Ferit Shqefni: Radhë dhe tortura për kartën e shëndetit

476
Nëse do të vendosni që të pajiseni me kartën e shëndetit apo ta rivononi atë, duhet të mendoheni mirë. Atë ditë që do t’i drejtoheni sportelit për të marrë këtë dokument, duhet të keni parasysh disa “pasoja”, si më poshtë: Të dilni herët nga shtëpia që të zini radhën sa më afër sportelit. Nëse nuk keni zënë radhën sa më sfër sportelit, nuk mund të mbaroni punë, por iu duhet të paraqiteni përsëri një ditë tjetër. Nëse nuk jeni të fortë fizikisht, mos u futni për të zënë radhën, se mund të shtypeni dhe mund të rrëzoheni përtokë. Nëse nuk jeni mirë nga ana shëndetësore, mos qëndroni në radhë, se mund t’ju bie të fikët nga qëndrimi i gjatë në këmbë. Nëse nuk i keni marrë me vete të gjitha dokumentat e nevojshme, mos u paraqitëni në sportel, se automatikisht do të ktheheni mbrapsht, qoftë edhe për një foto kopje të kartës së identitetit. Nëse do të paraqiteni tek ky sportel, atë ditë duhet të mendoheni mirë, pasi mund t’ju humbas edhe dita e punës. Edhe pse afati dhe vlefshmëria për pajisjen me kartën e shëndetit, është zgjatur, ende ka anomali dhe radhë të gjata. 

Mbi 1 milion banorë vetëm në 1 sportel
Tingëllon disi absurd, por është e vërtetë se Tirana kryeqyteti i vendit me mbi 1 milion banorë dhe me një numër të konsiderueshëm njerëzish që kanë nevojë për shërbime dhe nevoja mjekësore, ka vetëm një sportel ose qendër të vetme për lëshimin dhe pajisjen e pacientëve me kartën e shëndetit. Kjo qendër tashmë siç dihet nga të gjithë të interesuarit për këtë lloji shërbimi, ndodhet tek dispanceria në rrugën “Siri Kodra”, pranë qendrës shëndetësore nr.4. Çdokush që ka kaluar ose kalon pranë kësaj qendre shëndetësore, padyshim që do të shohë njerëz teksa qëndrojnë në radhë të gjata, në pritje për të marrë ose për t’u pajisur me kartën e shëndetit. Kjo kartë tashmë është zevendësuar me librezën shëndetësore. Por, si proçedohet për të marrë ose për t’u pajisur me këtë lloji dokumenti? Pacienti ose personi i interesuar për këtë lloji shërbimi është i detyrur të paraqitet pranë qendrës së tij shëndetësore, tek mjeku i familjes, ku ky i fundit e pajis të interesuarin me një rekomandim për të kryer veprimet e mëtejshme. Pikërisht këtu starton dhe radha që do t’a shoqërojë deri në përfundim të pajisjes me kartën e shëndetit. 

Pengesat burokratike
Por çfarë ndodhë më tej? Të gjithë të interesuarit për t’u pajisur me këtë lloji dokumenti, sapo të paraqiten pranë sportelit të caktuar enkas për këtë lloji shërbimi, hasin në pengesa burokratike dhe në radhë të gjata. Janë 11 qendra shëndetësore në kryeqytet (pa llogaritur këtu qendrat shëndetësore në fshatra) që me anë të rekomandimeve të tyre që iu lëshojnë personave të interesuar për t’u pajisur me kartën e shëndetit, i drejtohen këtij sporteli të vetëm. Duke qenë se të gjithë personat që kërkojnë të pajisen me kartën e shëndetit,” bashkohen” në një sportel të vetëm, padyshim që do të përballen edhe me radhë të gjata. Nuk është vetëm radha e gjëtë ajo që i bezdis njerëzit, por më shumë se kjo është dhe burokracia e shkresave dhe sorollatja e tepërt. Pasi mund të qëndrosh me orë të tëra në radhë, mund të gëzohesh për një moment se të erdhi radha për të kryer veprimet, e ndoshta për të mbaruar punë, por sa po të paraqitesh në sportel, mund të marrësh edhe përgjigjen, se i ke letrat me mangësi, ndoshta edhe për një fotokopje të kartës së identitetit, pa llogaritur edhe ndonjë letër apo shkresë tjetër, ndoshta të pa rëndësishme apo të pa nevojshme, por detyrohesh të kthehesh mbrapsht andej nga ke ardhur për të plotësuar letrat me mangësi, e për rrjedhojë do të humbas edhe radha, dhe që të vish përsëri ditën tjetër, duhet të zëshë radhën nga e para. 

