Fatos Tushe: Lushnjën do ta bëjmë më të bukur

631
Drejtimi rezultativ i pushtetit vendor në katër vitet që mbyllëm, kordinimi i suksesshëm i tërë faktorëve që gjeneruan progres e çuan në konsolidimin e arritjeve dhe menaxhimi sa më i mirë i të ardhurave, ndërtimi i marrdhënieve reciproke e transparente me zgjedhësit, investimet më prioritare, duke marrë parasysh edhe mendimin e qytetarëvenë zbatimin e projekteve si dhe zgjidhja në kohë e shqetësimeve të tyre, kanë qënë arsyet që kreu aktual i bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, të ishte përsëri kandidati kryesor i propozuar nga e majta për të rikandiduar për një katërvjeçar tjetër në krye të kësaj bashkie. Në intervistën për “Telegraf”, Fatos Tushe tregon disa nga përparësitë e zhvillimit më tej të qytetit me rizgjedhjen e tij si kryetar.

– Zoti Tushe, si e pritët ju aprovimin për rikandidim për kreun e bashkisë?
– Rikandidimi im për kreun e Bashkisë së re Lushnjë është shprehje e besimit të strukturave të PS dhe ASHE, bazuar në rezultatet e punës sime të katër vjetëve të kaluara. Natyrisht është përgjegjësi politike, të cilën e pranova me besim të plotë se nën drejtimin e së Majtës, qyteti ynë do të zhvillohet e do të përparojë. Kemi shumë projekte ambicioze, një bum investimesh, në këtë katërvjeçar. 

– Cila është arsyeja që ju e kërkoni edhe një herë drejtimin e pushtetit vendor?
– Sepse kam punuar me gjithë shpirt për zhvillimin e qyteti tim dhe kam besim në votën e qytetarëve. E ndiej përgjegjësinë e detyrës që për mua është njëkohësisht edhe sfidë. Unë për këto katër vjet drejtova një qytet me “mandat jo të plotë”, sepse gjatë 2 viteve të para transferta e qeverisë për pushtetin vendor vinte gjithmonë, duke u ulur dhe për ne ishte e vështirë të mbulonim shërbimet për të cilat ishim votuar. Nga grandet konkuruese nuk përzgjidhej asnjë projekt që ne paraqisnim në ministrinë e linjës, prandaj unë mendoj se na duhet një mandat i dytë për të realizuar projektin e zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit të Lushnjës në të gjithë dimensionet tij.
– Në ç’raport janë investimet e bëra nga qendra (e të dy kaheve) me ato të bashkisë?
– Pa dyshim nuk kanë të krahasuar fondet e qeverisë socialiste me ato të qeverisë së mëparshme. Nga qeveria e mëparshme ne përfituam vetëm 10 milionë lekë (rikonstruksionin e shkollës Azem Quka- Savër). Sot fondet e tenderuara të qeverisë qendrore jane 5.5 milionë dollarë e së shpejti fillon edhe një investim tjetër në lagjen “18 Tetori”, në vlerën 92 milionë lekë. Edhe me fondet e bashkisë ne kemi mundur të investojmë për katër vite 2 milion dollarë. Të gjitha rikonstruksionet e shesheve, trotuareve, qendrave të shlodhjes në lagje dhe disa nga rrugët kryesore janë kryer me fondet e bashkisë.

