Fatos Lubonja: Fushata e monitorimit në administratë, “mban erë” spastrimesh

763
Analisti i njohur Fatos Lubonja gjatë një interviste me skype për një televizion privat ka folur për situatën në të cilën ndodhet politika shqiptare dhe pozicionin e tre partive kryesore
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit analist të ndryshëm kanë dhënë mendimin e tyre lidhur me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet, numrin e lartë të mandateve të fituara nga PS dhe se si do të qeveris Edi Rama. Një diskutim të fortë ka pasur edhe thirrja e kryeministrit Edi Rama për të kryer një skanim të administratës në të gjithë vendin, me qëllim nisjen e spastrimeve. Gjatë një interviste dhënë dje për një televizion privat, Lubonja e konsideroi fushatën e Edi Ramës për të monitoruar administratën si hapin e parë të nisjes së pastrimit të administratës. Lubonja foli edhe për pozicionin e Lulzim Bashës dhe situatën që ndodhet aktualisht Partia Demokratike, ndërsa bëri një analizë të holluar lidhur me opozitë ne vërtetë që do të ketë vendi. Ai e bëri këtë intervistë me skype ndërsa ndodhej në Itali. Sipas Lubonjës në fushatë pati qëndrime të ndryshme nga të gjitha palët. “Të gjitha palët mbajtën pozicione të çuditshme në fushatë: Lulzim Basha e quajti regjim kriminal dhe bëri marrëveshje dhe u ndërsye kundër Metës, Rama nuk e mori vetë përgjegjësinë por ja la përgjegjësinë ‘shushunjave’, ndërsa Ilir Meta president bëri fushatë për LSI”. Lubonja e quajti shqetësues faktin që pushteti të jetë në duart e një personi. “E shikoj me shqetësim këtë situatë. Këto janë metoda ekstra institucionale dhe kurdo i shoh me shqetësim. Sot krijohet një grup monitorimi në bashkëpunim me popullin për të parë se cilat j anë defektet e punës në administratë. Në fakt gabimet duhet t’i shohin institucionet. Ne rrezikohemi nga pushteti i pakontrolluar. Të jetë pushteti në duart e vetëm një personi është shumë e rrezikshme”, deklaroi analisti Fatos Lubonja. Ai analizoi edhe situatën brenda Partisë Demokratike, pas humbjes së zgjedhjeve dhe mënyrën e të bërit fushatë nga ana e kreut të saj Lulzim Basha. Po kështu u dha një përgjigje edhe kundërshtarëve të tij, duke thënë se më mirë është që në këto momente të ketë një dialog të sinqertë me njëri-tjetrin sesa të bëhet luftë për ndarje përgjegjësie. “Në PD nuk ka dialog e reflektim ku të gjithë të marrin përgjegjësi dhe të diskutojnë për të ardhmen. Kjo do të ishte më e rëndësishme se sa krijimi i një lideri autoritar në PD. Duhet një dialog i sinqertë me njëri-tjetrin për të ecur përpara, por rreziku është i madh që të mos kemi opozitën që kërkojmë të kemi. Insistoj që gjëja më e mirë është të krijohet një vizion. Deri tani PD ka punuar për oligarkët, prandaj s’ka kredibilitet. Nëse Basha vazhdon me këtë mënyrë të vjetër, nuk ka asnjë shans”. Një tjetër çështje e diskutuar është edhe ajo se kush do të jetë opozita e vërtetë e vendit. Lubonja u shpreh se bashin nuk e sheh në pozicionin e një opozitari. Ndërsa shtoi se më të fortë opozitën në vend e ka shansin për ta bërë LSI e cila ka ofruar të rinjtë. “Edhe në këtë rast nuk është çështje lideri. Për fat të keq edhe kjo parti ka punuar me të njëjtën metodë: ka qenë parti oligarkike, ka punuar me të fortët, me të pasurit. A do mund kjo parti të kthehet tek 56% e shqiptarëve që duan të ikin nga vendi, këtë nuk mund ta di. Por besoj që Kryemadhi do jetë vulnerabël edhe për shkak të postit të ri të të shoqit. Varet nëse ata do kthehen tek populli apo tek biznesi. Pjesa pozitive është që kjo parti ka të rinj”.
Sigal