Filloi fushata e shkarkimeve të drejtorëve që nuk ndihmuan në zgjedhje

451
Fushata zgjedhore mbaroi, por një tjetër fushatë politike sapo ka filluar. Shkarkimet e të gjithë drejtuesve, drejtorëve nëpër qarqe dhe qytete, për shkak të mosangazhimit të tyre në ndihmë të fushatës zgjedhore partiake, si edhe arritjen e rezultateve të dobëta që u arritën në votat për këshilltarët bashkiakë, ku PS ka një rënie mjaft të thellë, pasi ka humbur 14 % elektorat, ose mbi 330.000 vota më pak se zgjedhjet e 2013. 
Shkarkime në Vlorë
Shkarkimet e para filluan nga Vlora, kur siç dihet është edhe zona elektorale e kryeministrit Rama. Nëse lexohen me kujdes rezultatet e zgjedhjeve, pjesëmarrja e votuesvë në bashkinë e Vlorës ishte shumë e ulët, 35 % dhe kjo shpjegohet me zhgënjimin që kanë pësuar qytetarët vlonjatë nga keqqeverisja e deritanishme e Rilindjes. Publikisht ka patur raportime për disa klane në gjirin e Majtës në Vlorë dhe mosangazhim sa duhej në fushatën e 21 qershorit. I pari që e pësoi ishte drejtori i portit të Vlorës, Xhevahir Çeloaliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetari I PS të rrethit të Vlorës, ndërsa dje ka qenë radha e drejtoreshës së Arsimit dhe të AKU-së. Në Vlorë, pa kaluar ende pak ditë nga zgjedhjet lokale, ku edhe pse kandidati i mazhorancës, Dritan Leli doli fitues, vetë PS-ja, ka humbi shumë vota, ka nisur edhe “hakmarrja”, ndaj drejtuesve të lartë të institucioneve kryesore. Drejtoresha e Arsimit në Vlorë Albana Hodaj, e cila ishte zgjedhur me konkurs në fundin e vitit 2013, u largua nga detyra që mbante prej më shumë se 1 viti e gjysëm. Në vend të saj, si drejtoreshë e Arsimit mësohet se është emëruar Vilma Bello. Nuk dihet nëse Bello i është nënshtruar ndonjë konkursi apo e ka marrë emërimin e saj “me urdhër nga lart”. Përveç Hodaj është shkarkuar edhe Drejtori i Autoritetit Ushqimor Renato Banushi. 
Ndryshime drejtuesish edhe në rrethe të tjera
Në ditët në vazhdim, priten shkarkime të shumta të drejtorëve rajonalë dhe lokalë të institucioneve kryesore edhe në rrethe të tjera të vendit. Në Lezhë, u shkarkuan edhe drejtori i Portit, drejtoresha e Postës, dhe drejtori i Sigurimeve Shoqërore. Në qytete dhe në ato bashki, ku PS humbi bastionet e saj, si edhe ka një rënie te votave për këshilltarë bashkiakë, në karahasim me votat e 2013, si në Përmet, Klos, Mirditë, Shkodër, Kukës, Mallakastër, është e natyrshme, që janë firmosur shkarkimet e të gjithë drejtorëve dhe pritet vetëm t’u komunikohet vendimi. 
Emra deputetësh në listën e zezë të kryetarit të PS
Sipas burimeve të mirëinformuara të gazetës “Telegraf” pranë selisë së PS, thuhet se kryetari i PS ka arritur në konkluzionin se disa deputetë nuk e mbështetën fort fushatën elektorale të 21 qershorit, madje, flitet se ndodhën edhe përplasje klanesh të influencave të tyre në bashki të caktuara, gjë që u reflektua në votat e pakta që morën, ku PS pati një rënie shumë të madhe, krahasuar me 2013, ndërkohë që këto vota të humbara nga PS shkuan te partitë e tjera të ASHE, ngaqë qytetarët kanë humbur besimin dhe mbështetjen e deputetëve. Shumë deputetë, që tani po futen në listën e zezë, duke u fshirë nga rikandidimi i tyre në zgjedhjet e 2017. 
Sigal