Fatos Lubonja: Më morën me një “Gaz” dhe me arrestuan

568
Analisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja është sot në sutdion e emisionit “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24 për të treguar një pjesë të librit të tij të jetës, atë më dramatiken. 
Nisur nga akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare, ai ka folur sot për të vërtetën e tij duke nisur nga arrestimi në moshën 23-vjeçare, kur ishte prind i dy vajzave të vogla dhe jetonte në Lezhë.
Kur jeni arrestuar, ma përshkruani?
Jam arrestuar të nesërmen e kësaj letre. Më 24 korrik të 1974 është gjetur letra dhe unë jam arrestuar më 25 korrik. Ishte në praktikat e Ministrisë së Brendshme që në rastet më të veçanta të informonte partinë lart. Në këtë rast është kjo letër dërguar Hysni Kaps, si rezultat i gjetjes së shkrimeve e armëve në shtëpinë e xhaxhait.
Sa vjeç ishit?
Unë isha 23 vjeç. Isha në shtëpinë e babait në Lezhë. Erdhën më trokitën në derë. Kisha dy vajza, njërën 1 muajshe. Erdhën më kërkuan. Dëgjova një psherëtimë nga ish-gruaja. Kishim një parandjenjë që do ndodhte. Dolën dhe më morën me një gaz. Kur arrita në drejtorinë e punëve të brendshme në Tiranë, nuk më thanë je arrestuar, nuk më dhanë ndonjë shpjegim deri sa përfundova në zyrën e nëndrejtorit të policisë Koço Josifi, hetuesi.
Nuk më dhanë dorën. Më thanë të kemi marrë t’ju pyesim se cilat janë pikëpamjet tuaja politike. Iu thashë po më bie si bombë kjo pyetje. Nuk ishte koha që ti dilje dhe thoshe pikëpamjet e tua. Si bombë të të bjerë tha ai. Unë në ndjenjën e instinktit, thashë si të gjithë shokët e mi. Por ata kishin gjetur shkrimet, materialet, letrën e Kadriut që flitej për Hysniun. Ata i kishin marrë tashmë dhe kur mua më pyetën ata e dinin se cilat ishin pikëpamjet e mia. Më çuan në birucat e Tiranës.
Fatos Lubonja ka treguar tek “Të Paekspozuarit” se si iu kapën shënimet e tij personale të cilat e çuan drejt burgut disa vjeçar. Ai tregon momentet kur është shoqëruar në hetuesi, ku ka kuptuar se ata që po e merrnin në pyetje, kishin në dorë shkrimet e tij. Lubonja tregon se këto materiale, ishin gjetur në shtëpinë e tyre të vjetër, një banesë me qerpiç.
“Materialet ishin gjetur në shtëpinë tonë të vjetër, shtëpi me qerpiç. Ata kur më pyetën mua i dinin pikëpamjet e mia, se i kishin lexuar atje. Gjetën edhe armë, ishin të babait. Ishin pa leje. Në atë moment ata filluan të lexonit shkrimet e mia, dhe po më pyesnin pse i ke shkuar, kur i ke shkruar, dhe pastaj më çuan direkt në birucë. Pas arrestimit, filloi hetuesia që zgjati 7 muaj. Kam qëndruar në birucë” tregon ai.
A jeni torturuar?
“Çështja e torturës është shumë komplekse. Tortura e parë është izolimi total. Presioni psikologjik i një shteti që tani është mbi ty, dhe kërkon të të lëshojë gjithë peshën e vet. Kjo është një torturë që vjen e bashkëngjitet me atë që ti di, atë që ti kë dëgjuar më shumë. Ti di që po u fute në këtë terr nuk dihet a del gjallë apo jo. Je në duar të këtyre njerëzve. Qëndrova 7 muaj në birucë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ishte arrestuar edhe xhaxhai”, rrëfen Lubonja.
Më lart faksimile e fotos së sigurimit të shtetit:
Fotografia nr. 1 – Tregon murin mbi tavanin e banesës së Llazar Lubonjës, ku brenda ishin fshehur dokumentet e të pandehurit Todi Lubonjës.
Fotografia nr. 2 – Tregon murin e hapur, ku brenda shihet një qese najloni “plasma-s” i bardhë.
Fotografia nr. 3 – Tregon qese plasmasi me dokumenta të të pandehurit Todi Lobonjës.
Eksperti kriminalistik Kapelon Koka.
Sigal