Fidel Ylli:“Integrimi i Shqipërisë është peng i vjedhjes së votave nga Sali Berisha”

71

 INTERVISTA/Fidel Ylli, deputet i PS-së: “Sporti shqiptar është viktimë e politizimit nga kjo maxhorancë”

Deputeti i PS-së, Fidel Ylli, në intervistën për “Telegraf”, ka një shpjegim përse deputetët e PD-së, kërkojnë heqjen e mandatit të tij, për një ndodhi të 2009-s. Zoti Ylli, argumenton se, ky është fillimi i një fushate të egër elektorale, që ka qëllim të sulmojë deputetin e opozitës që është aktiv. Sipas zotit Ylli, BE-ja nuk ka besim se te ne zhvillohen zgjedhje të lira, e ky është pengu i vërtetë i integrimit të Shqipërisë. Ndërsa sporti shqiptar, sipas zotit Ylli është pengu i politizimit dhe se rilindja e zhvillimit të tij, është hartuar në draftin e programit të PS-së, pasi vizioni është që ta çpolitizojnë  dhe  t’i japin frymëmarrjen  njerëzve të pasionuar dhe iniciativën biznesit që të mbështetë sportin.

– Zoti Ylli, pse nuk e kanë çuar te Komisioni i Mandateve që në 2009-n, që t’ju  hiqnin mandatin, por kujtohen tani?

Ky është fillimi i një fushate, që paralajmëron që do të jetë shumë e egër dhe ata e bëjnë thjesht për bërë zhurmë, për të sulmuar një deputet të opozitës, që merret me draftin e sportit, që është aktiv në të gjithë Shqipërinë. Kjo dosje që ata pretendojnë, ka që në 2009-n në Parlamentin shqiptar, kur unë kam bërë kërkesën, ku unë kam patur një radio private (Radion House of Arts). I bëj një kërkesë KKKT-së në 2009-n për të më rinovuar licencën. Më vjen një përgjigje dhe thotë: Ju jeni bërë deputet dhe se unë duhet të bëj një shkresë të Deklarimit të Pasurive edhe në Parlament sepse keni konflikt interesi në bazë të Kushtetutës neni 70 që frekuencat janë pasuri kombëtare. ILKPD-ja – që në atë kohë ishte kryetari z. Adriatik Llalla- përgjigjet: “Shtetasi Fidel Ylli nuk është subjekt që mbart detyrime për deklarimin e pasurive dhe nuk ka konflikt interesi”. KKRT-ja vazhdonte kokëfortësinë. Aty gjyqtarja e pyet: Përse nuk e rinovoni licencën e House of Arts? Përgjigja e avokates së zyrës së KKRT-së  është: “Nuk  kam marrë përgjigje nga ILKPD-ja, por po pres nga Kryetarja e Parlamentit që ka tre vjet e gjysmë që e di këtë problem dhe nuk kthen përgjigje. I thotë gjyqtarja: Po në qoftë se Jozefina nuk të kthen përgjigje ky do rri pa licencë? Dhe merret një vendim, i cili më jep të drejtë mua duke i thënë KKRT-së: “ Merr në shqyrtim këtë se s’ka konflikt interesi dhe kjo është mbyllur në Shkallë të Parë, Shkallë të Dytë dhe Shkallë të Tretë. Tani si mendojnë këta, që të kishte Fidel Ylli një problem kaq të vogël që Jozefina e ka në tavolinë prej tre vjet e gjysmë dhe është e turpshme që Kryetarja e Parlamentit të mos i kthej përgjigje institucioneve të veta shtetërore dhe t’u thotë, ka  apo s’ka  dhe, pastaj, t’ja çonte Komisionit të Mandateve. Unë nuk kam qenë administrator, kam qenë pronar, ndaj nuk ka konflikt interesi.

–  Çfarë kuptoni, kur ju pohuat “fushatë e egër elektorale”? A qasen te elektorati problemet e mëdha që janë shqetësuese e kërkojnë zgjidhje?

– Filozofia elektorale e Sali Berishës është që të tërheqë vëmendjen nga kriza e rëndë ekonomike, që i ka vajtur shqiptarëve në palcë. Nga biznesi që është rrënuar, që  kjo qeveri i ka mbi 250 milionë euro borxh të pashlyer biznesit dhe i ka zhytur në kredira nëpër banka. Nga aferat e familjarëve të tyre, që përditë shtypi po zbardh korrupsionin familjar qeveritar. Nisen nga teoria: “Shpif, shpif, se diçka do të mbetet”.

– Cila është gjendja e sportit shqiptar sot?

– Sporti shqiptar është në ditët e tij më të errëta. Është në ditët e tij të politizimit, kur nuk na afrohen shokët tanë, që kemi derdhur djersën bashkërisht,  nga frika se mos e heqin nga puna. Është një politizim që nuk i është bërë sportit ndonjëherë në këto 20 vjet.

Ku e shikoni shkatërrimin e sportit shqiptar?

