Fenomeni “dorëheqje” kërcënon administratën shtetërore

466
Sigal

Përballë Statusit të Nëpunësit Civil e reagimit të ndërkombëtarëve, bëhen presione për dorëheqje

E shumëpërfolura e muajit dhjetor dhe fillim vitit 2014, se janari do të jetë muaji i “korrje –shirjeve” në administratën shtetërore, ka filluar të marrë trajtën e fenomenit më negativ të shoqërisë shqiptare në vitet e demokracisë. Kudo dhe nga goja e çdo militanti socialist dëgjohej se premtimi për punësim do të jetë muaji janar 2014, premtim ky i ardhur nga deputetët e Majtë, por edhe si reagim i elektoratit të Majtë nga lodhja e madhe në opozitë dhe pritja e një punësimi në shtet, si mjeti i vetëm i kuptimit të të qenit anëtar partie. Dhe janari 2014 ka sjellë hapat e para të kositjes së livadhit të administratës shtetërore. Pikërisht, atëherë kur qeveria mendonte (kishte propaganduar) se kjo do të realizohej, hasi ‘sharra në gozhdë’. Kjo për shkak të Statusit të Nëpunësit Civil (rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese) e për shkak të reagimit të faktorit ndërkombëtar. Pas mbarimit të fazës së parë të reformës, ose transfuzionit të kuadrit drejtues, ka filluar faza e dytë, zëvendësimi i ekspertëve dhe specialistëve të administratës, ndonëse flitet se ky proces do të zhvillohet nëpërmjet konkursit. Po çfarë ndodh në të vërtetë? Çdo akt ligjor po shkelet në mënyrë të kamufluar. Në Sarandë dhjetëra nëpunës të administratës shtetërore bëjnë me dije për “Telegraf” se, janë thirrur nga drejtuesit e institucioneve dhe u është kërkuar dorëheqja nga detyra, si forma më “demokratike”, pasi po të bëjnë këtë veprim do të jenë në konsideratë të administratës së “gjeneratës së re”.  Po kështu ka ndodhur në të gjithë vendin. Përveç kësaj forme “fshese” administrative, ka dalë në tregun e marketingut të “vendit të punës” edhe paraqitja e një kontrate një mujore të qëndrimit në punë të nëpunësit që mund të ketë mbi 20 vite si specialistë. Pra kemi të bëjmë me një pastrim administrate që nuk bën bujë, e bota demokratike nuk na vëzhgon. Natyrisht, koalicioni i Majtë ka legjitimitetin e qeverisjes, por ndershmëria e konkurrimit për vendin e punës dhe ndjekja e kritereve të arsimimit, do t’i shtonte performancës së qeverisjes aktuale kolorin e një serioziteti në qeverisje dhe një përgjegjësie kombëtare karshi inteligjencës, dhe pse jo edhe dhënien fund të militantizmit në administratë, kjo si një fitore historike e saj.

“Përveç kësaj forme ‘fshese’, presion për dorëheqje, administrative, ka dalë në tregun e marketingut të ‘vendit të punës’ edhe paraqitja e një kontrate një mujore të qëndrimit në punë të nëpunësit që mund të ketë mbi 20 vite si specialistë. Pra kemi të bëjmë me një pastrim administrate që nuk bën bujë, e bota demokratike nuk na vëzhgon”