Fatos Beja: “Negociatat për anëtarësim në BE, do të mund të realizohen pas zgjedhjeve të ardhshme”

59

INTERVISTA/Fatos Beja, deputet i PD-së: “Opozita, përpjekjet për integrim, i përdor për të fituar zgjedhjet e 2013-s”

 Ndërsa Komisioni Europian ka dhënë vendimin e vet, për statusin kandidat, PD-ja dhe PS-ja akoma nuk janë ndërgjegjësuar për përgjegjësitë politike që kanë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, derisa akoma nuk mund të gjejnë dot gjuhën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për të dhënë konsensusin politik për 3 reformat-kushte të statusit kandidat. Mosmarrëveshjet midis PD-PS nuk u shërbejnë aspak shqiptarëve, të cilët ende janë pengu i ngërçit politik. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit, zoti Fatos Beja në intervistën për “Telegraf”, arsyeton se opozita, përpjekjet për integrim, i përdor për të fituar zgjedhjet e 2013-s. E, megjithatë, zoti Beja është optimist, se pas zgjedhjeve të 2013-s, Shqipëria do të fillojë negociatat për anëtarësimin  në BE.

– Zoti Beja, një status i kushtëzuar, a mund të quhet arritje politike?

– Sot jemi në momentin kur Komisioni i ka propozuar zyrtarisht Këshillit të Ministrave,  që bazuar në arritjet e  bëra gjatë këtij viti, Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, duke kërkuar në të njëjtën kohë nga Shqipëria, që deri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, që bëhet në dhjetor,  të ketë votuar amendamentet për Ligjin për Gjykatën e Lartë, për ligjin për Shërbimin Civil dhe për Rregulloren e Parlamentit. Pra ende nuk kemi një “status me kushte”, që të flasim në është arritje, apo jo. Këshilli është organi që do të vendosë dhe nuk ka arsye që ta paragjykojmë negativisht se Këshilli do të vendosë t’i japë Shqipërisë një “status të kushtëzuar”.  Sigurisht, rekomandimi i bërë nga Komisioni Europian për statusin është, pa as më të voglin dyshim, një arritje.

– A pajtoheni me kritikën e përgjithshme, që forcat politike, më shumë interesohen që edhe në reformat e 12 prioriteteve, të konsolidojnë privilegjet partiake, sesa të gjejnë rrugët e mirëkuptimit e bashkëpunimit, për të mirën e integrimit të shqiptarëve?

– Rivalitetet midis partive janë për pushtetin dhe fitimin e zgjedhjeve.  Marrja e pushtetit nga njëra apo tjetra forcë politike është një çështje e politikës së brendshme, kurse marrja e statusit është një çështje e politikës së jashtme të Shqipërisë me vendet anëtare të BE-së. Forcat politike deklarohen të gjitha në favor të marrjes së statusit, por maxhoranca thotë se, Shqipëria e meriton dhe e kërkon statusin e vendit kandidat, kurse  opozita thotë se Shqipëria ka bërë prapa, që do të thotë nuk e meriton dhe nuk e kërkon statusin. Është naive të mendosh se marrja apo mosmarrja e statusit, do të përcaktojë kush do t’i fitojë zgjedhjet  vitin e ardhshëm.  Në çdo vend ka luftë politike për marrjen e pushtetit nga partitë e ndryshme, dhe kjo është normale. Por, në asnjë nga vendet që kanë kaluar procesin e integrimit europian nuk janë përzier kërkesat ndaj vendit për t’u integruar në familjen europiane me përpjekjet e opozitës brenda vendit për të fituar zgjedhjet e marrë pushtetin.

– Kryeministri Berisha, bën fjalë që opozita të vijë e të votojë 3 kushtet e mbetura. Mendoni që maxhoranca e ka kryer detyrën e saj? 

– Të tre kërkesat e fundit të përcaktuara nga Komisioni Europian janë votimi i amendamenteve të bëra me ekspertizë ndërkombëtare për tre ligje që kërkojnë votim me tre të pestat.  Maxhoranca i ka paraqitur në seancë për t’i votuar, opozita nuk pranon t’i votojë. Unë jam i bindur se lexuesi juaj e kupton fare mirë se kush s’e bën ose më mirë s’do ta bëjë detyrën e vet.

– Po të  vlerësojmë arritjet e deritanishme  nga reformat e 12 prioriteteve, sa afër është Shqipëria, që të fillojnë negociatat për pranimin e Shqipërisë si anëtare e BE-së?

– Marrja e statusit është vetëm hapi i parë. Hapja e negociatave do të mund të realizohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Përfundimi i tyre do të marrë disa vjet dhe kërkon një punë shumë serioze e rezultate të dukshme në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.

– Në raportin e OSBE-së, kritikohet hapësira e pakët demokratike në jetën politike të vendit.  Me këtë a nënkuptohet përqendrimi i kontrolleve të të gjithë pushteteve në duart e maxhorancës, që filloi me zgjedhjen e Presidentit, dhe  tashmë me Kryeprokurorin?

– Vota e qytetarëve dhe rotacioni i pushtetit është thelbi i demokracisë. Ndarja e pushteteve dhe balancimi i tyre përcaktohet nga Kushtetuta, e cila siguron një rotacion në pushtetet e tjera, nëpërmjet votimit në parlament të anëtarëve dhe kryetarëve të institucioneve të tjera, në afate të ndryshme nga rotacioni i vetë parlamentit. Në qoftë se populli do të votojë disa herë për të njëjtën maxhorancë, natyrshëm që gjurmët e kësaj maxhorance parlamentare do të jenë më të dukshme në pushtetet e tjera. Dhe kjo e drejtë kushtetuese nuk mund t’i mohohet asaj maxhorance. Pra, përcaktues i vërtetë i të gjitha rotacioneve janë votuesit. Shprehja “dhuna e kartonëve” pra e votave në parlament është në thelb kundërvënie ndaj thelbit të demokracisë: votës së lirë. Opozita parlamentare mund të ndikojë në përzgjedhjen e personave të votuar, duke marrë pjesë në votim dhe/ose  duke konkurruar me kandidatura më të mira. Taktika e opozitës aktuale për të mos votuar për kandidatët për Kryetarë dhe anëtarë të institucioneve kushtetuese është dëmtuese për opozitën, për institucionet e tjera dhe për vetë ndarjen e pushteteve dhe demokracinë.

– Ministri i Jashtëm grek, Avramopullos, duke theksuar se, qeveria shqiptare duhet të zbatojë marrëveshjen detare të nënshkruar, mos ndoshta ka peng qeverinë shqiptare, të marrëveshjes detare?

– Nuk ka pretendim më qesharak. Si mund të ratifikohet një marrëveshje në Parlament e të gjykohet në Gjykatë Kushtetuese pa e pasur atë ?!!

– Kritika ndaj vizitës së ministrit të jashtëm të Serbisë, është mungesa e transparencës nga qeveria, e cila nuk publikoi në kohë axhendën e vizitës.  Sa ju prek kjo kritikë?

– Publiku u informua për vizitën e ministrit të Jashtëm të Serbisë në Tiranë dhe bisedimet me të jo vetëm me njoftim zyrtar e konferencë për mediat,  por edhe me imazhe televizive. Si mungoka transparenca?!

– Faleminderit!