Femra, logjikë e hollë, siluetë e dukshme, stoli e bukur

1081
Sigal

INTERVISTA/ Flet gazetarja dhe moderatorja e emisionit të librit “EX-LIBRIS”, Deni Turhani

Ç’do të thotë në kushtet e një situate amullie në tregun e librit të drejtosh një emision për librin?

Do të thotë  të ndalësh hapat, frymën, mendjen dhe shpirtin. Kërkon të jesh një elektron i lirë në hapësirën e pafund, për t’i bashkuar të gjitha në një dhe…si dikur të gdhendesh në kopertinë, duart teksa shfletojnë dridhshëm faqet e librit … mendjen, e cila përpin personazhin, ndjenjën e brendshme, duke  e bërë unike me vetën e parë, përndjekjen e dëshirës dhe të pasionit sikur era të përkëdhel …..Ndal, dhe koka pas dikur… libri nuk të tradhton kurrë…

Rastësia ndodhi që unë të ulem në poltronin, ku përball me mua për më shumë se një vit kam përjetuar emocione të ndryshme nga njerëzit, të cilët janë zhveshur nga modestia. Një njeri i thjeshtë… një botë e madhe… Udhëtim në shkretëtirë … për të vaditur një copë tokë … dhe të dalë një sythë luleje.

Kënaqësia për të drejtuar një emision të tillë fillon çdo fundjavë dhe pason natyrshëm javën tjetër. Kur mendohet se një hap të ndan nga e vërteta e bukur apo e hidhur atëherë nuk të mbetet gjë tjetër veçse të inkurajosh tërësinë e botës për të vrarë sado pak me pambuk, nxitjen e kulturës së leximit, transmetimin nëpërmjet objektivit të transparencës shënjimin e vlerave përbërëse të kombit tonë.

 

 -Si ju lindi ideja për një emision kaq specifik për librin në një televizion?

 Duke qenë e sinqertë ishte një trung i formuar në televizionin , ku unë tashmë kontribuoj, pavarësisht dëshirës për ta rrëmbyer dhe për  ta bërë pjesë të shpirtit artistik “EX-LIBRIS” flet shumë, nuk është nevojshmëri për dublante. Të njohësh njerëz me vlera nëpërmjet psikologjisë të të shkruarit  do të thotë fat, shumë fat.

 -Dëshira për të qenë pjesë e medias vizive ka ardhur rastësisht apo ka qenë një ëndërr fëminore?

 Më pëlqen të jem realiste, asgjë nuk vjen rastësisht, është zëri i ndërgjegjes, ku të drejton në një rrugë, ku vetëm 10 metra larg me hap të shpejtë të bën të ndodhesh në udhëkryq. Vërtet e vogël kam qenë jo për nga mosha,  por për nga eksperienca.  Kur më mbuluan djersët sipër buzëve dhe mbi shpatulla më ra përgjegjësia për të qenë përballë vizionit optik të telekamerës, e plotësuar në profesion kujtoj me lot ato kohë, të cilat sot me kanë dhënë miq shumë të mirë, respekt kudo që jam present dhe pëshpëritje zërash teksa këmbët ecin, që kjo është Deni i emisionit të mëngjesit .

 -Cila ka qenë dita më e bukur në televizion?

 Të gjitha ditët nuk mund t’i ndaj, por përqendroj kujtesën… mund të them që një ndër ditët me të bukura ka qenë kur im bir vetëm 4 vjeç ka qenë në emisionin që unë drejtoja, ku ramë dakord për të mos treguar lidhjen nënë-bir… dhe forca e mëmësisë tregoi e mor bir … Dhe im bir, unë çfarë të kam ty…?!

 -Çfarë është politika për ju dhe cili ka qenë pozicioni ndaj politikës në përgjithësi?

 Politika është art dhe si tek gjitha artet tjera, sikurse artistët nuk kanë performanca të njëjta dhe për më tepër, vet arti si i tillë ka më shumë kultura e rryma të ndryshme. Politika paraqitet si  instrument për arritjen e qëllimeve programore, partiake e personale. Është sistem i ndërlikuar veprimesh ligjore e juridike për të gjetur modalitete e mekanizma më të përshtatshme që do i lehtësojnë jetën dhe do i përmirësojnë dhe avancojnë mirëqenien e qytetarit, i cili përmes votës së lirë zgjedh përfaqësuesit e tij – për t’i ngarkuar ata me përgjegjësi mbi proceset që duhet të bartin.

 Në këndvështrimin tuaj, cilat janë problemet më të mëdha të letërsisë shqiptare sot?

