“Fiks-Fare” dëfton: Skandali ngjitet në Gjykatën e Lartë, në skenë del emri i Xhezair Zaganjorit

546
Sigal

Sekseri i kreut të Gjykatës së Lartë kërkon 2 mijë euro në emrin e tij. Ndërkohë në Pukë, kreu i gjykatës dhe prokurori vazhdojnë të marrin 5- milionëshin për ndryshimet e masës së arrestit. Të tjerë viktima qajnë hallin duke treguar se, të njëjtët persona u kanë marrë nga 5-6 milionë lekë për lirimin nga qelia. “Fiks Fare” zbardhi dje strukturën e funksionimit të korrupsionit në gjyqësorin shqiptar. Risi e kalvarit të gjatë dyerve të drejtësisë për drejtësi ishte dalja në skenë e pagesës prej 6 mijë eurosh apo 840 mijë lekë të reja, e kërkuar nga sekseri Dëfrim Prençi dhe avokati Fran Dashi në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Këta dy persona premtojnë lirimin e të pandehurit A.Ndoka, i cili kishte bërë rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë. Shuma prej 6 mijë eurosh kërkohet nga këta dy persona për pesë anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë. Gjatë kësaj bisede, babai i të pandehurit këmbëngul të dijë emrin e gjyqtarit që do t’i garantojë lirinë për djalin e tij. Dëfrim Prençi dhe avokati Fran Dashi i garantojnë daljen e djalit nga burgu duke folur në emër të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorit. Për të justifikuar shumën e madhe të parave që marrin, ata tregojnë edhe skemën sesi do të shpërndahen këto para tek anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së lartë. Sipas sekserit Prençi, 2 mijë euro do t’i marrë kryesuesi i trupit gjykues, pra z.Zaganjori dhe nga një mijë euro katër anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Më pas, Dëfrim Prençi e lidh babanë e të pandehurit me një tjetër avokat, Fariz Xhuxhin. Edhe prej këtij avokati ai merr premtimin e lirimit të djalit nga burgu, por më parë, sipas Xhuxhit, gjyqtarët kërkojnë garancinë që nuk do të ndodhë më asnjë konflikt mes të pandehurit me përfaqësuesit e kompanisë “BerAlb”. Pas sorollatjes nëpër sekserë, babai i të pandehurit drejtohet për në sekretarinë e Gjykatës së Larte ku mëson se rekursi për ndryshimin e masës së sigurisë nuk ishte pranuar nga Gjykata e Lartë dhe se në Pukë filloi procesi gjyqësor për djalin e tij. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe në Gjykatën e Shkallës së parë të Pukës, nga po i njëjti gjyqtar, Shtjefën Lleshi, është zhvilluar seanca gjyqësore për lirimin e të arrestuarit të pestë të ngjarjes së 19 prillit në Fushë Arrëz. Pas pagesës së 500.000 lekëve, më në fund edhe i arrestuari i pestë sheh dritën e dielli. Shumat e kërkuara nga gjykatësi dhe nga prokurori tashmë kalojnë nëpër të tjera hallka deri në dorëzimin e fundit. Nuk dalin nga skena sekretarja dhe kancelarja, të cilat kanë kërkuar në emër të shefit të tyre 250.000 lekë dhe 50.000 për veten e tyre. Por paratë për gjyqtarin, kësaj radhe euro- 1800 euro, janë dorëzuar nga bashkëshortja dhe djali i të pandehurit. Kurse për prokurorin Pëllumb Prençi, është futur në lojë miku i tij nga Lezha, Nard Mardoda, jurist në burgun e Shën Kollit. Në bisedën me familjarët e të arrestuarit të pestë, juristi Mardoda i garanton ata se pas pagesës që ata duhet të bënin, së shpejti do ta kishin në shtëpi të afërmin e tyre. Vetë djali i të arrestuarit ka bërë pagesën ku ka dhënë 250.000 lekë të tjera tek juristi i burgut të Shën Kollit, kjo pjesa e prokurorit. Pas marrjes së lekëve është caktuar dita e gjyqit. Në 1 tetor 2013 është gjyqtari Shtjefën Lleshi që ka ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin D.Ndoka nga arrest në burg pa afat, në detyrim për paraqitje. Investigimi i “Fiks Fare” ka vazhduar me dëshminë e dy të arrestuarve të tjerë në protestën kundër veprimeve të kompanisë “BerAlb” në fushë Arrëz. Ata kanë pohuar me gojën e tyre se kanë paguar njëri 600 mijë lekë dhe tjetri 500 mijë lekë për të rifituar lirinë. Gjyqtari dhe prokurori, ku ata kanë dorëzuar paratë për të fituar lirinë, ishin të njëjtët, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Pukës, Shtjefën Lleshi dhe prokurori Pëllumb Prençi.

  Reagon Zaganjori: “Nuk i kam takuar kurrë ata mashtrues”

 Pas investigimit të transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, ku përmendet emri i kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, ka reaguar ky i fundit. Por vetë Zaganjori thotë se nuk i ka takuar kurrë këta njerëz dhe kërkon që të hetohet me shpejtësi për këtë çështje.Me këtë rast kryetari i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbulimin dhe dënimin e të gjithë personave të përfshirë në aktet korruptive të përmendura në programet në fjalë.