Fatos Lubonja: Lu dhe Vlahutin, i janë bashkuar tufës së “peshkaqenëve” më të egër të vendit

466
“Bankers” po bën krim të rëndë ndaj popullsisë në Zharrëz dhe heshtet, Vlahutin blen vilë 1.6 milionë euro dhe nuk hetohet
Ambasadori u heq vizën ca gjyqtarëve e prokurorëve dhe nuk ua heq peshkaqenëve më të egër të ujërave tona, me kryepeshkaqenin në krye që jo vetëm shkel përditë ligjet shqiptare, por ka shkelur edhe ligjet amerikane me ato 80 000 dollarët që ka paguar për të marrë një foto me Obamën
Ambasadori Lu në një nga shfaqjet e tij të fundit në publik ngriti pyetjen: “Si mund të çojë Shqipëria para drejtësisë peshqit e mëdhenj, nëse nuk arreston dot Balilin? E si mund të pranohet kështu Shqipëria në komunitetin evropian…? S’ka shqiptar që nuk e di, se Balili nuk arrestohet nga policia apo nuk ndiqet nga prokuroria, jo pse “peshqit” e vegjël të policisë nuk duan, por nuk munden, ngaqë ai është peshk më i madh se ata. Pra, jemi tek aplikimi i shprehjes së urtë popullore “peshku i madh e ha të voglin”, që nënkupton se peshku i vogël duhet të vrapojë të shpëtojë nga peshkaqenët, që të mos e hanë. Dhe për të vërtetuar, se në Shqipëri kjo është loja që luhet, na vjen në ndihmë edhe vetë Ambasadori. Shikoni çfarë ndodh: ndërkohë që, siç thashë, çdo shqiptar e di se gjyqtarët dhe prokurorët janë peshq më të vegjël, sesa politikanët dhe banditët rreth tyre Ambasadori u heq vizën ca gjyqtarëve e prokurorëve dhe nuk ua heq peshkaqenëve më të egër të ujërave tona, me kryepeshkaqenin në krye që, jo vetëm shkel përditë ligjet shqiptare, por ka shkelur edhe ligjet amerikane me ato 80 000 dollarët që ka paguar për të marrë një foto me Obamën. Mund ta merrnim këtë, si një naivitet, por ja që na del edhe fakti i ndërhyrjes së Ambasadorit për “Bankers Petrolium”, që flet për një sjellje puro prej “peshkaqeni”. Nuk ka shqiptar që nuk e di, se “Bankers” po bën krim ndaj popullsisë në atë zonë dhe ndaj gjithë territorit të vogël shqiptar. Është e drejtë, që ne të akuzojmë Prokurorin e Përgjithshëm që nuk e ka hetuar, por e ka mbyllur çështjen me ndërhyrjen e Ambasadorit (sipas kryeprokurorit). Është e mundur, që ndonjë prokuror t’i ketë kërkuar Bankers”-it ryshfet dhe ndonjë administrator të jetë ankuar tek Ambasadori. Por krimi i Bankers-it është aty megjithatë, ulërin siç ulërinte për të edhe Rama kur ishte në opozitë. Prandaj Ambasadori nuk ka alibi për sjelljen e tij, si një peshkaqen me peshkun, në këtë rast dhe jo si një njeri që po kërkon me të madhe të vihet drejtësia në këtë vendin tonë të masakruar nga peshkaqenët? Përgjigjja e Ambasadorit deri më tani është, se me ndihmën e tij dhe të Vlahutin në Shqipëri do përgatitet një grup i specializuar peshkatarësh që nuk do të lënë peshk e peshkaqen pa kapur në ujërat tona. Por më duket, se me këto sjelljet e heqjes së vizave në mënyrë kaq selektive dhe arrogante (që do, s’do ambasadori fyen çdokënd që ka një sens drejtësie dhe që na kujton madje edhe arrogancën e Trumpit në pezullimin e vizave për myslimanët e shtatë shteteve), me mbrojtjen e interesave të “Bankers Petrolium” kundër shtetasve të varfër shqiptarë apo dhe me Vlahutin që shkon e ble 1.6 milionë euro vilën në folenë e peshkaqenëve, ata po japin mesazhe të kundërta për peshkatarët. Më së shumti ata po japin sinjalin, se i janë bashkuar tufës së peshkaqenëve më të egër të vendit dhe, se po punojnë që t’u hiqen dhëmbët ca peshkaqenëve më të dobët për t’i implementuar në nofullat e kryepeshkaqenit të vendit. Dhe kjo, vetëm drejtësi dhe shpresë për drejtësi nuk është, përkundrazi, jo vetëm që stimulon përvojën tashmë të njohur tonën, se në Shqipëri ka dy drejtësi: një për peshqit dhe një për peshkaqenët, por parashikoj, se do të prodhojë padrejtësi edhe më të mëdha në të nesërmen.
Sigal