 Libri shqip është duke u ballafaquar me shumë probleme dhe sfida që e shoqërojnë librin në nivel ndërkombëtar, por edhe ato specifike shqiptare. Botuesit, shkrimtarët dhe mësuesit po ankohen se gjithnjë dhe më shumë brezi më i ri po lexon gjithnjë dhe më pak. Ky është një shqetësim i përbotshëm. Fëmijët, të rinjtë dhe studentët  gjenden në agresionin e internetit, transmetimeve dixhitale, faqeve sociale që u marrin të rinjve shumë ore të lira në ditë. Kjo botë e re dixhitale iu shtua një konkurrente tjetër tashmë tradicional të librit siç është konsideruar televizioni. Shumë qeveri dhe organizma ndërkombëtar sot janë duke ndërtuar platforma për të shpëtuar librin nga konkurrentet e rinj. Për këtë shkak  këshilli i Europës ka miratuar  një rezolutë “Për shpëtimin e librit nga informacioni i sipërfaqshëm”,  siç konsiderohet interneti dhe rrjetët e tij sociale. Vendi ynë sido që ka shënuar standarde të nivelit ndërkombëtar të botimeve të printuara, është duke u ballafaquar me shumë probleme specifike. Në Shqipëri nuk eksito një treg i konsoliduar i librit, nuk ka sistem shpërndarës të librit në çdo qytet të vendit dhe ajo që është akoma më e keqe mungojnë libraritë e përshtatshme, bibliotekat e lagjeve. Për shembull në qoftë se botimi, shtypja e librit është në nivel ndërkombëtar, tregtimi i librave ka mbetur në nivelin e kioskave të vogla, të stendave përdhese, poshtëruese për librin e një vendi. Kështu librat që botohen në Tiranë shkojnë shumë pak në Prishtinë, Tetovë, Ulqin apo Shkup e anasjelltas, sepse tregu është e parcelizuar, sepse nuk ka një kompani serioze që siguron një treg mbarëkombëtar të librit. Instancat vendimmarrëse kanë miratuar një ligj shumë të mirë për librin, ka hequr TVSH-në për librin, por në kufij shpesh ka pengesa, për tregtimin masiv të librit. Megjithatë shpresat janë që me mbështetjen e qeverisë në Tiranë dhe Prishtinë të vijnë politika më mbështetëse për tregtimin e librit.

 -Një përkufizim për dashurinë?

 Dashuria është dëshira që tërheq dhe bashkon qëniet jetike në dukje dhe të një ndihme reciproke të kompletuar. Natyra e saj është paradoksale. Në dashuri, në fakt, kërkohet gjithmonë i përngjashmi dhe i ndryshmi. Tjetri i ngjashëm dhe individi i ndryshëm nga ty duke përforcuar të njëjtin personalitetin. Në qoftë se ai tjetri nuk do më ngjaste, se nuk do të më pasqyronte në veten e tij dhe të njihte në mendimet e tij ndjenjat dhe reflekset e mia. Dashuria nuk mund të lindte, por nuk mund  të dashurohet gjithashtu nëse, do më ngjaste shumë, që mund të ishte thjesht , kopje, një ego monotone dhe ripërsëritëse e vetes.

 Jeni supersticioze?

 Absolutisht jo… nëse zoti të ka dhënë logjikën do të japë dhe forcën e përballimit të së bukurës dhe të shëmtuarës . Qenie luftarake .

 -Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

 Sikur të ishte rezervuar pak kohë më shumë për të marrë përparësen e kuzhinës. Në fakt marrëdhëniet i kam të mira pasi  nuk më mungon vullneti dhe dëshira, por faktori  kohë nuk më lejon këtë kënaqësi. Nuk mund të vë pikat mbi i për një kuzhinë të preferuar , pasi çdo gjë më pëlqen por,  duke përjashtuar kuzhinën meksikane dhe ngacmimin e stomakut  nga prezenca e pikanteve vërtet e urrej .  Shëndetshëm dhe kontrollueshëm më përndjekin kurdoherë.

 -Si e shikon djali i vogël nënën kur del në ekran?

 Gëzon faktin kur shpesh herë sipas rrethanave nënë –bir krahasojnë  ngjashmërinë midis ne të dyve. Ndihet i privilegjuar teksa i  falin vëmendje kudo që është prezent. I qeshin sytë …

 -Motoja  nga e cila udhëhiqeni në jetë?

 Një grua e hekurt në shpirt, një grua në kornizë në jetë.

 -Një ditë punë e zakonshme?

 Dielli lind me Denin dhe përfundon hëna e ulur këmbëkryq, po prapë me Denin  pak e personalizuar, por e drejtpërdrejtë në vetëgjykim.

 -Veshja e preferuar?

 Nëse pasqyra nuk krijon reflekse, atëherë është e pranueshme për një elegancë femërore .

 -Keni ndonjë peng në jetë?

 Ndihem e realizuar  kundrejt kërkesave që kam … nëse ecën me principe të shëndosha atëherë nuk të mbetet gjë tjetër që ta duash jetën.

 -Ç’është familja për ju?

 Është si vizatimi i parë për çdo fëmijë të pafajshëm, ku shtëpia ndriçon nëpërmjet rrezeve të diellit. Shtyllë kurrizore e padeformuar.

 -A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

 Varet, mendimi është personal,  duhet të dish të rrëmbesh vëmendjen për të treguar vlerat e më pas për të të vlerësuar mbi atë çka karakterizon qenien femërore .

  -Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Prezantimi i rritjes profesionale plotëson 90% të të menduarit momental si e bukur .

-Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale dhe ato komerciale?

 Kam shumë rrugë për të bërë për të kthyer kokën pas, këmbëngulje, vullnet, dëshirë  bëjnë trinomin e suksesit të jetës.

_________________________________________________________

CILAT JANË PROBLEMET MË PIKANTE TË FEMRËS SHQIPTARE SOT?

Eh, sikur t’i thoja të gjitha nuk do më mjaftonte njësi numerike për këtë faktor. Sot sikundër në vitet që po lëmë pas, koncepti femër po ndryshon jo vetëm në gen, por edhe në princip. Të të ndjerit dhe të qënurit e emancipuar dhe e pavarur nga rrethanat që të mbështjellin në çdo etapë të jetës, të bën të ndjesh një forcë  të mbinatyrshme për t’i thënë stop mosrespektimit, keqtrajtimit, mospozicionimit në postë drejtuese në jetën sociale. Femra, logjikë e hollë, siluetë e dukshme, stoli  e bukur.