“Fieri”, Berisha: Nuk dal mbi gjykatat! Rama: Ke frikë të ballafaqohesh!

500
Sigal

PS-ja në Kuvend  nuk pranon të miratojë 3 ligjet, në pikëpyetje, marrja e statusit kandidat

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri Berisha komentoi ftesën e hapur të kryesocialistit Rama për një tryezë parlamentare, ku të zgjidhet çështja e Fierit. Sipas Kryeministrit Berisha, Rama nuk duhet të ngatërrojë ligjet e integrimit me këtë çështje, prandaj apeloi që këto tre ligje të kalojnë në Kuvend brenda datës 20 nëntor.  “Të votojnë këto 3 ligje në seancën e nesërme të Kuvendit, duhen votuar brenda datës 20 nëntor, pra në një afat kohor 40 ditor në mënyrë që komisioni të informojë shtetet anëtare që këto kërkesa specifike u plotësuan nga autoritetet shqiptare. Këto ligje nuk mund të lidhen me çështjen e Fierit. Çështja e Fierit nuk mund të lidhet me interesin kombëtar të votimit të këtyre ligjeve”, tha ai.  Kryeministri Berisha nënvizoi ndër të tjera se për Qarkun e Fierit ka një vendim gjykate, mbi të cilin ai nuk mund të dalë. “Ulem për çdo çështje, por nuk mund të ulem të diskutoj për vendime gjykatash, ato janë ligje në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre, nuk ulem për to”,- tha kryeministri. Berisha nënvizoi se, “Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për amendime dhe sugjerime në lidhje me 3 ligjet, por nuk mund të imagjinohet kurrë në një vend të lirë që forcat politike të ulen në tryezë për vendime gjykatash. Dy vite rresht kërkove që t’i jepje zgjidhje politike vendimit të gjykatës për kutitë, pas dy vitesh hoqe dorë dhe pranove çfarë tu ofrua në dy vite. Po përpiqesh t’i shmangesh përgjegjësisë së tmerrshme që merr mbi vete. Ligjet janë në Parlament, ke vërejtje, amendime, sugjerime, urdhëro të ulemi, por lojëra me interesa jetike të qytetarëve mos bëj”, apeloi Berisha.  Kreu i Qeverisë tha ndër të tjera se, “bllokimi i këtyre ligjeve, për të cilat nuk ekziston vakum ligjor, por që përmirësojnë standardet ekzistuese ka sot jehonën më negative për Shqipërinë”.  Sipas kreut të Qeverisë qytetarët duan statusin e vendit kandidat, ndërsa Rama do të bëjë pazar, se ka humbur Qarkun e Fierit.

Rama: Berisha mban peng Fierin dhe integrimin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaron se, refuzimi i Kryeministrit Berisha për t’u ulur në tryezë bisedimesh tregon se maxhoranca ka frikë të ballafaqohet me faktet dhe të vërtetat.  Në një konferencë për shtyp nga selia rozë, kreu i opozitës e cilësoi refuzimin e kryeministrit si mungesë të hapur vullneti nga ana e qeverisë për zgjidhjen e çështjes së Fierit.  “Në përpjekjen e vet të dëshpëruar për të justifikuar dështimin me integrimin evropian pushteti kërkon të fajësojë medoemos opozitën si bllokuese të procesit. Refuzimi i tryezës është shprehje e faktit se, Qeveria kërkon një justifikim për veten dhe jo një zgjidhje për vendin”,- u shpreh Rama.  Ndërsa sqaroi me detaje konfliktin e krijuar për Qarkun e Fierit, kryesocialisti theksoi se, PS-ja nuk mund të ngrejë kartonin në Kuvend për ligje që sipas tij, do të mbeten vetëm në karton.  “Për PS-në nuk është në pikëpyetje fakti se do ta drejtojmë ne apo kundërshtari Qarkun e Fierit, por është në pikëpyetje zbatimi i Kushtetutës së Shqipërisë, funksionimi i shtetit të së drejtës, funksionimi dhe respektimi i gjykatave dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Si mund të lejojmë dhe të tolerojmë që pas një viti e gjysmë të mos jenë mbyllur akoma zgjedhjet në Qarkun e Fierit? Si mund ta pranojmë procesin e integrimit vetëm si një miratim ligjesh në Kuvend, kur vendimet e gjykatave shpërfillen forcërisht”,- u shpreh Rama.  Sipas shefit të opozitës, problemet që pengojnë sot Shqipërinë të marrë statusin e kandidatit janë probleme të shkaktuara nga keqqeverisja.  “Nuk mund të votojmë symbyllur për Gjykatën e Lartë. Nuk ngremë kartonin në Parlament, duke pranuar që legjislacioni të mbetet karton dhe integrimi të kthehet në farsë. Shqiptarët nuk mund të gënjehen kaq lehtë me faktin se 3 aktet janë të mjaftueshme”,- vijoi Rama.  Më tej, kryetari i PS-së tha se: “Berisha ka frikë të ulet përballë opozitës në tryezë dhe të ballafaqojmë faktet dhe të vërtetat, edhe përpara mediave. Saliu ka frikë të ballafaqohet sepse po ashtu nuk ka si e mohon se rregulloren e Kuvendit e mban të bllokuar ai dhe jo opozita. Fierin e mban peng ai dhe është ai bllokuesi de facto i procesit të ligjvënies për këto 3 akte dhe për pasoje bllokuesi de facto i procesit të integrimit. Saliu preferon të shpifë ndaj opozitës, duke lëshuar oferta të pakuptimta, por ne nuk bëjmë kompromis mbi vendimet e gjykatave”,- u shpreh Rama.