Festohet 27-vjetori i PS, mungon kryeministri, kryebashkiaku i Tiranës. Peleshi: Tahiri kontribues i madh në PS

614
Sigal

Kryeministri Rama: Nga 1 korriku pensionet rriten me 2.8 %. Rruga Tiranë –Durrës jepet me koncesion

Dje u kremtua 27-vjetori i themelimit të Partisë Socialiste, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Në një festë ku mungoi kryeministri Edi Rama për shkak të agjendës së qeverisë në Durrës, por të pranishëm ishin themelues dhe figura të rëndësishme me kontribute ndër vite në PS. Një tjetër mungesë ishte edhe ajo e ish-kryetarit të PS për Tiranën, njëherazi ish-ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili zgjodhi të urojë përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu, ra në sy edhe mungesa e kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj.

Ministri Peleshi: Do doja ta shihja këtu Tahirin! Majko: S’është i vetmi

Për herë të parë Saimir Tahiri nuk ka marrë pjesë në një përvjetor të themelimit të PS, që prej ditës së parë që ai militon në këtë forcë politike. Ish-kryetari i degës së PS për Tiranën dhe ish-ministri i Brendshëm ndodhet në një përballje me drejtësinë pas akuzave për bashkëpunim në trafik droge, e cila e shkëputi atë nga jeta politike. Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi deklaroi se do donte ta shihte Tahirin në mes të socialistëve, duke festuar, pasi sipas tij ai ka dhënë një kontribut të vyer në selinë rozë dhe nuk ngurron ta quajë kontributor të jashtëzakonshëm. “Çdo socialist është patjetër pjesë e brendshme e kësaj partie. Saimiri është një kontributor i jashtëzakonshëm i PS-së, ka drejtuar PS-në e Tiranës që është zemra, bërthama e kësaj organizate të madhe. Do doja ta shihja këtu dhe ta falënderoja, ta përgëzoja për çfarë ka bërë për këtë forcë politike ku militojmë së bashku për të mirën e vendit”, deklaroi Niko Peleshi, ministër i Bujqësisë. Pandeli Majko është më gjakftohtë dhe mungesën e Tahirit e paralelizon me atë të shumë socialistëve të tjerë. “Mos e shikoni nga ky këndvështrim, këtu ka shumë mungesa, ne secilën e përjetojmë sipas mënyrës tonë”, u shpreh Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën. Edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli nuk e sheh si dramatike mungesën e ish-ministrit të Brendshëm. “Mua më mungojnë të gjithë socialistët që s’kanë mundur të jenë këtu prezentë. Mund të kenë shumë më tepër kontribut se shumë të rinj këtu. I uroj të gjithëve atyre që mungojnë”, tha Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes, deputete.

Presidenti Meta uroj Ramën për 27-vjetorin e PS: Suksese, çoje Shqipërinë drejt Europës!

Presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi ka uruar sot për 27-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Kreu i shtetit uroi të gjithë socialistët për suksese të mëtejshme, në funksion të përmbushjes së të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

MESAZHI I URIMIT

Në këtë përvjetor të themelimit të Partisë Socialiste, kësaj force politike shumë të rëndësishme, kam kënaqësinë t’i uroj lidershipit, anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, suksese në përmbushjen e përgjegjësive qeverisëse në funksion të së ardhmes evropiane të Shqipërisë.