Festohet me madhështi Dita e Flamurit dhe krijimi i Shtetit të Parë Shqiptar

1810
Sigal

Sot mbushen 101 vjet nga 28 Nëntori i 1912-s, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë

Sot kombi shqiptar mbarë botës ku jeton, feston me madhështi 101 -vjetorin e Ditës së Pavarësisë   dhe ngritjen e Flamurit Kuq e Zi në Vlorë nga patrioti i madh Ismail Qemali, si edhe krijimin e Shtetit të Parë Shqiptar. Në Vlorë, sot do të organizohet ceremonia festive e ngritjes së Flamurit, ku do të marrin pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, si edhe personalitete të shquara  të  politikës dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, të akredituar në Shqipëri.

Aktivitetet e Presidentit Nishani për ditën e sotme, 28 nëntor 2013

 Sot, më datë 28 nëntor 2013, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të marrë pjesë në ora 11:00, në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë.

Dhe në orën 11:30 do të zhvillojë një vizitë në shtëpinë e patriotit Osman Haxhiu (Ibrahim Haxhiu, i biri) -Lagjja “4 Heronjtë” (Topana).

Gjithashtu, po sot ora 19:00, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani do të japë Pritjen Zyrtare me rastin e Ditës së Flamurit, në Pallatin e Brigadave. Pritja do të mbulohet me regji qendrore satelitore nga Televizioni Publik Shqiptar.

 Presidenti Nishani merr mesazhe nga homologët

Më rastin e 101- vjetorit të Pavarësisë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani ka marrë dhjetëra telegrame dhe mesazhe urimi nga krerë shtetesh dhe qeverish. Një mesazh urimi presidentit Nishani i ka ardhur nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck .

Po ashtu edhe presidenti i Izraelit ka uruar presidentin Nishani.

 Edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me anën e një telegrami, i ka uruar Presidentit të Shqipërisë urimet për Festën e Pavarësisë.

Mesazh urimi për 101 –vjetorin e Pavarësisë presidentit Nishani i ka ardhur edhe nga Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Ueli Maurer.

 Axhenda e aktiviteteve  të Kryeministrit për datën 28 Nëntor 2013

Zyra e Kryeministrisë zbardhi edhe axhendën e aktiviteteve që do të kryejë sot Kryeministri Edi Rama. Aktiviteti i Kryeministrit fillon në Vlorë, me pjesëmarrjen e përbashkët të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë dhe përfundon në pritjen që do të japë Presidenti në Pallatin e Brigadave në Tiranë.

Vlorë – Ora 11:00 Mbërritja e tre krerëve të shtetit; Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Ceremonia e ngritjes së Flamurit. Vendosja e kurorave me lule te Varri i Ismail Qemalit. Lëvizet drejt Teatrit “Petro Marko” – (kamerat e korrespondentëve ose nga TR). Prononcim i Kryeministrit para teatrit “Petro Marko”. Në orën 12:00 në teatrin “Petro Marko” bëhet prezantimi i Projektit “Lungo Mare”. Shpallja e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.  Në orën 19:00 Kryeministri merr pjesë në pritjen e Presidentit të Republikës.

  Bashkia e Tiranës zbardh programin e aktiviteteve  që do të organizohen sot

 Me rastin e festave kombëtare, Pavarësia e Shqipërisë dhe Çlirimi i Atdheut, më datë 28 Nëntor 2013, Bashkia e Tiranës (Drejtoria e Artit dhe Kulturës) do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Programi i propozuar për këtë ditë festive është si më poshtë:

– homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve

Orari: 10:00

– Homazhe nderi tek Memoriali i Komandantit Legjendar Adem Jashari

Orari: 11:00

– Panairi në rrugën pedonale “Murat Toptani”

Orari: 09:00 – 21:00

– Lojëra popullore. Ky aktivitet do të zhvillohet në ambientet e parkut “Rinia”, duke u bërë kështu pika e takimit mes të rinjve, adoleshentëve dhe qytetarëve të Tiranës që duan të ndajnë mes tyre dinamikën e lojërave popullore, të inkuadruar nga animatorë profesionistë.

Orari: 11:00 – 21:00

– Ekspozita Fotografike, me rastin e ditës së pavarësisë së Tiranës si dhe me foto historike të Tiranës. Ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe momente të tjera të rëndësishme ndër vite të lidhura me këtë ditë, në bashkëpunim me Arkivin e Shtetit. Hapja në datën 26 Nëntor, me fotot që i përkasin qytetit të Tiranës, ku do të përfshihen foto të viteve 1912- 1920, të vendndodhjes ku është ngritur flamuri. Kjo ekspozitë e hapur më datë 26 Nëntor, me rastin e ditës së Pavarësisë së Tiranës do të vazhdojë deri në datë 28 Nëntor, në ambientet e qendrës TEN.

Orari: 09:00 – 16:00

– Ansambli i Tiranës. Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave, për t’i shtuar frymën festive të gjithë qytetarëve të cilët do të mbushin rrugët në qytet, për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë.

