Ferid Murati, Nobelisti i munguar në përvjetor…

1076
Sigal

Prof. Dr. Lisen Bashkurti i bën portretin nobelistit Ferid Murati dhe kërkon që ai të ftohet në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Nga gjithë ç’kam parë në vendime qeverie, komisione festash, grupe seleksionuese për monumente, buste, pllaka përkujtimore, emra rrugësh, sheshesh e institucionesh, konferenca shkencore e kështu me radhë, askund nuk më ka zënë syri e veshi emrin e të vetmit nobelist të gjallë shqiptar – Ferid Murati. Dhe nuk është për t’u çuditur. Kur politika pretendon të vendosë për gjithçka, ajo harron jashtë shumëçka. Madje harron ikonat më të çmuara të Kombit, sikundër janë dijetarët e tij. I tillë është Ferid Murati, nobelisti i kudo munguar në këtë 100 vjetor të Shtetit Shqiptar. Besoj nuk se nuk e kanë përfshirë në listën e të huajve të ftuar, pasi biri nuk ftohet në Atdheun e vet. Biri i ndritur përjetësohet, kur e meriton, si Ferid Murati, edhe për së gjalli”.

Për një popull të vogël si shqiptarët është kontribut i madh t’i dhurosh njerëzimit dy nobelistë: Nënë Terezën dhe Ferid Muratin. Nënë Tereza ishte bamirëse e madhe, ndërsa Ferid Murati është shkencëtar i madh. Të dy kontributet i kanë dhënë për njerëzimin. Nënë Tereza, si bamirëse e madhe ishte njëherazi shkencëtare e dimensioneve të padëgjuara për njohjen e teologjisë, të filozofisë moderne, të historisë e politikave bashkëkohore, të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, të psikologjisë e mjeksisë, të komunikimit e diplomacisë. Ferid Murati, nga ana e tij, si shkencëtar i madh është njeherazi një bamirës mjaft i shquar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një personalitet me me vlera të konsiderueshme njerëzore, familjare e shoqërore. Si Nënë Tereza edhe Ferid Murati vendosën lehtësisht në panteonin e njerëzve me vlera shkencore e humane të jashtëzakonshme. Racionaliteti dhe humaniteti qëndrojnë si fondament i përbashkët për të dy nobelistët shqiptarë.

Këtë shkrim do e veçoj vetëm për Ferid Muratin, sepse më duket shumë i munguar në mjediset tona. Akoma më i munguar më duket në këtë përvjetor dhe më vjen të skuqem i tëri. Nga gjithçka parë në vendime qeverie, komisione festash, grupe seleksionuese për monumente, buste, pllaka përkujtimore, emra rrugësh, sheshesh e institucionesh, konferenca shkencore e kështu me radhë, askund nuk më ka zënë syri e veshi emrin e të vetmit nobelist të gjallë shqiptar – Ferid Murati. Dhe nuk është për t’u çuditur. Kur politika pretendon të vendos për gjithçka, ajo harron jashtë shumëçka. Madje harron ikonat më të çmuara të Kombit, sikundër janë dijetarët e tij. I tillë është Ferid Murati, nobelisti i kudomunguar në këtë 100 vjetor të Shtetit Shqiptar. Besoj nuk se nuk e kanë përfshirë në listën e të huajve të ftuar, pasi biri nuk ftohet në Atdheun e vet. Biri i ndritur përjetësohet, kur e meriton, si Ferid Murati, edhe për së gjalli.

Për Ferid Muratin është shkruar shumë dhe në mjaft gjuhë të huaja nëpër botë, por është shkruar pak në Shqipëri. Tek shqiptarët është tejet i theksuar vlerësimi mbas vdekjes. Natyrisht ky lloj vlerësimi është hyjnor. Por vlerësimi për së gjalli ka vlera të tjera. Vlerësimi për së gjalli është motivim për punë e krijimtari të mëtejshme të vetë të vlerësuarve, pra ka më shumë kontribut dhe vlerë kombëtare e ndërkombëtare sesa vlerësimi mbas vdekjes.

Ferid Murati është një nga njerëzit e mëdhenj shqiptar, i cili jetoi dhe punoi pa u dukur derisa në vitin 1998 iu dha Çmimi Nobel. Vetëm atëhere, bota në tërësi dhe ajo shqiptare në veçanti konstatuan vlerat e këtij shkëncëtari të jashtëzakonshëm. Të jetuarit e të punuarit në mënyrë modeste është një prej trashëgimive tipike shqiptare të familjes së tij.

