Fatos Klosi: Kuvendi mban Llallën dhe shmang problemet. Rekomandimet e të huajve nuk e zgjidhin situatën

855
Kryeprokurori, Klosi: Kuvendi do mbajë Llallën, largon problemet

Prej më se dy javësh, debati lidhur me largimin ose jo të kryeprokurorit Adriatik Llalla në datë 3 dhjetor, menjëherë sapo i përfundon mandati, ka qenë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të juristëve që interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën, por edhe opinionit publik. Madje për këtë fakt, reaguan edhe ndërkombëtarët. Dy misionet të përqendruara ne vendin tonë me qëllim dhënien e asistencës dhe ekspertizës ligjore, EURALIUS dhe OPDAT, kanë dhënë edhe rekomandimet përkatëse. Por kur pritej që Kuvendi të shqyrtonte këto rekomandime dhe të jepte një zgjidhje për çështjen e kryeprokurorit, mazhoranca është tërhequr. Paraditen e djeshme, ajo njoftoi se nuk e kishte planifikuar në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit, zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Pas kësaj nuk u dha asnjë shpjegim, pavarësisht, se ishte kjo mazhorancë, që njoftoi për largimin e Llallës në bazë të ligjit të ri dhe ndryshimeve kushtetuese. Gazeta “Telegraf”, për këtë qëllim mori mendimin e ish kreut të SHISH, Fatos Klosi. Kur e pyetëm se përse qeveria bëri këtë lëvizje, duke mos futur në punimet e Kuvendit, çështjen e Kryeprokurorit, aq të diskutueshme dhe që nëse nuk merr zgjidhje, mund të fus sistemin e drejtësisë në ngërç, Klosi u përgjigj: I gjithë problemi qëndron tek fakti se një situatë të tillë e zgjidh vetëm Kuvendi. Më pas Klosi shtoi se kjo do të thotë që deri sa Kuvendi arriti në këtë pikë, sa u tërhoq nga nisma për të zgjedhur kryeprokuror të përkohshëm, atëherë në krye të institucionit të akuzës, qeveria do të mbajë Adriatik Llallën, deri në zgjedhjen e zëvendësuesit të tij. Por më parë thotë Klosi, duhet të ngrihen organet e reja, si KLP, që është edhe organi kryesor për zgjedhjen e kandidaturës së kryeprokurorit. “Nuk i dalim dot përpara, pavarësisht se juristët thonë se ai kaq e ka mandatin. Për sa kohë që Kuvendi ka vendos të mos e fus për tre javë, duket qartë se ata e kanë pranuar tashmë që do të mbajnë Llallën”, thotë Klosi. Ai komentoi edhe rekomandimet e OPDAT dhe EURALIUS. “për sa kohë Kuvendi është institucioni me i lartë i këtij vendi dhe ai përfaqëson votën e popullit, atëherë rekomandimet e tyre nuk mendoj se e bëjnë punën në këtë situatë. Nuk është një ligj që do e çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Këtë nuk e bënë dot as Gjykata Kushtetuese. Nuk e di nëse kemi shkelje ligji apo jo. Unë dëgjova nga specialistët se ishte që kur t’i mbaroj mandati të vjetrit vjen i përkohshmi. Por në këtë rast, Kuvendi ka menduar ndryshe”, tha Klosi.

Ai tha se nuk mendon se me këtë çështje po neglizhohet. Për Klosin me një vendim i tillë i mazhorancës dhe kuvendit mbyllen edhe shtigjet që akuzojnë ato. “Janë menduar të gjithë këta faktorë që mund të krijonin këto probleme dhe është gjetur një kompromis. Është problem shumë teknik. Llalla ka qëndruar 5 vjet se do të qëndrojë edhe 3 javë nuk bëhet asgjë”, tha Klosi për gazetën “Telegraf”.
Sigal