Fermerët derdhin qumështin/ Kosova i vë taksë Serbisë, Shqipëria i hap portat prodhimeve serbe. Sot protesta në rrugët e Lushnjes

655
Sigal

Kosova i vë taksë Serbisë, Shqipëria i hap portat

Sot mijëra fermerë në rrethin e Lushnjes do dalin në rrugë dhe do të protestojnë në autostradës kryesore të vendit kundër politikave të qeverisë, që po rrënon fermerët tanë. Kështu, fermerët pritet të bllokojnë autostradën në Lushnjë dhe do të derdhin qumështin, në shenjë proteste, kundër çmimeve mjaft të ulëta, por edhe kërkesës së ulët për qumështin e tyre, ndërkohë, që dyqanet dhe raftet e supermarketeve tona mbushen me qumësht të importuar nga Serbia. Fermerët tonë do të protestojnë në Savër të Lushnjes, në mbrojtje të qumështit të prodhuar nga ata, sepse qumështi serb po “mbyt” Shqipërinë, sidomos pas bllokadës që i ka bërë qeveria e Kosovës, me taksën. Është e çuditshme, që ndërkohë, që Kosova i vë taksë Serbisë, Shqipëria t’i hapë portën e importimit të mallrave serbe, duke rrënuar prodhuesit shqiptarë dhe produktet shqiptare. Konkretisht, qumështi i importuar nga Serbia po shkatërron fermat dhe fermerët shqiptarë. Sipas burimeve të mirinformuara për gazetën “Telegraf” protesta e sotme e fermerëve të Lushnjes do të përkrahet edhe nga fermerët e rretheve të tjera, si në Fier, Vlorë, Gjirokastër, ku pritet që edhe fermerët e tjerë të dalin në rrugë për të protestuar kundër qumështit serb që futet në Shqipëri.