Festa e Pavarësisë Obama mesazh urimi: Mirënjohje për kontributin në luftën ndaj IS

434
Presidenti i SHBA, Barack Obama ka uruar Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani për festën e pavarësisë. Në një mesazh urimi kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë duke e vënë theksin edhe tek nënshkrimi në prill i Partneritetit Strategjik Sh. B. A. – Shqipëri.
Po ashtu Obama vlerësoi kontributin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në Rajon dhe në prepjekjet për të luftuar Shtetin Islamik.
“I dashur Zoti President, Ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar edhe në emër të popullit amerikan me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë.
Ky shënon edhe një rast për të reflektuar mbi partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm që gëzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, ashtu siç u nënvizua edhe nga nënshkrimi në prill i Partneritetit Strategjik Sh. B. A. – Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë që të përparojë në rrugëtimin e saj drejt integrimin të plotë Euro-Atlantik.
U jam mirënjohës kontributeve të Shqipërisë në drejtim të rritjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe anembanë botës. Ato përfshijnë edhe ndihmesën e vlefshme të Shqipërisë si pjesëtare e Koalicionit Ndërkombëtar që lufton ISIS-in dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në rajonin e Ballkanit. Unë pres që në këtë drejtim dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme, ta thellojmë bashkëpunimin tonë gjatë viteve në vazhdim”, thuhet në mesazhin e Obamës.
Sigal