatë 55 vjetëve të jetës së tij në shërbimin e specializuar ndaj popullit dhe ushtarakëve. Spitali Ushtarak ka sot aktualisht në pronësi të vet një sipërfaqe 77.405 m2, me një kapacitet prej 230 shtretër dhe personel mjekësor e ndihmës prej 420 vetë, nga te cilët 124 mjekë dhe 296 infermiere, farmaciste, dentiste dhe personel ndihmës. Qendra Kombëtare e Traumatologjisë, që funksion pranë këtij spitali, sipas projektit të paraqitur nga Imami, do të transferohet pranë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” me arsyetimin se ajo është kthyer në një institucion të rëndësishëm të mjekësisë civile dhe duhet të ndahet nga Spitali Ushtarak. Kjo qendër në fakt është e gjithë ajo që quhet Spitali Ushtarak. Me largimin e saj nga Spitali Ushtarak, ai boshatiset tërësisht dhe kthehet në një objekt i gatshëm për tu marrë në koncesion nga spitali privat, që është ngjitur me të. Argumentet që kanë paraqitur për ndarjen e Traumatologjisë janë të dobëta dhe të sajuara. Ato kanë të bëjnë me mungesën e fondeve, me paparashikueshmërinë e traumave, me problemet sociale dhe të sigurimit shëndetësor, me kontributin e buxhetit të shtetit dhe arsye të reformimit të brendshëm të skemës së shërbimit shëndetësor. Shihet qartë se të gjitha arsyet janë të sajuara dhe kanë si prapavijë vetëm largimin e Traumatologjisë nga Spitali Ushtarak. Denigrimi i shërbimit shëndetësor në Spitalin Ushtarak, do të thotë që ushtarakëve dhe familjeve të tyre, që gëzojnë statusin e ushtarakut, të mos u kryhet më shërbimi i duhur shëndetësor.

Dyshimet e besueshme

Një pjesë e madhe e Spitalit Ushtarak, sidomos territori i tij është sot nën administrimin e një spitali privat, i lidhur ngushtë me zyrtarë të lartë të qeverisë. Përpjekja për të larguar Traumatologjinë nga Spitali Ushtarak, e cila në fakt është veprimtaria thuajse e vetme e atij spitali, është një pastrim fushe për spitalin privat dhe një veprim tërësisht klientelist i Imamit. Të mos harrojmë, se PS-ja, përmes deputetit Balla e Braçe, kanë denoncuar ministrin e Mbrojtjes Imami për shitjen në ankand të territoreve ushtarake, pa respektuar ligjin dhe pa marrë lejen nga Kuvendi i Shqipërisë.

FLASIN PËR “TELEGRAF”

TRITAN SHEHU, deputeti i PD-së

Në një prononcim për “Telegraf”, deputeti i PD-së dhe anëtari i Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, tha: “Sot do të diskutohet tema e mirëmenaxhimit të Spitalit Ushtarak në shërbim të publikut. Ka probleme të menaxhimit. Nuk është e vërtetë që për Spitalin Ushtarak  ka qëllime  për t’u denigruar e për t’u privatizuar. Ka probleme në konceptin ushtarak, ku kufizohet shërbimi civil publik. Unë kam kundër privatizimit të Spitalit Ushtarak, sepse ky spital përbën një pasuri të madhe kombëtare dhe është shumë i domosdoshëm për t’u shërbyer gjithë publikut shqiptar”.

ELTAR DEDA, deputeti i PS-së

Po, sot do të diskutohet në Komisionin e Shëndetësisë kalimi i qendrës së Traumatologjisë në spitalin “Nënë Tereza” në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithçka mbetet e dyshimtë, për qëllimin e këtij transferimi. Nuk kam dëgjuar gjë për privatizimin e Spitalit Ushtarak.

ASTRIT BECI, deputeti i PS-së

Në vitin 2000 për këtë spital në bashkëpunim me fondacionin norvegjez “Norvvac” është ndërtuar dhe një masterplan i miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, ky spital nga vendet partnere është ndihmuar me fonde që kapin shifrën gjashtë milionë euro. Në 2002 ky spital mori për gjitha vlerat e tija edhe titullin Spital Universitar. Por me këtë spital vazhdimisht është vepruar jo me dashamirësi dhe me seriozitetin e duhur. Marrja e një pjesë të territorit të këtij spitali për ndërtimin e një strukture private (i ashtuquajturi Spitali Amerikan), marrja kohët e fundit e një territori tjetër për parking, kafenetë dhe baret e ndërtuara brenda territorit të spitalit kanë shkaktuar një tkurrje të tij çka bën të dyshimtë dhe dëshirën për ta ndarë përsëri në pjesë këtë spital.