Fehmi Tançi: “Garantoj vazhdimësi të ndryshimit, për të arritur standarde të reja të jetesës”

610
Sigal

Fehmi Tançi është kandidati për Kryetar i Bashkisë së Bulqizës, i propozuar nga PD-ja. Në intervistën për “Telegraf”, zoti Tançi, pasi jep një panoramë të transformimeve që janë bërë në Bulqizë, qoftë nga kryetarët e Bashkisë të PD-së që janë zgjedhur që nga 1996-ta e në vazhdimësi, por, mbi të gjitha, zoti Tançi, duke renditur edhe arsyet përse kërkon votëbesimin e qytetarëve, mes të cilëve është lindur, rritur dhe ka punuar bashkërisht me ata dhe për ata, jep edhe premtimin e vet. Që do të punojë, për të vazhduar ndryshimet që po bëhen në Bashkinë e Bulqizës, për të arritur standarde të reja cilësore të mirëqenies të jetesës së banorëve.

-Zoti Tançi, kandidatura juaj për Kryetar i Bashkisë së Bulqizës, ç’do të thotë për ju?

– Është një përgjegjësi e madhe përpara banorëve të Bulqizës për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës në këtë qytet. Unë jam një banor i qytetit Bulqizës, rrjedh nga një familje me tradita dhe me emër në të gjithë krahinën e Bulqizës. Kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet të minatorëve, ku mbarova shkollën e mesme me rezultate të larta, por  m’u mohua e drejta e studimit për arsye politike. Pas 5 vjetësh vazhdova shkollën e lartë të fakultetit të gjeologjisë, ku u gjenda në kohën e duhur për t’u bërë pjesë e lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, që solli shembjen e diktaturës dhe vendosjen e pluralizmit politik për Shqipërinë. Kandidimi im në garën për kryetar të Bashkisë Bulqizë nga PD-ja është vazhdim i rrugës së ndryshimit për të arritur standarde të reja të jetesës, të punës, të ambientit, që të ngjajmë me vendet e zhvilluara të Europës.

-Duke qenë se jeni protagonistë të ngjarjeve në Bulqizë, cila është gjendja e Bashkisë sot, me arritjet, por edhe problemet e saj?

– Në këto 8 vite qeverisja e PD-së ka bërë investime në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe të kushteve të jetesës në Bulqizës. Investimet kanë rritur bizneset e reja, kanë shtuar punësimin duke ngritur mirëqenien për banorët e kësaj zone.

– Mund të na përmendni disa arritje?

