Fatos Nano rifillon sulmin kundër Ramës

538
Sigal

Thyej armëpushimin me PS dhe do të bëj fushatën e Arben Malajt

Ish -Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano komentoi për herë të parë listat e kësaj force politike për zgjedhjet e 23 Qershorit. Reagimi erdhi gjatë një interviste televizive ku tha:“Kam pritur me shumë maturi që PS të bëjë detyrën opozitare me të gjithë seriozitetin e duhur. Nuk kam ndërhyrë në fushatë, jo thjesht për të mos dhënë ndonjë shembull tjetër të karakterit Islami, por sepse jam i bindur se siç e kam thënë, vendi ka nevojë për rotacion dhe se rotacioni nuk mjafton. Duhet një ndryshim i madh në axhendën politike të Shqipërisë dhe angazhimin e përfaqësuese. Por ka diçka që nuk duhet të digjet. Largimi me dhunë i profesionistëve dhe politikanëve jashtëzakonisht përfaqësues si zoti Malaj është fenomen i djegies. Këtu ndërpres çdo armëpushim me partinë dhe familjen socialiste, të cilës i përkas. Natyrisht, zoti Malaj është më socialist se unë. Ne jemi më socialist se Koço Kokëdhima dhe Edvin Rama. Për pasojë rikonfirmoj se i pavarur apo jo, unë do të jem në krye të fushatës së zotit Malaj, për të mbrojtur me gjithë zjarrminë e zemrës vlerat e opozitarizmit që mund ta çojnë Shqipërinë në Europë”, deklaroi Nano. Nuk mund të bëj më asnjë llogari shifrash – theksoi ai – pasi këto duhet t’i kishte bërë kuzhina e Kokëdhimës dhe Ramës. Ajo që do të ndodh është krijimi i një lëvizjeje të fuqishme që të balancojë konfliktin absurd që po krijojnë palët me njëra-tjetrën dhe sidomos Rama me përfaqësuesit socialist”, theksoi Nano. Nga ana e tij, Rama duke bërë aludime me Nanon, u shpreh se: “Nuk është hera e parë, besoj se është e fundit se me emrin e Partisë Socialiste të vërtetë, siç thuhet, të mund të luhet”. Deri në limitet e afatit kanë punuar selitë e partive për listat e kandidatëve për deputetë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2013. Edhe pse orët e ditës se djeshme kanë qenë të gjitha momente pritjeje, partitë zyrtarizuan në mbrëmje vonë emrat e kandidatëve për deputetë. Dy krerët e partive më të mëdha, Berisha dhe Rama në daljet e tyre për mediat, i vlerësuan listat, si lista të fitores më 23 Qershor. Ajo që ra në sy është fakti se Berisha në lista ka përfshirë dhe emrat e aleateve, ndërsa Rama jo.

Malaj: Do kandidoj i vetëm!

“Më përjashtoi Edi Rama! Ishte çmimi që pagova për qëndrimin tim”. Kështu u shpreh mbrëmë, deputeti Arben Malaj, “Tronditet” sërish PS. Arben Malaj largohet nga lista e PS-së, për të kandiduar si deputet i pavarur në zgjedhjet e 23 Qershorit.  Lajmi bëhet i ditur nga vetë deputeti i PS-së, Arben Malaj, i cili deklaroi se, do garojë si i pavarur në Qarkun e Vlorës. Malaj, ishte një nga kandidatët për kryetar i PS-së, pas zgjedhjeve të 2009-s,  por që humbi në duelin me Edi Ramën. Asnjëherë marrëdhëniet Rama-Malaj nuk kanë qenë të normalizuara, madje, shpeshherë Malaj nuk i kishte kursyer kritikat ndaj qëndrimeve politike të Edi Ramës. Kështu Malaj, e kritikoi Ramën, për politikën e mosparaqitjes të një kandidati për President, madje, u shpreh publikisht për kandidaturën e Nanos, por edhe më vonë, Malaj ishte që PS-ja të votonte 3 ligjet, të cilat ende nuk janë votuar. Ndoshta, Rama e shtyu Malaj  të ndërmerrte këtë hap, domethënë largimin nga PS-ja, për ta shmangur edhe nga ndonjë kandidim i mundshëm për Kryetar i PS-së, nëse PS-ja i humbet këto zgjedhje.