Për origjinën kombëtare shqiptare të Ferid Muratit nuk ka asnjë lloj debati, siç ka ndodhur në rastet e Gjergj Kastriotit apo të Nënë Terezës. Në librin “Authobiography”(1998) të shkruar prej vetë autorit me rastin e dhënies të Çmimit Nobel, Ferid Murati shpjegon qartazi me detaje gjithçka që lidhet me origjinën, prindërit, gruan dhe fëmijët e tij, jetën karrierën e vet, shokët, miqtë e bashkëpunëtorët.

“Im atë – shkruan Ferid Murati- Xhabir Murat Ejupi u lind në Shqipëri më 1892 dhe ishte më i madhi i katër fëmijëve. Nëna e tij vdiq kur ishte 13 vjeç. Ai dhe familja e tij ishin barinj dhe si pasojë u larguan nga shtëpia për të shitur sheqerka në vendet ballkanike për disa vite. Edhe pse kishte më pak së një vit shkollë, ai mësoi shtatë gjuhë përpara se të vdiste në moshën 84 vjeç në vitin 1976” (Authobiography, Les Prix Nobel, 1998)

Babi i Ferid Muratit emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1913, së bashku me një grup emigrantësh të rinj nga Austria. Ishte koha kur kishte filluar Lufta e Dytë Ballkanike e po trokiste në portë Lufta e Parë Botërore. Ballkani do merrte epitetin e pashqitshëm “Fuçi baruti”.

Në Amerikë, Xhabiri i ri punoi në fillim në fabrikat e dhe furrnaltat e çeliqeve, duke lëvizur për një jetë dhe pagë më të mirë nga Cleverland, Detroit e Cikago. Jeta në Amerikë, dinamika ekonomike, liritë e të drejtat e njeriut i dhanë djaloshit nga Shqipëria frymëmarrje dhe shpresë, që atë për cilën kishte vajtur në Amerikë do ta realizonte. Kur u rrit dhe nisi maturitetin burrëror, Xhabiri u njoh me Henrieta Josphine Bouman, bashkëshorten e tij të ardhshme dhe nënën e ardhshme të Ferid Muratit.

“Nëna ime-shkruan Ferid Murati- u lind më 1918 në Alton, Ilinois dhe ishte fëmija i tretë nga gjashtë fëmijët e Elisbeth Lillian dhe Andre Orvi Bouman. …Nëna ime shkoi në shkollë për disa vite përpara se të lindte për të ndihmuar nënën në shtëpi, ndërsa ajo shkonte në punë me dy motrat e saj” (Authobiography, po aty)    

Dy prindërit e Ferid Muratit ishin me origjinë kombëtare të ndryshme, respektivisht shqiptaro-amerikanë, por me bazë sociale dhe ekonomike të përafërt. Rridhnin nga familje të varfëra. Dhe me shumë vështirësi jetese. Kjo gjëndje e rëndë i pati bërë prindërit e Ferid Muratit që të punonin për mbijetesë dhe të mos kishin fare kohë e mundësi për arsimim.

“Fëmijëria e varfër e dy prindërve të mi-shkruan Ferid Murati- dhe shkollimi i tyre minimal ndikoi së tepërmi tek unë dhe tek dy vëllezërit e mi në shkollimin tonë dhe në zgjedhjen e karrierës. Një vëlla u bë dentist dhe tjetri profesor i antropologjisë me gradën “Doktor”. (Authobiography, po aty)

Ferid Murati u lind me 14 shtator 1936. Qysh në fëmijëri, si gjithë familja e tij, edhe ai shkonte në shkollë dhe në punë njëkohësisht, në biznesin e restorantit që kishte pasë hapur babai i tij. Puna në restorant e mësoi Feridin e vogël që të njihte njerëzit, karakteret, situatën e përgjithshme në Amerikë. Ajo punë e rëndë i zhvilloi vullnetin, durimin dhe memorien. Feridi i vogël, brenda një periudhe të shkrurtër arriti të memorizonte gjithë klientët, shijet e tyre, preferencat ushqimore dhe pijet e dëshiruara. Feridi nuk mbante asnjëherë shënime për menutë dhe kërkesat e klientëve, për çmimet e llogaritë. Gjithçka e fiksonte në kokë, deri edhe veprimet e fundit në kasën e restorantit. Ishte një tru i vërtetë memorizues. Prindërit e Feridit, duke parë këtë inteligjencë, bazuar edhe në dëshirën e tij vendosën shkollinim e tij për të fituar profesion më të lartë e më të vlerësueshëm në shoqëri. Vërtetë pirndërit e Feridit ishin punëtorë dhe më arsimim minimal, por me shumë dashuri e veneracion për arsimin. Atë që, për arsye ekonomike nuk e kishin arritur vetë, dëshironin me çdo kusht t’ia jepnin të birit, Feridit.

