Fatmir Xhafaj: Pas policisë, edhe politikanët në procesin e vetingut. I gatshëm të kontrollohem i pari

640
Xhafaj: Vetingu, pas policisë, edhe për politikanët

Edhe politikanët duhet të kalojnë në veting, ashtu si prokurorët, gjykatësit apo policët. Kjo ishte deklarata e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në Komisionin parlamentar të Sigurisë, që miratoi në parim projektligjin për kontrollin e figurës së policisë, Gardës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme. Përfaqësuesit demokratë e cilësuan të nevojshëm procesin në polici, por lëshuan akuza të forta përfshirjes së krerëve të policisë në trafikun e drogës. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke i kthyer përgjigje deputetit demokrat, Ervin Salianji, u shpreh se edhe politikanët duhet të kalojnë në veting. “Pyetja e parë ishte, a mund dhe duhet të përfshihet Ministri i Brendshëm në procesin e veting-ut? Natyrisht, nëse unë do të isha punonjës i Policisë së Shtetit, i Gardës apo SHÇBA-së, do të isha sot subjekt i këtij ligji vlerësimi. Nëse bëhet fjalë që të vetohem unë si politikan, unë vetohem sot si gjithë politikanët e tjerë, përfshirë edhe ju që jeni në këtë tavolinë. Nëse duhet një ligj i Vetting-ut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart dhe mund t’ju jap një draft që mund ta keni në konsideratë, nëse do të ndërmerrni një inciativë të tillë”, tha Xhafaj. Ai shtoi se do të ishte gati të vetohej i pari. “Do të ishte një gjë tejet pozitive dhe besoj që ai draft duhet të ketë të parin, sido që të jetë, që të vetohem unë i pari, meqenëse jam hartuesi i Reformës në Drejtësi, hartuesi i këtij projektligji dhe Ministër i Brendshëm për momentin në këtë detyrë, nëse kjo është e nevojshme për t’u parë si e tillë. Kjo do të ishte një gjë shumë pozitive”, u shpreh Xhafaj. Ministri shtoi se besonte që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, “shumë shpejt që do të kemi dhe veting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi”. Gjithashtu, Ministri shpjegoi edhe disa detaje të projektligjit të vetingut. Deputeti demokrat, Flamur Noka, lëshoi disa akuza në drejtim të mazhorancës. 
Sigal