– Në Bulqizë gjatë qeverisjes së PD-së janë krijuar 36 biznese të reja me kapital vendas dhe të huaj, prej të cilave janë hapur 480 vende të reja pune. Vetëm në fushën e shfrytëzimit të mineralit të kromit janë të punësuar mbi 2000 punonjës, me pagë mesatare 50000 (të reja) lekë. Deri në vitin 2005, mbi 90 % e rrugëve kryesore të qytetit ishin me asfaltin e para viteve ’90. Në lagjen e re të qytetit, vetëm rruga hyrëse e saj ishte e asfaltuar. Të gjitha rrugët dytësoreve të qytetit ishin me çakëll. Pas vitit 2005, kur erdhi në pushtet PD-ja, në çdo vit janë investuar në këtë bashki mesatarisht 50 000 000 – 60 000 000 (të reja). Në këtë prag fushate, infrastruktura e kësaj bashkie është transformuar plotësisht. Në lagjen e vjetër, më shumë se 60 % e rrugëve dytësore janë asfaltuar plotësisht, ndërsa në lagjen e re janë asfaltuar mbi 80 % e rrugëve dytësore. Janë lidhur me asfalt gjithashtu lagjet Çupe – Gjoke, Allmete, Mashnorë, Theknorë të fshatit Vajkal. Në vitin 2011 është përfunduar një pjesë e segmentit të Rrugës së Arbrit, e cila përshkon fushën që ndan dy lagjet e qytetit Bulqizë, duke shërbyer për këto dy lagje si një mega unazë dhe duke zgjidhur një problem të madh të unazës ekzistuese të qytetit, e cila për shkak të shkarjeve gjeologjike ishte bërë e pakalueshme në të gjitha rastet e reshjeve të shiut. Është rikonstruktuar spitali i qytetit, poliklinika qendrore, janë ndërtuar qendra të kujdesit shëndetësor të lagjeve të qytetit dhe të fshatit Vajkal. Është në rikonstruksion e sipër shkolla e mesme, e cila është drejt përfundimit të punimeve. Është rikonstruktuar vepra e marrjes së ujësjellësit të qytetit. Është ndërtuar ujësjellës i ri për lagjen “Duriçe – Allmete” dhe lagjen “Alie” të fshatit Vajkal. Në krahasim me qytetet e tjera, papunësia në bashkinë Bulqizë është në shkallën më të ulët, krahasuar me të gjitha qytetet e tjera. Kjo për shkak të punësimit të banorëve të qytetit dhe zonave përreth kryesisht në aktivitetin e shfrytëzimit minerar.  Fondi i ndihmës ekonomike në krahasim me vitin 2005 është trefishuar, edhe pse numri i të papunëve është pakësuar. Politika e qeverisë për internet në çdo shkollë ka gjetur zbatim në tre shkollat e qytetit Bulqizë. Përveç punëve të kryera më sipër, janë në vazhdim për financim rruga e Vramit, nga lagjja “Mashnor” në rrugën nacionale – Pishat të fshatit Vajkal. Të gjitha investimet e kryera dhe ato, të cilat janë në proces, kanë sjellë përmirësime të ndjeshme në të gjitha fushat e jetës së qytetit. Kjo reflektohet dukshëm në aktivitetet e jetës së përditshme të banorëve dhe në përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies së banorëve në këtë zonë. Ka projekte rrugësh të tjera të gatshme për financim. Është hartuar projekti për rikonstruksionin e shkollës 9- vjeçare “Xhevdet Doda”, lagjja “Minatori” dhe do të ndiqet me prioritet sigurimi i fondeve për realizimin e tij. Por ne jemi realistë. Mbetet ende shumë për të bërë. Ne i njohim problemet ekzistuese dhe do të punojmë fort për të përmirësuar dhe eliminuar shumicën e tyre. Në Bashkinë Bulqizë ka akoma punë për të bërë. Aktualisht problem më i madh është furnizimi me ujë 24 orë në familjet e banorëve të Bashkisë Bulqizë, për shkak të ndërhyrjeve në rrjetin shpërndarës. Duhet ndërhyrë në devijimin e ujërave të bardha, kryesisht në lagjen Gjeologu. Duhet ndërhyrë me asfaltim në rrugët dytësore të lagjes Gjeologu, në pjesën jugore të saj ( shtëpitë përdhese ), për të cilat të gjitha projektet e tyre janë të gatshme për t’u financuar. Kemi sfida të rëndësishme në rrugëtimin tonë përpara. Dhe Partia Demokratike do të vazhdojë punën e saj me përkushtim dhe energji, për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe me më shumë mirëqenie për Bulqizën. Së bashku, Përpara!

– Shumë herë problemet sociale në Bulqizë janë bërë protagonistë, për të keq. Mund të na përshkruani disa nga këto probleme, shkaqet dhe si mund të zgjidhen?

– Problemet sociale në Bashkinë Bulqizë përgjithësisht janë të njëjta me ato kombëtare. Besoj se pyetja juaj ka të bëjë me disa raste, të cilat janë bërë shpesh objekt i mediave vizive, lokale dhe kombëtare. Kemi të bëjmë me raste të shkëputura të grumbullimit dhe shfrytëzimit të mineralit të kromit. Rritja e çmimit të mineralit të kromit në tregun ndërkombëtar ka joshur dhe nxitur në disa raste përfitimin në mënyrë të paligjshme nga ky shfrytëzim. Ne do të rrisim bashkëpunimin me të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit. Do të jetë prioritet i punës tonë trajtimi dhe zgjidhja e problemeve sociale të komunitetit.

– Faleminderit!