Rikthimi i radhëve të komunizmit
Lind pyetja, pse krijohet gjithë kjo radhë për të marrë kartën e shëndetit? E gjithë Tirana me mbi 1 milion banorë kanë të drejtë për t’u pajisur me kartën e shëndetit. Të 11 qendrat shëndetësore të sajë që lëshojnë rekomandimet e tyre për pajisje me këtë dokument shëndeti, i drejtohen një sprteli të vetëm, siç është ai pranë dispancerisë në rrugën “Siri Kodra”. Në këtë sportel të vetëm, paraqiten jo vetëm personat që pajisen për herë të parë me kartën e shëndetit, por edhe ata që duhet të zgjasin afatin, sepse është si rregull: Për personat e punësuar, ky dokument lëshohet për një afat prej 6 muaj. Për personat e pa punë dhe që figurojnë në zyrat e punësimit si punë kërkues, ky dokument lëshohet për një afat prej 3 muaj. Në këtë sportel, veç kontigjentit të mësipërm, paraqiten edhe invalidët, pensionistët dhe nxënësit e studentët. Të gjithë personat që duhet të pajisen me kartën e shëndetit, iu duhet të paraqiten në këtë sportel, çdo 3 muaj, 6 muaj apo sa herë që i mbaron afati këtij dokunenti. Radhët e gjata dhe pa fund në këtë sportel, nuk janë një apo dy ditë, por çdo ditë të javës, nga e hëna në të premte, periudhë kjo që ky sportel funksionon. Një ditë tek po kaloja pranë këtij sporteli, iu afrova “turmës” që po qëndronin në radhë për t’u pajisur me kartën e shëndetit, duke tentuar t’i pyesja lidhur me situatë e krijuar, ata ma “ngecën” fjalën, duke më thënë të gjithë një zëri në kor: “shih e shkruaj”, më thanë ata. Situata është tejej alarmante dhe kjo duhet t’i detyrojë institucionet përkatëse që të marrin masa, ndoshta dhe urgjente, për ndryshimin e saj. Do të ishte në funksion të zgjidhjes definitive, që të shtohen jo vetëm pikat për këtë qëllim, por dhe sportelet ku do të hapen apo ngrihen ato pika, që njerëzit të cilët kanë nevojë për këtë shërbim, të mos vuajnë më, duke qëndruar me orë dhe ditë të tëra, në radhë të gjata. Që shërbimi i njerëzve në nevojë të shkojë sa më afër vendbanimit të tyre, do të ishte më normale dhe e domosdoshme, të hapen pika të tjera pranë çdo qendre shëndetësore, duke evituar kështu jo vetëm radhët e gjata por edhe lodhjen dhe cfilitjen e njerëzve, që aq shumë po vuajnë për të marrë një kartë shëndeti. Teksa njihemi me këtë situatë aq alarmante sa dhe absurde, e gjejmë ndoshta me vend, t’i kujtojmë ministrit të shëndetësisë, që aq shumë ka premtuar për shërbimin shëndetësorë, që jo vetëm këtë shërbim nuk e bëri falas, por edhe një sportel shtesë për pajisjen me kartën e shëndetit, nuk e hapi!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 20.01.2016
Sigal