“Prindërit e mi gjithmonë na inkurajonin që të shkolloheshim dhe të merrnim një profesion- thotë Feridi-. Megjithatë, vëllezërit e mi dhe unë u rritëm në liri të plotë kur kursenim bakshishet nga puna në restorant për qëllimet e karrierës” (Authobiography, po aty)

 Rrallë ndodh që njeriu të përcaktojë qysh në fëmijërinë e tij prirjen e vet, më me saktësi, siç a pati përcaktuar veveten Ferid Murati. Me një detyrë eseje të thjeshtë të shkollës tetëvjeçare ku ai studionte, ndër të tjera bëheshin disa pyetje se cilat do të ishin tre fushat më të pëlqyeshme për karrierën e ardhshme të fëmijëve. Ferid Murati i vogël iu pat përgjigjur mrekullisht për ato tre fusha ku me të vërtetë u dedikua tërë jetën dhe shkëlqeu si rallë kush në kohët moderne. Ja se çfarë shkruan vetë Feridi…

“Në klasën e tetë na u kërkua që të bënim një ese për tre zgjedhjet e karrierës. Unë zgjodha 1) fizikant, 2)mësues, 3) farmacist…Sot unë këtë bëj, jam fizikant dhe jap mësim në mjekësi, farmakologji dhe farmakologji klinike me gradën “professor” në farmakologji”.(Authobiography, po aty)

Mbasi mbaroi studimet e mesme, mbas viteve ’50 Ferid Murati hyri në Kolegj për studime superiore në shkencat ku aspironte. Me mjeshtëri ai studioi anatominë dhe embriologjinë si dhe perfeksionoi lartësisht gjuhët Latine dhe Greke.

“Kurset e greqishtes dhe latinishtes në gjimnaz dhe universitet-shkruan Ferid Murati – qenë me shumë vlerë për të mësuar prejardhjen e shumë fjalëve shkencore” (Ibiden)

Në jetën e Ferid Muratit, pranvera e vitit 1957 shënon një ngjarje me impakte shumë të rëndësishme për karrierën e tij të ardhshme dhe për tërë jetën e tij. Ai u njoh në Fort Lauderdale, Florida, me Carol Ann Leopold. Kjo zonjushë, me origjinë amerikano-spanjolle do bëhej bashkëshortja, kolegja dhe suportuesja më e madhe karrierës së Ferid Muratit si dhe nëna e pesë fëmijëve. Natyrisht, rruga e shkencës, në të cilën kishte hyrë Ferid Murati u shndërrua gradualisht në sfidë edhe për tërë familjen e tij. Por, të gjithë nën edukimin e së ëmës iu dedikuan lehtësimit të punës shumë të mundimshme të Feridit.

“Disa netë-shkruan Feridi- më duhej të punoja tërë natën dhe gjatë ditës të jepja mësim. Unë vazhdoja këtë punë gjatë tërë kohës në klinikë që më detyronte të largohesha nga familja 4-5 ditë në javë. Megjithatë unë përpiqesha të darkoja me familjen time sapo kisha pak mundësi. Gruaja dhe fëmijët e mi ishin të kuptueshëm” (Ibiden)

Me këtë këmbëngulje e talent, Ferid Murati ngjiti shumë shpejt shkallët akademike në ShBA. Në vitin 1970, kur ishte 33 vjeç, u emërua Profesor në Universitetin e Virxhinias, ku punoi deri në vitin 1981. Paralelisht, atij iu kërkua të bëhej Drejtor i Kërkimeve Klinike (1971) si dhe Drejtor i Klinikës Farmakologjike (1973). Ferid Murati nga kjo kohë e gjithnjë punoi si profesor dhe si hulumtues paralelisht. Pedagogjia dhe shkenca nuk iu shqitën kurrë nga jeta Ferid Muratit. Ai e konsideronte punën e profesorit si një fushë ku përgatiten gjeneratat e reja, ndersa e konsideronte fushën e shkencës si domosdoshmëri për të thelluar kërkimet shkencore në dobi të njerëzimit, por edhe te vetë edukimit universitar të rinisë. Pedagogjia dhe hulumtimi, ishin për shumë kohë binom i pandarë në verpimtarinë e Ferid Muratit. (L.Bashkurti, Identiteti, Imazhi Diplomacia, Tiranë 2004, faqe 179)