Sheshi para Galerisë Kombëtare     12:00 – 13:00

Sheshi para Vëllezërve Frashri      11:00 – 12:00

Orari: 11:00  – 13:00

– Banda e Qytetit. Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Orari: 11:00 – 13:00

– Këndi i Fotografisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit do të vishen me veshje të personazheve historike, si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, etj. Në një background me imazhe që të kthejnë në kohë, në vitet e ngritjes së flamurit dhe do të krijojnë kështu këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjnë foto me këto personazhe.

Orari: 11:00  – 13:00 dhe 16:30 – 18:00

– Shfaqe Filmi Historik. Në ambientet e qendrës TEN, “Poli Artistik i Tiranës” do të organizojë shfaqen e filmave dokumentar “Himni i Flamurit” dhe “Unë jam Ismail Qemali”, për të plotësuar mozaikun e festimeve.

Orari: 10:00 – 12:00 dhe 14:00 – 16:00

John Kerry: SHBA, partner i palëkundshëm dhe aleat i Shqipërisë

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry uron Shqipërinë për festën e pavarësisë.

“Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, i shpreh urimet më të mira popullit të Shqipërisë ndërkohë që ju festoni Ditën e Pavarësisë më 28 nëntor.  Që nga themelimi i një republike demokratike, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara duke mbajtur zgjedhje të suksesshme shumëpartiake. Shqipëria është një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe ne jemi veçanërisht mirënjohës për kontributet e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Asistencës dhe Sigurisë në Afganistan si dhe për vullnetin e treguar për të pranuar ish- banorët e kampit Ashraf për qëndrim të përhershëm. Tranzicioni paqësor i këtij viti dhe përparimet legjislative nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin popullin e Shqipërisë, ndërkohë që ata vazhdojnë të kërkojnë avancimin e sundimit të ligjit dhe reforma ekonomike, dhe ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit Europian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit.  Ndërkohë që, ju festoni me familjet dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju si një partner i palëkundshëm dhe aleat. Ne shohim përpara drejt një të ardhme të miqësisë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”.

Bashkatdhetarët tanë festojnë festat e 28-29 Nëntorit

Festa shqiptare e Vankuverit

 Vangjush Saro

 Shqiptarët e Vankuverit kanë festuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, në një mbrëmje të gëzueshme në “Riverside Hotel” – Richmond (British Columbia). Është Shoqata Shqiptare Eagles Lovv Mainland BC, ajo që mban të gjallë frymën e komunitetit dhe përcjell vlera të atdhedashurisë e qytetarisë më të mirë përmes një sërë veprimtarive. Ndër to, Festa e Flamurit mbetet ajo më e rëndësishmja dhe më e ndjekura nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në këtë qytet të madh dhe më gjerë.

Gjatë mbrëmjes, u dëgjuan dhe u kënduan himni i Shqipërisë dhe ai i Kanadasë. Një grup fëmijësh, nën drejtimin e veprimtares Suzana Vukaj, recituan vjersha për gjuhën shqipe, Shqipërinë dhe Kosovën. Më pas, pjesëmarrësit e shumtë dëfryen së bashku në një ambient festiv dhe tepër familjar, nën ritmin e këngëve nga të gjitha krahinat, përfshi këngë të njohura kosovare.

Tashmë festimi i kësaj dite të shënuar, por edhe organizimi i piknikëve në stinën e verës, krahas aktiviteteve të tjera, janë bërë pjesë e pandarë e jetës në komunitetin e shqiptarëve të kësaj province në Kanada. Përmes aktivitetesh të tilla, forcohen edhe më tej lidhjet midis shqiptarëve që jetojnë këtu, ndërkohë që e gjithë kjo frymë përcillet edhe te brezat më të rinj. Në një kënd të sallës, ishin ekspozuar libra me tematikë historinë dhe kulturën e vendit tonë. Një tufë me fëmijë loznin gjatë gjithë kohës me tullumbace (në ngjyrë të kuqe e të zezë, ngjyrat e flamurit shqiptar).

Në një episod të këtyre festimeve, shoqata zhvilloi edhe zgjedhjet e reja për Kryesinë dhe drejtuesit e saj. Me votim demokratik e korrekt dhe në përputhje me Statutin e Shoqatës, u zgjodhën: Kryetar i Shoqatës Edison Heba; nën/Kryetarë Estref Resuli, (me një kontribut të gjatë e të ndjeshëm si kryetar) dhe Silvana Sulstarova, kurse Sekretare Ardita Fishta. Gjithashtu, në kryesi u zgjodhën edhe Adrian Lagji, Dritan Muka, Blenard Cenolli, Leonard Bunaci dhe Eglantina Ferro. Shoqata e Eagles Land BC është një vatër rreth së cilës mblidhen dhe mbajnë gjallë traditat historike e kulturore, sa edhe gjuhën, të gjithë shqiptarët me banim në British Columbia, realisht një ndër provincat më të njohura dhe më në lulëzim të Kanadasë.