Fatos Nano në “Bugajski Hour”:“Nuk do të kthehem më në politikë!”

521
Sigal

J.Bugajski:  A do të ktheheni aktivisht në politikë? Cilat janë planet tuaja? Cilat janë aspiratat tuaja politike të paplotësuara?

F.Nano: Unë kam preferuar dhe kam nxitur shpeshherë e vazhdimisht krijimin e një standardi dhe të një tradite edhe në këtë demokraci të brishtë: Hapje ndaj kundërshtarëve dhe ndaj opozitës, nisma gjithëpërfshirëse që mund të ofrojnë zgjidhje më të gjera e të qëndrueshme nga zgjidhjet e pjesshme militante. Dhe, pa dyshim, është e një rëndësie jetike, që opozitës t’i jepet kontrolli mbi disa institucione të rëndësishme të shtetit, si p.sh. Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo mbi Komisionet Parlamentare që bëjnë të mundur që Qeveria të ketë një llogaridhënie më të madhe dhe të jetë më transparente në veprimet e saj. Sipas kësaj filozofie, mua më duhet të jap një përgjigje që fillon duke shmangur atë që nuk do të ndodhë. Unë nuk do të kthehem më prapa në politikën partiake.

J.Bugajski:Pra, sa i përket zgjedhjeve që po afrohen, ju nuk do të jeni aktivisht i përfshirë në fushatë?

F.Nano: Sa i përket pjesëmarrjes në garë, jo! Po ajo që do të kërkoja të ndaja me publikun, ndryshim faktikisht nuk do të thotë thjesht rotacion i pushtetit. Ndryshim do të thotë, sipas të gjitha gjasave, një ndryshim dramatik dhe thelbësor në axhendën politike të klasës politike. Një zhvendosje, pra, nga debatet mendjengushta, madje dhe mikroborgjeze, provinciale e lokaliste, më tepër ballkanike se sa euro-atlantike, drejt realitetit global të ideve, vlerave të kohës dhe konkurrueshmërisë me to.  Pra, unë do të përkrah, edhe pse nuk bëj fushatë personale , ato programe, iniciativa dhe udhëheqës që kanë kuptuar, dhe janë angazhuar, për të bërë të mundur që ky ndryshim thelbësor të ndodhë!

J.Bugajski: Sa i rëndësishëm është rotacioni?

F.Nano: Pra, votuesit e rinj, sidomos votuesit e rinj, kanë nevojë për liderë të rinj.

J.Bugajski: Dhe si mund të garantojë Shqipëria që zgjedhjet të jenë, pikë së pari, të lira dhe legjitime, por gjithashtu, edhe të pranuara nga shumica e popullatës?

F.Nano: Pra, ne jo thjesht duhet të garantojmë zgjedhje të lira dhe të drejta për Shqipërinë, që ende po pret të angazhohet në marrëdhënie kontraktore për anëtarësim të plotë në BE, por ne duhet ta mundësojmë këtë zhvillim thelbësor, sepse tani është koha më e volitshme që ne të mobilizojmë potencialet tona kombëtare, politike apo civile, burimet tona ekonomike dhe kapacitetet tona njerëzore.

J.Bugajski: Çfarë do të bënit ju ndryshe nëse do të shërbenit sërish si kryeministër?

F.Nano: Ajo ku unë dua që të fokusohem si prioritet madhor është sendërtimi, të një Kushtetute ekonomike të vendit. Dhe ne gjithashtu duhet të finalizojmë dhe përfundojmë reformat që ende mungojnë, të cilat do të modernizonin gjithë shoqërinë.  Për shembull, ne mund të orvatemi të ftojmë klasën politike, për të sendërtuar edhe një kornizë kushtetuese dhe institucionale që do ta garantonte dhe mbronte vënien e saj në jetë nga rotacionet politike.

J.Bugajski: Ku qëndron sot socializmi europian?

F.Nano: Socializmi vdiq shekullin e kaluar. Ne kemi ende nevojë të kuptojmë më mirë dhe të angazhohemi në diskutime serioze në lidhje me modelin kinez, dhe sipas dimensioneve të tij, lidhur me avantazhet dhe disavantazhet e asaj që Kina po i tregon pjesës tjetër të botës. Fatmirësisht nuk ka model më të mirë se sa tregu më i madh në botë, cili është i juaji, sistemi dhe realiteti konfederal i Shteteve të Bashkuara. Pra unë besoj se një nga mesazhet më të rëndësishme, që gjithashtu mund t’u shërbejë Shqipërisë dhe shqiptarëve që të rriten, është thënia klasike aksiomë: Ne të gjithë duhet të mendojmë globalisht, dhe të veprojmë lokalisht! Të veprosh lokalisht ndërkohë që mendon globalisht, në Shqipëri do të thotë se, me gjasë, ne do të na duhet gjithashtu të iniciojmë një përmirësim final të kornizës sonë kushtetuese, për të bërë të mundur që situata ende kritike dhe konfliktuale e kontrollimit dhe balancimit të pushteteve të kapërcehet një herë e mirë nëpërmjet krijimit të një senati.  Filozofia ime është e bazuar në sa vijon: Demokracive të reja, përfshirë këtu dhe faktorët shqiptarë, nuk u lejohet që të shpikin formula joeuroatlantike. Pra, iniciativat “novatore”, që lindin për shkak të krizës apo të dështimeve politike, për shkak të konflikteve apo sfidave lokale, siç janë zgjedhjet, do të bënin që aktorët lokalë që ju keni identifikuar dhe përkrahur si partnerë në rajon dhe në Shqipëri, të bënin hapa mbrapa, të devijonin drejt nacionalizmit.

J.Bugajski: Po lidhur me zgjedhjet presidenciale, si thoni, duhet të jenë zgjedhje direkte apo…

F.Nano: Në këtë optikë, po! Përgjigja ime është përfundimisht po! Për shkak se ne kemi nevojë për institucione më autoritative, të cilat duhet të kenë po ashtu një mbrojtje kushtetuese, për t’u larguar nga konfliktualiteti tradicional partiak, i cili periodikisht e shpie Shqipërinë drejt ngërçeve. J.Bugajski: A do ketë Shqipëria një sistem shumëpartiak, apo ka filluar ta bëjë diçka të tillë?

F.Nano: Ajo që na nevojitet, gjëja më jetësore dhe prioritare që duhet të mbështesim si thelbësore për vendin është një ndryshim i vërtetë, një zhvendosje rrënjësore nga filozofia aktuale e ballafaqimeve politike, që bazohen në ide bizantine, apo të ballkanizuara…

 J.Bugajski: Dua të di këndvështrimin tuaj për gjendjen aktuale të politikës së jashtme shqiptare.

F.Nano:. Kuptohet se tonet nacionaliste që janë rishfaqur në shtetet e ndryshme ku banojnë shqiptarët janë pasoja të krizës, ose të paaftësisë së elitave politike që kontrollojnë qeveritë për të trajtuar çështjet më të rëndësishme si integrimi dhe konkurrueshmëria me realitetin global.

J.Bugajski: Cili është këndvështrimi juaj  për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?

F.Nano: Zgjidhja përfundimtare që do i vinte kapak kërcënimeve të nacionalizmit edhe në këtë rajon kritik të botës, do ishte një model global më i harmonizuar dhe më i pajtueshëm mes shtetit federal dhe autoriteteve kombëtare.

J.Bugajski: E keni fjalën brenda BE-së?

 F.Nano: Po.