Fermerët marrin qindarka nga subvencionet, mungon infrastruktura, kredi me interesa të larta, taksa të shumta

642
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Ministri Peleshi tregohet hovardar, shpenzon 100 milionë lekë për propagandë

Fermerët marrin qindarka nga subvencionet, mungon infrastruktura, kredi me interesa të larta, paguajnë taksa indirekte

Shqipëria është një nga vendet më të bekuara të Mesdheut, për sa i përket kushteve klimaterike, me ujë të bollshëm, me ditë me diell thuajse gjatë gjithë vitit, pozicionit gjeografik për zhvillimin bujqësisë. Mirëpo, realisht, bujqësia jonë është e rrënuar, sepse kemi qindra hektarë tokë të papunuar, të braktisur në fushat më pjellore të Myzeqesë dhe në Jug të Shqipërisë, zonat rurale nuk kanë infrastrukturë. Bujqësia jonë ka bërë, madje hapa mbrapa, teksa sot fshatarët e plugojnë tokën me …parmendë, pasi nuk kanë mundësi financiare as të blejnë mjete mekanike, por as nuk mund të tregtojnë dot prodhimet e tyre, për shumë arsye.

Fermerë të braktisur nga politikat e qeverisë së Rilindjes, subvencione me pikatore

Rreth gjysma e shqiptarëve e mbajnë frymën gjallë nga bujqësia. Në vendet fqinje, bujqit i kanë sytë nga qeveritë, të cilat u lehtësojnë shumëçka, nga nafta, farërat, pesticidet, e deri te shitja. Madje, edhe kompensimin, nëse prodhimi dëmtohet nga natyra. Por, në Shqipëri, bujqit i kanë sytë nga qielli. Edhe subvencionet, ato që jep BE-ja, nuk kanë shkuar te fermerët, por te disa individë të lidhur ngushtë me njerëzit e pushtetit.

Kritere absurde për fermerët që të përfitojnë subvencione

Kryeministri Rama propagandoi me të madhe, subvencionet për të nxitur fermerët të mbjellin pemë frutore, por edhe të kultivojnë në serra. Mirëpo, qeveria ka vendosur, veç burokracisë në procedura, edhe kritere spekulative. P.sh., që një fermer të përfitojë subvencionin e mbjelljeve të pemëve frutore, ullinj, mollë, portokalle, manderina, duhet të blejë detyrimisht fidanë tek prodhues të përcaktuar me emër dhe mbiemër në VKM. Fermeri mund të përzgjedhë fidanin që ai mendon se do ketë rezultat edhe gjetkë, mund ta prodhojë edhe vetë, por qeveria, nuk i jep subvencionin, nëse nuk e blen fidanin tek njeriu i afërt me pushtetin, që ka …fidanishte. Marrim një shembull; qeveria akordon 100 lekë për subvencione. Vë disa kushte dhe u kërkon bujqve të pajisen me NIPT, të kenë shumë dynymë tokë, serat t’i kenë mbi 2 metra të larta (99 % i kanë serat deri në 1.9 metra) etj, etj. Në fund, vetëm 5 lekë shpërndahen dhe pjesa tjetër, askush nuk e di se ku shkon. Por, ironia në këtë situatë është se qeveria vazhdon të bëjë propagandë me “fatkeqësitë” e këtyre fermerëve.

Ministri Peleshi dorëlëshuar me miliona lekë për …propagandë boshe

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi ndoshta nuk shqetësohet pse fermerët nuk thithin subvencionet, përse nuk nxitet interesi i fermerëve, ndoshta edhe gëzohet, kur subvencionet për fermerët mbeten “stok”, sepse ato përdoren për përdorime të qëllimeve të “ngutshme” të qeverisë, por, kjo nuk e ndalon ministrin Peleshi, që të shpenzojë, duke u treguar hovardar me qindra milionë lekë për propagandë …boshe, duke promovuar projekte vetëm në video 3D, që ndoshta kurrë nuk mund të zbatohen nga fermerët tanë. Së fundmi, ministria e Bujqësisë ka akorduar plot 100 milionë lekë të vjetra për organizimin e një propaganda të frikshme, për të promovuar këtë sektor, i cili është në grahmat e fundit. Gazeta “Telegraf” publikon dokumentet e një tenderi që po bën ministri Niko Peleshi me objekt “Organizimin e aktivitetit për promovimin e sektorit bujqësor, viti 2018”. Sipas ministrisë së Bujqësisë, ky aktivitet do të jetë një mundësi e prezantimit të bujqësisë shqiptare, politikave dhe objektivave të qeverisë, mbështetjes për këtë sektor; të produkteve të prodhuara në vend; njohjen e konsumatorit me cilësinë dhe sigurinë e prodhimit vendas; bashkëpunimin mes gjithë aktorëve që operojnë në fushën e bujqësisë, nën nismën: “Shqipëria punon tokën – Konsumo Shqip”. Mësohet se aktiviteti do të zhvillohet në datat 12-13 tetor 2018 në Tiranë.

100 milionë lekë do t’i përfitojë një kompani private për promovim

Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë program që të lehtësojë fermerët nga taksat e shumta, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, që rritin shumë koston e prodhimit. Kështu, fermeri detyrohet të përdorë naftë për makineritë bujqësore me të njëjtën çmim që përdor edhe mercedesi 100 milionë lekë i ministrit. Fermeri e ka të pamundur që të huazojë në bankë kredi me interesa të larta, sa ato që merr hua edhe deputeti për të ndërtuar vila. Përpos këtyre, për propagandën gjenden qindra milionë lekë, teksa Ministria e Bujqësisë thotë se me 100 milionë lekë të vjetra (përfshirë TVSH-në) synon që të kontraktojë një firmë private që t’i krijojë hapësirat dhe strukturat e nevojshme, për kryerjen e aktivitetit. Kërkon çadra dhe stenda, prezantimi i produkteve/prodhuesve/shoqatave sipas sektorëve përkatës si dhe sigurimi i sinjalistikës të të gjithë ambientit bashkë me hartën në stenda vetë qëndruese. Megjithatë, në fund, gjithsecili, qoftë fermer, apo jo ngre një pyetje; përse këto qindra milionë lekë nuk jepen direk për bujqësinë? Por, për qeverinë, më e rëndësishme janë disa kronika televizive me pamje të bukura, 3 apo 4D, ku disa bujq të përzgjedhur të Rilindjes do të dalin me fytyrë të qeshur dhe kështu do të propagandohet edhe suksesi imagjinar në 3D i ministrit Peleshi. Po me 99.9 % të bujqve të tjerë, çfarë do të bëhet?