– Sporti shqiptar është shkatërruar në qelizë. Ndërsa filet për pavarësi, federatat nuk janë të pavarura, janë të përdhunuara nga sekretarë që i kanë bërë militantë partiakë. Dhe veprohet, që po nuk je me ne (partiakë) nuk u jep rrogën. Unë e kam ndeshur konkretisht. U thonë njerëzve të sportit, u thonë nëpunësve, u thonë atyre që paguajnë. “Po vajte te drafti i PS-së për sportin, u heqim nga puna”.  E ndjejnë në privatizim, që është ndërruar ligji brenda 2 vjetëve 3 herë, për arsye të interesave të familjarëve të Kryeministrit, që shkatërruan klubin “Partizani”, që shkatërruan klubin “Dinamo”. Luan Domosdova, e nuk luan “Partizani”. Ky është shkatërrim total. Në orët e mësimit për sportin nëpër shkolla. Në imazhin e Shqipërisë, që ky, ministri Bumçi, i jep Komitetit Olimpik Shqiptar, për Lojërat Olimpike të Londrës, 32.000 dollarë në 24 gusht, kur Olimpiada ka mbaruar në 8 gusht. Ministria e Sporteve të Aldo Bumçit nuk funksionon fare në shërbim të zhvillimit të sporteve. Klubet janë akoma si në kohën e Enver Hoxhës, nuk afrohet njeri t’i privatizojë. Nuk futim dot vullneti provat në sporte.

Atëherë, cili është roli i vetë ministrit të Sporteve, Aldo Bumçi?

Ministri është totalisht jashtë loje. Njerëzit që ka pranë e sabotojnë sistematikisht.

– A ka mungesë strategjie, apo mosvullnet për t’u marrë me zhvillimin e sporteve?

– Në letër, mund të ketë të shkruar strategji, por, po të shikosh mënyrën e realizimit të kësaj strategjie, zbatimin, mënyrën e privatizimit, dhënie e (pa)varësisë dhe shumë gjëra që janë bërë në sport, janë bërë gabim sepse këta duan të kontrollojnë gjithçka.

Shteti mundohet të ndërhyjë te kompetencat e pavarësia e federatave. Rezultati është që edhe shumë federata shqiptare janë të përjashtuara nga ato europiane. Ju këtë praktikë, si e vlerësoni?

Unë e them që qeveritarët, federatat i kanë dubluar, duke i detyruar sekretarët e federatave në zgjedhjet që bëjnë dhe produkti është se, ka mbi 3-4  federata, që janë me dy-tre koka drejtuese. Dhuna që përdorin këta, në federata, duke i ndërhyrë në statute me urdhra ministri e sekretari të Përgjithshëm, për të dënuar ato federata, që ata i shikojnë si federata të majta. Nuk duhet t’i ndërhysh në ligjin që bën për sportin, duke shkruar në ligj: “….ministri…ministri…ministri”. Ministri ka të drejtë të kontrollojë subvencionimin e parave të shtetit, por jo të ndërhyjë në pavarësinë e federatave.  Pasojat janë të hidhura. Na largohen sportistë, si Elis Guri, në 2011-n nga Shqipëria,  për sherret që ka Peshëngritja, Gjimnastika, apo të tjera federata, sikurse ajo e çiklizmit. Këto praktika ne do t’i ndryshojmë me ligj, që marrëveshjet të ndërtohen mbi ato marrëveshje që parashikohen nga Komiteti Olimpik, Kartës Olimpike të Federatave Ndërkombëtare, që janë ratifikuar.

 – Përse politika kërkon ta ketë në mbikëqyrje sportin?

– Sepse politika në Shqipëri është pa vizion. Do të kontrollojë gjithçka, për të punësuar militantët e saj. Sepse sporti ka goxha impakt edhe në vota, edhe në imazh. Edhe sportin duan ta dhunojnë.

Cilat janë shkaqet që dopingu është përhapur kaq shumë në sportin shqiptar, saqë përjashtimet e federatave nga aktivitetet ndërkombëtare janë të shumta?

Në Shqipëri Agjencia e Antidopingut, nuk funksionon. Ministria e Bumçit, këtë agjenci e përdor si pushkë për të kontrolluar  (vetëm) ata sportistë që i shikon me pikëpamje të majtë dhe u çon kontrolle jashtë çdo procedure. Dhe kjo agjenci funksionon me të emëruar partiakë, e jo specialistë. Nuk mundet që zv/ministri të jetë kryetari i kontrollit të antidopingut. Kur 125 shtete këtë agjenci e kanë institucion të pavarur dhe me ekspertë. Te ne, kjo agjenci kontrolli antidoping varet nga Ministria e Sporteve.

Cila do të jetë strategjia e PS-së për rilindjen e sportit shqiptar?

 Ne kemi hartuar një draft, që është çështje vizioni dhe është me këmbë në tokë. Së pari, do të çpolitizojmë sportin. Që njerëzit të jenë të lirë për të kryer aktivitetin e tyre sportiv, për të nxitur biznesin të merret dhe të përkrahë sportin, për të futur një mentalitet të ri në federata. Do t’i japim përparësi bashkëpunimit institucional në shërbim të zhvillimit e përparimit të sporteve.

– Faleminderit!