– Sheshi i qytetit është pika kryesore e një investimi madhor.A ka pasur mendime ndryshe?
– Historikisht, sheshi i qytetit tonë është bërë legjendë, sepse sa herë ndërroheshin pushtetet, ndërroheshin edhe tullat e sheshit (!) U bë puna hiq tulla e vër tulla. Nga kjo përvojë e hidhur, (me të drejtë) kishte edhe skeptikë që mendonin se mos do të ndodhte edhe tani si më parë. Madje dëgjohej të thuhej “më mirë të ishte bërë një urë diku, se sa të ndërhyhej te sheshi”. Por skepticizmi i fillimit u përmbys e tani që sheshi u ndërtua me themel (e nuk vë dot njeri dorë më për disa dekada), do të thotë se kemi bërë mirë që zbatuam këtë projekt me gjithë elementët dhe mozaikun e vet të bukur e funksional, gjithçka për shlodhjen dhe argëtimin e qytetarëve. Çdo shtëpi e ka një dhomë pritje për miqtë. Në këtë kuptim, sheshi i qytetit është “dhoma e pritjes “ e gjithë qytetarëve në radhë të parë, e miqve të tyre, por edhe e turistëve. Rikonstruksioni ishte rrënjësor dhe i parametrave cilësor me afat të gjatë sigurie (kanalizime, ndriçim, gjelbërim, vende për shlodhje). Ne nuk jemi mësuar me transformime rrënjësore në ndërtesa dhe në infrastrukturë. Shikoni tani sa bukur është pamja aktuale e sheshit dhe godinat përreth… tërë qyteti ka marrë frymëmarrje tjetër. Rivitalizimi i gjithë qendrës së qytetit është një investim madhor në prag të përfundimit, falë investimit të qeverisë.
– A ka investuar bashkia për shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta? 
– Në maj 2011 ne gjetëm pak sipërfaqe të gjelbërta dhe pemë të degraduara ndaj prioriteti ynë ishte rikualifikimi i këtyre sipërfaqeve dhe zëvendësimi i drurëve dekorativ. Ne kemi investuar duke shtuar me 6900 m2 sipërfaqen e gjelbërimit. Janë mbjellë 700 drurë dekorativ dhe 550 shkurre dekorative. Rritjen e sipërfaqes së gjelbërimit për frymë do ta kemi sërish prioritet, sepse ato janë mushkëritë e qytetit.
– Cila është politika juaj në mbështetje të komunitetit rom? 
– Kemi treguar një përkujdesje maksimale për komunitetin rom. Në kuadrin e dekadës së romëve, të përfshirjes dhe të integrimit të tyre në shoqëri, si dhe në kuadër të zbatimit të veprimit të komunitetit rom, me fondet e ministrisë së Zhvillimit Urban, kemi investuar 30 milionë lekë në lagjen Savër dhe 13 milion në lagjen “Loni Dhamo”. Gjithçka për përmirësimin e kushteve të vendbanimit dhe të mënyrës së jetesës të komunitetit rom dhe egjiptian.
– A mendoni se do të ketë rrjedhje votash për shkak të tentativës së bërjes së shtetit…nga ndërhyrjet e INUK, apo detyrimet për pagesat e energjisë?
– Unë çdo ditë po takohem me qytetarët në gjithë hapësirën e bashkisë së re dhe kam marrë mendimet e banorëve, të cilët mbështesin veprimet e ndërmarra dhe bashkohen me faktin e dëshirën se shteti duhet të bëhet shtet dhe para ligjit njerëzit të jenë pa dallim të barabartë. Qytetarët vlerësojnë zbatimin e ligjit. Kjo tregon se jo vetëm nuk do të ketë rrjedhje votash, por shtim të tyre. Qytetarët janë ndërgjegjësuar tashmë dhe presin forcimin, bërjen e konsolidimin e shtetit.
– A do të ketë rritje të nivelit të përfaqësimit të këshilltarëve të spektrit që përfaqësoni?
– Pa dyshim. Strukturat e PS kanë propozuar e përzgjedhur për këshilltarë individë të arsimuar, me integritet, kulturë e ideatorë pa lënë mënjanë edhe të tillë nga shoqëria civile, për të patur përfaqësi të grupeve të interesit në bashkinë e re. Vendosja e kuotës 50% të pjesëmarrjes së gruas është një tregues i ri që do të reflektojë në konfigurimin e këshillit të ri me më shumë gra se asnjëherë tjetër, ashtu si edhe ulje të moshës mesatare me pjesëmarrje nga rinia. 
– Cila do të jetë gjeografia e re e bashkisë pas 21 qershorit?
– Reforma e re administrative për bashkinë e re përfshin: qytetin e Lushnjes, plus 10 komunat: Dushk, Golem, Ballagat, Hysgjokaj, Karbunarë, Fier-Shegan, Allkaj, Krutje, Bubullimë e Kolonjë ( njësi administrative). Bashkia e re do të ketë dyfishin e sipërfaqes aktuale dhe 130 mijë banorë.
– Opozita anatemon mazhorancën se “do të përdoren oferta korruptive” për të tërhequr me vete të lëkundurit. Cili është komenti juaj?
– U kërkoj bashkëqytetarëve të mi mbështetjen e projektit për të ndryshuar e zbukuruar Lushnjën tonë. Kam kurajon qytetare të flas për arritjet e mia këto 4 vjet, por edhe për sfidat e reja që na presin për ta vënë bashkinë e re në rrugën e zhvillimit të qendrueshëm. Ofertat korruptive janë krejt abuzime me lirinë e fjalës dhe jashtë natyrës sime si qytetar e drejtues gjë që e kanë provuar qytetarët. 
– Ku do të fokusohen investimet tuaja në këtë legjislaturë?
– Unë sapo kam bërë prezent para bashkëqytetarëve të mi programin e zhvillimit të bashkisë së re për 4 vitet e ardhshme. Zhvillimi i qendrueshëm i bashkise së re të Lushnjës do të mbështetet me investime urbane, investime në infrastrukturë, si dhe mbështetje konkrete, projekte për bujqësinë dhe blegtorinë, në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore.
– Cili është vizioni juaj për sportin?
– Qytetarët e Lushnjës janë sportdashës dhe e adhurojnë ekipin e tyre të futbollit. Prioritet do t’i japim masivizimit të sportit për të gjitha grupmoshat, sepse sporti është edhe kulturë. Do të rehabilitojmë palestra dhe terrene sportive dhe do t’i vemë këto në shërbim të komunitetit. 
– Ku bazohet garancia juaj se do të kemi zgjedhje të qeta?
– Qeveria dhe të gjitha strukturat e rrethit që merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë marrë masa që zgjedhjet e 21 qershorit të jenë të qeta. Qytetarët lushnjarë këto zgjedhje duhet t’i konsiderojnë si zgjedhje midis vizioneve për ndryshimin e qytetit dhe jo si përplasje individësh. Lushnja gjithmonë ka kryer zgjedhje të qeta dhe ka treguar kulturë qytetare.
– Mesazhi juaj për qytetarët… për pjesëmarrjen në votime cili është?
– I ftoj të gjithë qytetarët të marrin pjesë ne votime. Asnjë hezitim për të kontribuar për progres, për përparim, për ndryshim. Programi që unë po të vazhdoj të shpalos në çdo pjesë të bashkisë i fton ata të ushtrojnë me vullnet të plotë e koshient të drejtën e votës, të votojnë drejtimin e duhur, preferencën, për begatinë e tyre, për begatinë e Lushnjës. 
Sigal