Festivali Folklorik 500 milionë lekë, dasma e Erjon Veliajt… 600 milionë

538
Dy ditë më parë përfundoi Festivali Folklorik Kombëtar, i cili për 6 ditë radhazi “tundi” Kalanë e Gjirokastrës. Festivali është ngjarja e dytë më e madhe që ka përjetuar kjo kala, pas dasmës madhështore me përmasa “faraonike” të Erjon Veliajt, zhvilluar në datën 5 shtator 2014. E ndërsa dasma e ish-ministrit Veliaj, kaloi me shumë bujë dhe debate deri politike në media e në parlamentin shqiptar, Festivali Folklorik kaloi pothuajse në heshtje, jo sikur ishte Festival Folklorik Kombëtar, por sikur grupet popullore i kishte “zënë nata” e kishin ndaluar në majë të Kalasë së Gjirokastrës për të shtyrë natën duke kënduar e hedhur valle.. ajo që të bënë përshtypje, është fakti, që në festival shkuan nga 5 minuta dy qeveritarë ditën që u hap festivali dhe ditën që u mbyll. Ndërsa në dasmën e ish-ministrit shkoi gjithë shteti, gjithë ministrat, pothuajse gjithë deputetët, drejtorët e doganave, të tatimeve, të policive, të porteve, të aeroportit, të arsimit, të shëndetësisë, të kulturës, të monumenteve, të Teatrit të Operas e Baletit, të bujqësisë, të punës… Ajo që bie në sy, në krahasimin mes dasmës së Erjon Veliajt dhe Festivalit Folklorik është fakti, se për festivalin u bënë 10 ditë përgatitje me punëtorët e dekorit të bashkisë Gjirokastër, ndërsa për dasmën e Veliajt u bënë 2 muaj përgatitje nga drejtoria e monumenteve të Kulturës, nga drejtoritë e pastrim Gjelbërimit të Bashkive Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë. 
Për Festivalin u shtruan disa pllaka guri, ndërsa për dasmën e Veliajt u shtruan 300 metër rrugë hyrëse në Kala dhe 1870 metër katror “pistë mozaik” vallëzimi për dasmorët me gurë dekorativë! Dekori i Festivalit kushtoi 53 milion e lekë të vjetra, ndërsa dekori i dasmës së Veliajt kushtoi 239 milionë lekë të vjetra. Dasma e Veliajt u bë në dy vende historike: në kalanë e Argjiros dhe në Pezë, ndërsa Festivali u bë vetëm në majë të Kalasë së Argjiros! Për të përgatitur mjedisin për dasmën e Veliajt, shteti i akordoi bashkisë së Gjirokastrës 210 milion lekë “fonde emergjence infrastrukturore” për ndriçim-gjelbërim-kanalizim, rikonstruksion shkallësh e parmakësh, ndërsa për Festivalin nuk akordoi asnjë qindarkë! Në dasmën e Veliajt ishin 2000 pjesëmarrës, ndërsa në Festival ishin 1500 pjesëmarrës! Dieta ditore e ushqimit për dasmorët e Veliajt ishte 250 dollarë vakti, ndërsa për këngëtarët e Festivalit ishte 10 dollarë dita! Për dasmën e Veliajt u bllokua trafiku 12 orë përpara ceremonisë, ndërsa për festivalin qarkullimi i mjeteve u la i lirë! Për dasmën e Veliajt u përgatitën 146 albume luksoze, ndërsa për festivalin janë dhënë fonde sa për të përgatitur vetëm 1 album. Shpenzimet e Festivalit Folklorik ishin 500 milion lekë, ndërsa shpenzimet e dasmës së Veliajt ishin 600 milionë lekë. Për dasmën e Veliajt, u bën 53 diskutime, 213 shkrime në gazeta, 79 kronika në televizione, 178 replika në parlament, ndërsa për Festivalin Folklorik nuk u tha… asnjë fjalë! 
Sigal