Mbas shumë vite punë universitare, duke kaluar vitet Ferid Murati u përqendrua gjithnjë e më tepër ne hulumtime shkencore. Për këtë, në vitin 1981 emërohet Shef i Qëndrës Spitalore të Palo Alto Veteran Hospital në Standford. Ndërsa në vitet 1986-1988, Feridi u zgjodh Zëvëndës President në Abbott Laboratories. Në këtë qendër ai prodhoi rreth 21 lloje medikamentesh për trajtimin e sëmundjeve të rënda. Ai, gjithashtu, udhëhoqi si tutor shkencor rreth 1500 shkëncëtarë të tjerë.

Në vitin 1993, mbas një punë shumë intensive laboratorike, Ferid Murati u bë themelues i Korporatës Geriatrike Molekulare, prej nga u rikthye sërish në vitin 1997 në Universitetin e Teksas-Huston. Në këtë universitet Ferid Murati themeloi qendrën e kërkimeve të kombinuara për farmakologji dhe biologji integrative. Kjo periudhë shënon kulmin shkencor të Ferid Muratit. Ky kulminacion u bë tronditës për mbarë botën shkencore, çka e shpërbleu  Ferid Muratin me Çmimin Nobel në vititn 1998. Kështu, mbas Nënë Terezës, i dyti shqiptar që hyn në panteonin e njerëzve më të ditur e të mëdhenj të njerëzimit është Ferid Muradi. Ferid Muradi është simbioza e vlerave të identitetit shqiptar në kuptimin më të mirë të fjalës. Ai, si Nënë tereza, ishte bamirës i madh dhe universal i pashoq. E mbi të gjitha tek Ferid Murati, sikundër në gjenezën e popullit shqiptar, qëndron multikonfesionaliteti, harmonia e brendshme fetare…

“…babai im ishte musliman-shkruan Ferid Murati- nëna ime ishte baptiste dhe ne u rritëm në nje komunitet katolik. Për rrjedhojë, vëllai im u bë katolik dhe u martua me katolike, ndërsa unë u pagëzova në kolegjin episkopal. Gruaja ime për më shumë se 40 vjet është presbiteriane, dy nga vajzat tona u maartuan me hebrej dhe njëra u martua me katolik” (Ibiden)

Nga këndvështrimi individual, njerëzor, Ferid Murati kishte edhe hobe të tjera, por pa ia determinuar asnjëherë pasionin e tij për dijet e shkencën. Të tilla hobe ishin artet e bukura, sidomos muzika, në të cilën ai shprehej duke kënduar deri edhe nepër opereta. Sporti gjithashtu mbeti hobi atraktiv për shkencëtarin e madh. Ndër sporte dashuronte futbollin dhe basketbollin. Me anë të artit muzikor zbuste shpirtin e tij shumë delikat. Me anë të sportit mbante gjallë fizikun për të punuar natë e ditë për shkencat në dobi të njerëzimit.

Ferid Murati është njëkohësisht edhe Shqiptar edhe Amerikan i madh. Feridi qëndron midis këtyre dy popujve, sikundër edhe vetë këto dy popuj qëndrojnë mrekullisht pranë njeri-tjetrit prej më se një shekulli. Për këtë arsye te Ferid Murati populli shqiptar e amerikan kanë të njëjtin burim krenarie, një urë miqësie e bashkëpunimi, një simbol të vlerave e kontributeve të përbashkëta për të mirën e mbarë njerëzimit. Rasti i Ferid Muratit dëshmon se individët e mëdhenj të origjinuar nga shumë kombësi, ndikojnë fuqishëm në krijimin dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet popujve e kombeve të ndryshme të botës. (L.Bashkurti, National and European Identity of Albanians, 2006, page 173)

Ja sepse, kam pritur dhe ende pres, si shumëkush në Shqipëri dhe në Amerikë, sikundër kudo në botë, që Nobelisti i gjallë shqiptaro-amerikan, Ferid Muradi të përjetësohet edhe në Atdheun e tij të vjetër, Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Emri dhe vepra e tij do ndrinin çdo shesh, çdo rrugë, çdo institucion, do lartësonin çdo akademi, institut shkencor e universitet, do impononin përulje në çdo bust, monument apo përkujitmore tjetër. Le ta çmojmë këtë njeri të papërsëritshëm të shkencave botërore krahas ikonave më të ndritura të Kombit Shqiptar në këtë jubile të Shtetit Shqiptar.