Fatos Klosi/ Tirana zyrtare i tha “Jo” politikës së inferioritetit ndaj Greqisë!

489
Sigal

Prof. Dr. Fatos Klosi, ish kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se kjo qeveri u tha “Jo” politikave të inferioritetit ndaj Greqisë, nëpërmjet lëshimeve të shumta, ndaj edhe reagojnë grekët ndaj Shqipërisë. Prof. Klosi kritikon opozitën, që polemizon qeverinë në qëndrimet madhore të kombit, siç është edhe çështja e Vetos ndaj Maqedonisë. Për ndodhitë në Komanovë, Prof. Klosi thotë se aty ishte një terror shtetëror i Gruevskit, luftën e bëri “për të demonstruar pushtet dhe sidomos egërsinë ndaj shqiptarëve”. Prof. Klosi thotë se duhet të jemi të kujdesshëm ndaj sinqeritetit të Zaevit ndaj shqiptarëve. Sipas Prof. Klosit, “Zgjidhja e problemeve etnike në Ballkan do të ishte pranimi i të gjithë vendeve të rajonit në BE dhe përdorimi i standarteve të BE për këtë çështje”.

– Prof. Klosi, ditët e fundit janë publikuar fakte që në Delvinë është ulur flamuri shqiptar dhe është ngritur flamuri i Virioepirit dhe se Shqipërinë e kanë vizituar ish ushtarakë të lartë të ushtrisë greke. Nuk ka asnjë reagim tonin. A ka përjegjësi SHISH?
Nuk kemi pse shqetësohemi kaq shumë për dukuri të tilla, ekstremizmi nacionalist grek nuk është një dukuri e re për ne. Qëndrimet e qeverisë ndaj problemeve të diskutueshme me grekët, më duken të urta dhe të qëndrushme. Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi acaruesit e situatës, lëshimet e shumta që i janë bërë deri më tani politikës greke, kanë krijuar tek ata idenë e gabuar të pranimit nga ana e jonë e një farë “inferioriteti” prandaj dhe qëndrimet dhe ngjarjet e fundit të politikës shqiptare nuk po ju pëlqejnë. Do mësohen, sa më shpejt, aq më mirë për ta, por edhe për ne.
 
– Kemi polemikë qeveri-PD për qëndrimin e kryeministrit për çështjen e Vetos ndaj Maqedonisë? A duhet të ketë një qëndrim politik maxhoranca dhe opozita për çështjet madhore të kombit?
Sigurisht, që është mirë që të gjitha forcat politike të vendit të kenë një qëndrim të përbashkët për çështjet madhore të kombit. Por, duhet thënë se ky qëndrim i përbashkët ka qënë shumë i rrallë gjatë gjithë periudhës së zgjatur të tranzicionit shqiptar.

– Sipas jush përse sa herë publikisht maxhoranca dhe opozita (cilado qoftë) kanë përplasje dhe jo qasje të përbashkët për çështjet më të rëndësishme të kombit, Shqipërisë?
Arsyeja më duket është shumë e thjeshtë. Opozitat nuk kanë qënë të prirura për të patur një qëndrim të përbashkët, as për çështjet e rëndësishme kombëtare, për arsye të naivitetit të të konceptuarit të opozitës. Sipas këtij, koncepti “qeveria duhet kapur gjithnjë në gabim”.

– Pati shumë kritika për qëndrimin pasiv të qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, pas ngjarjeve të Komanovës. Ju si e vlerësoni politikën e qeverive shqiptare?
Mua nuk m’u duk një qëndrim pasiv. Nuk duhet folur para se të dalin qoftë dhe faktet e para të vërteta nga një ngjarje. Pastaj dhe qëndrimet e medias janë kontradiktore. Nga një anë ankohet për një qëndrim pasiv dhe nga ana tjetër deklaratat konsiderohen shumë të forta. Një qëndrim paraprak është mbajtur, është dënuar dhuna e ushtruar nga policia dhe ushtria maqedonase ndaj popullësisë civile në Kumanovë. Qeveritë shqiptare dhe kosovare, si dhe gjithë komuniteti ndërkombëtar, ka kërkuar një hetim të hollëshëm dhe të drejtë dhe me siguri do të ketë më pas një qëndrim më të plotë.

– Çfarë ndodhi në Kumanovë? Ishte skenar i Gruevskit?
Në Kumanovë kemi një shfaqe të terrorit shtetëror maqedonas ndaj shqiptarëve, sigurisht sipas një skenari të përgatitur që më parë. Besoj se grupi i shqiptarëve ka rënë në grackën e policisë maqedonase, me siguri ata nuk kanë qenë mbledhur në Kumanovë për të luftuar. Luftën e bëri shteti maqedonas, sigurisht “shumë më të madhe” se përmasat e rastit, për të demonstruar pushtet dhe sidomos egërsinë ndaj shqiptarëve.

– Mendoni se UÇK është përfshirë në ngjarjet e Kumanovës?
Mendoj se partitë zyrtare shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë lidhje me grupin e shqiptarëvë të Kumanovës. Këta të fundit prandaj përpiqen të organizohen se nuk janë dakord me qëndrimet e politikës zyrtare shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni.

– A mund të krijohet një vatër e nxehtë ndëretnike në Maqedoni, me skenar më të thellë, destabilizimin e Ballkanit?
Besoj se jo, pjesa më e madhe e Ballkanit është në NATO dhe kjo është një garanci që destabilizimi të mos ndodhë në përmasa ballkanike.

– Mendoni se Zaev kërkon thjesht mbështetjen e (partive) të shqiptarëve për të marrë pushetin, apo do të zgjidhë drejt edhe raportet e ç’balancuara të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni?
Zaev synon pushtetin dhe për këtë kërkon dhe ndihmën e shqiptarëve, por duhet të jemi të kujdesshëm lidhur me sinqeritetin e tij lidhur me shqiptarët.

– Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja e çështjet të shqiptarëve në Maqedoni?
Zgjidhja e problemeve etnike në Ballkan do të ishte pranimi i të gjithë vendeve të rajonit në BE dhe përdorimi i standarteve të BE për këtë çështje. Në BE ka disa vende që kanë probleme etnike (Belgjika, Hollanda, Spanja etj.) dhe problemet trajtohen mbi bazën e parimeve të demokracisë vepruese.