Fatmir Xhafaj, përfitues i targës qeveritare nga Berisha

513
Sigal

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve qarkullon ende me makinën ministrore TR 0104 Z

Ligjbërësi i PS-së, Fatmir Xhafa, ish -Ministër i Drejtësisë në vitet 2003-2005, ka në përdorim një makinë me targa “TR 0104 Z”. Ajo që të bie në sy është se Fatmir Xhafa, edhe pse është deputet, nuk ka asnjë lloj të drejte ligjore, që të mbajë makinë me targa qeveritare. Makina “Hundai”, ngjyrë gri, me numër shasie KMHSC8000BP 2432924  është  e regjistruar për herë të parë më 12.12.2002, në pronësi të një institucioni shumë të rëndësishëm dhe akoma, pas 11 vjetësh,  në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor figuron në pronësi të këtij institucioni. Ndërsa, në regjistrin e pagimit të taksave vjetore, po të kësaj drejtorie, makina “Hundai”, me targa TR 0104 Z nuk figuron që të ketë paguar kurrë taksa, në asnjë vit. Pra, kjo makinë nuk ka paguar taksa as në vitin 2009, 2010, 2011 2012 dhe sigurisht, edhe në 2013-n. Si shpjegohet që ligjvënësi socialist, Fatmir Xhafaj, ende qarkullon me makinë me targa ministrore? Natyrisht, që kjo është e jashtëligjshme, pasi asnjë deputet, në bazë të ligjit, nuk ka të drejtë të qarkullojë me targa qeveritare, qoftë  edhe deputet i maxhorancës. Është e qartë që Kryeministri Berisha, e privilegjon zotin Xhafa, nga të gjithë deputetët e tjerë të PS-së, që të qarkullojë, i lirë me targa qeveritare. Dhe  kjo nuk është  rastësi, sepse nuk mund të ndodhë kurrë që Berisha të lejojë ndonjë kundërshtar të tij politik, që të shkelë kaq flagrant ligjin, e ca më pak, kur bëhet fjalë për një deputet të PS-së. Berisha e privilegjon ligjbërësin socialist Fatmir Xhafaj, që të qarkullojë me targa ministrore,  jo për nostalgjinë që ka  (deputeti Xhafaj) për kohën kur ai ishte ministër, por, ndoshta, për shërbimet politike që deputeti socialist i afron Kryeministrit. Kohët e fundit në shtyp janë përfolur që Berisha ka njerëzit e tij në kupolën drejtuese të PS-së, ku mëson, paraprakisht se çfarë vendoset në PS. Dhe, fakti  që deputeti Xhafaj, është një nga drejtuesit më të besuar të Kryetarit Edi Rama dhe kryesisë së PS-së e për rrjedhojë ai ka informacionin më të madh të mundshëm, që i intereson Berishës në strategjinë e tij kundër kreut të PS-së. Kjo mund të shpjegojë pse makina “Hundai”, me targa TR 0104 Z, edhe pse në defterët e qeverisë është në pronësi të një dikasteri qendror ,  përdoret nga ligjbërësi socialist Fatmir Xhafaj, si dhuratë që nga koha kur ministër Drejtësie ishte Aldo Bumçi. Këtë fakt e dinin shumë mirë edhe në Drejtorinë Ekonomike të institucionit përkatës, dhe të pyetur nga “Telegraf”, një punonjës i kësaj drejtorie u shfajësua, se kjo makinë, edhe mund të jetë blerë  nga ligjbërësi Fatmir Xhafaj, në ankandin e zhvilluar nga kjo ministri me çmime qesharake, por që unë nuk jam i autorizuar t’i bëjë publike këto fakte, pasi ajo është “blerë” pothuajse falas. Sipas këtij punonjësi të institucionit, zoti Xhafa mund të mos ketë bërë kalimin e mjetit në pronësi të tij dhe për këtë fajtore janë policia që e lë të qarkullojë lirshëm, ku dihet se përpara ligjit të gjithë janë të barabartë.  Dihet që kjo makinë qarkullon me targa qeveritare dhe po të pësojë ndonjë aksident, atëherë, përgjegjësia ligjore do të bjerë edhe mbi vetë institucionet përgjegjëse, të cilat kanë për detyrë të respektojnë ligjin njëlloj për të gjithë shtetasit dhe në radhë të parë ata që i përgatisin dhe miratojnë këto ligje.  Ligjbërësi Fatmir Xhafaj shkel jo vetëm ligjin mbi pronësinë e mjetit, po shkel edhe ligjin mbi të drejtën e përdorimit të targave qeveritare. Gjithashtu, ligjbërësi Fatmir Xhafaj sipas kësaj logjike, ka shkelur këtu e disa vjet ligjin për pagimin e taksave, derisa asnjë vit për këtë makinë, TR 0104 Z, nuk ka paguar asnjë taksë vjetore,  në dallim nga gjithë qytetarët e Shqipërisë, për përdorimin e mjeteve motorike, shprehen nëpunësit e Drejtorisë së Transportit Rrugor. Është e drejta e z.Xhafa të bëjë publike faturat dhe t’ua dorëzojë një kopje këtyre institucioneve, të cilat pretendojnë se nuk i kanë dhe se nuk (mund) të merren me këta individë, që mbrohen nga shteti. Si shpjegohet fakti që disa deputetë gjobiten me shuma marramendëse në gjykata dhe disa të tjerë, si puna e zotit Xhafaj, qarkullojnë me targa ministrore dhe pa paguar asnjë taksë?   Sa besueshmëri mund të kenë socialistët ,  tek këta deputetë, që privilegjohen nga Berisha dhe predikojnë luftën kundër korrupsionit dhe transparencës, në  zbatimin e ligjeve? Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për qarkullimin rrugor, Shkëlzen Aliaj, i pyetur nga “Telegraf”, u përgjigj se, nuk mund të dinte se e kujt është në pronësi “Hundai”  TR 0104 Z, institucionet përgjegjëse  nuk e kanë informuar. Por ai harroi të pohojë se, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për Qarkullimin Rrugor, duhet të dijë se cilat janë targat e vërteta qeveritare që qarkullojnë në Shqipëri. Sipas zotit Aliaj, cilido qytetar mund të qarkullojë lirshëm në Shqipëri me targa qeveritare, për sa kohë institucionet përgjegjëse, Ministria e Brendshme, (Garda e Republikës dhe Dega e shoqërimit të personaliteteve) nuk e informon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë për Qarkullimin Rrugor?! Po sikur të ndodh një aksident, apo më keq, që me mjete me targa ministrore të qarkullojnë lloj-lloj mallrash të ndaluara, kontrabandë, narkotikë dhe me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, kush e mban përgjegjësinë? Ndoshta, edhe kontrabandistët mund t’i pajisin privatisht  makinat e tyre me  targa me targa false “ Z” dhe nuk i ndalon njeri. Por, të jeni të bindur, që këta qytetarë do të kapeshin brenda 1 sekonde. Kjo tregon se këtë privilegj e kanë dhe e gëzojnë vetëm ata politikanë, që kanë mundësi të kompensojnë të njëjtat shërbime, brenda të njëjtit shtet, ku opozita dhe pozita bekojnë njëri- tjetrin, në kurriz të qytetarëve dhe partisë së tyre.