Fatmir Toçi:“Problemet e vlonjatëve do të zgjidhen vetëm nga programi ynë i Rilindjes”

465
Sigal

Fatmir Toçi, kandidat për deputet i PS-së në Vlorë

 Elektorati voton për mirëqenien e vet, për programet, projektet, aleancat politike që ofrojnë besim, shpresë dhe zgjidhje

Kandidati për deputet  i PS-së në Qarkun e Vlorës, Fatmir Toçi, në intervistën për “Telegraf”, evidenton problemet e zonës të fshatrave të Lumit të Vlorës, të cilët janë lënë në harresë, aq sa njerëzit jetojnë në kufijtë e mbijetesës, pasi qeveria hakmerret ndaj votës së tyre. “Por PS-ja, – thotë zoti Toçi,- në 24 qershor do firmosi fillimin e punimeve të atyre projekteve konkrete që janë plotësisht të realizueshme”. Zoti Toçi, pohon se, edhe sikur ai të mos ishte vendosur në listat zgjedhore, do të ishte në ballë të fushatës elektorale për Rilindjen, pasi qeverisja e Berishës është e keqja më e madhe e vendit dhe e popullit.

Zoti Toçi, cilat janë problemet që ju keni evidentuar në zonën tuaj elektorale dhe cilat zgjidhje emergjence kërkojnë njerëzit nga politika?

– Problemet në zonën Jugore të vendit, veçanërisht ato rurale, janë të mëdha e të shumta, gjendja është edhe më e rëndë dhe njerëzit jetojnë në kufijtë e mbijetesës. Është e turpshme për këtë qeverisje 8- vjeçare të flasë për arritje e investime ndërsa sot, në vitin 2013, njerëzit vuajnë për rrugë, ujë, shërbim shëndetësor! Kërkesa numër një që i është adresuar qeverisë në tetë vite ka qenë rruga e Lumit të Vlorës. Fshatrat nuk kanë ujë për të pirë dhe ujë për të vaditur tokat! Lëre më pastaj të flasim për probleme të lidhura me mirëqenien.  Duke kaluar nga bregu i detit, banorët e Radhimë – Orikum – Dukatit, por edhe zonat e tjera më në thellësi kanë një problem që nuk u zgjidh kurrë dhe as që u mor mundimi të zgjidhet seriozisht: mosnjohjen e së drejtës së pronës, zhvatjen dhe vjedhjen e pronës nga familja dhe klani Berisha. Kryeministri në ikje mashtron me shifra rrugësh dhe arroresh të mbjella. Berisha flet për integrim në Europë, por zonën e Lumit të Vlorës e ka lënë qëllimisht si shkretëtirë. Thjesht dhe vetëm se nuk ka votuar e nuk voton asnjëherë PD-në.

– Sa të realizueshme do të jenë ato premtime që jepni ju sot elektoratit tuaj?

 – Ne më 24 qershor do firmosim fillimin e punimeve të atyre projekteve konkrete që janë plotësisht të realizueshme, mjafton vullneti politik për t’i vënë në jetë: rrugët, ujin, arsimin, shëndetësinë. Janë çështje për të cilat ne po punojmë me projekte konkrete, siç është, për shembull, rruga e Lumit të Vlorës, projekti i së cilës është gati dhe është diskutuar dhe prezantuar edhe me komunitetin. Fakti që kryetari Rama zgjodhi Vlorën për të kandiduar si deputet është një shpresë dhe garanci se Vlora do të jetë në fokusin e mbështetjeve që kanë munguar deri më sot nga qeveria e ardhshme e koalicionit të majtë.

 – Rritet përditë e më shumë mosbesimi i popullit se politika do të zgjidhë hallet dhe problemet e të përditshmes e të jetesës së tyre. Cila është shpresa që ju ofroni, për të bërë diçka ndryshe?

 – Ky konstatim, që e ka një të vërtetë brenda, vjen për shkak të premtimeve të ekzagjëruara të politikës. Në këto 8 vite kemi rrënimin total të ekonomisë, privatizimin korruptiv të të gjitha aseteve kombëtare, cenimin e frikshëm të sigurisë së jetës, lidhjen e shtetit me krimin, shitjen e interesave kombëtare deri në pjesë të territorin si në kohën e Monarkut Zog dhe nga ana tjetër pasurimin e një kaste me bekimin e qeverisë dhe në shërbim të saj. Por vlonjatët kanë ditur përgjatë historisë të bëjnë dallimin dhe të marrin vendimin e duhur kur koha  ua ka kërkuar. Ne kemi treguar qartazi se jemi ndryshe nga qeveria dhe partitë e djathta, qoftë me funksionimin, emancipimin e demokratizimin e partisë, qoftë me europianizimin e mbarë shoqërisë shqiptare.

– Ju jeni nga ajo zonë elektorale që kandidoni.  Kjo, a ju jep juve një prioritet më shumë, në krahasim nga kandidatët e emëruar nga partia, të cilët nuk janë vendas? (pavarësisht se kujt partie i përkasin)

– Padyshim, të kesh lidhje të forta me tokën, ku banojnë zgjedhësit, të jesh nga këto anë, si në rastin tim në Lumin e Vlorës, të zj. Leskaj në Vlorë, të z. Kokëdhima në Himarë, zj.Xhuvani në Sarandë, si Andrea Marto në Delvinë, të Edi Lekës në Vlorë apo të jesh nip nga Bregu, si në rastin e Edi Ramës është një faktor ndihmës. Kur përzgjedhja e kandidatit merr parasysh dhe lidhjet shpirtërore me banorët e zonës, mbështetja është edhe më bindëse.

– Cila është prirja e njerëzve: Do të votojnë njeriun që kandidon, partinë për të cilën kanë bindjen politike, apo do të nisen nga interesa të çastit?

 – Me sistemin zgjedhor ekzistues elektorati voton për forcën politike, pa anashkaluar, padyshim edhe vlerat e individëve që përbëjnë skuadrën përfaqësuese që paraqet çdo forcë politike. Elektorati voton për mirëqenien e vet, për programet, projektet, aleancat politike që ofrojnë besim, shpresë, zgjidhje.

– Larg klisheve dhe konjukturave politike, mund të na thoni cila është përshtypja e njerëzve me të cilët ju kontaktoni përditë për debatin e brendshëm në PS, për moskandidimin e Malajt me listat e PS-së?

 – Po shprehem për veten time se në rast nuk do të isha i përfshirë në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme, unë do të isha në krye të fushatës për fitimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. E keqja e madhe e këtij vendi është kjo qeveri, kjo forcë politike që drejton sot dhe kreu i saj Sali Berisha. Çdo qëndrim tjetër, qoftë edhe indiferent ndaj lëvizjes sonë drejt Rilindjes, do të ishte në dëm të kauzës sonë dhe mbështetje, direkt apo indirekt, për mbajtjen në fuqi të pushtetit të Sali Berishës. Unë besoj dhe uroj që socialisti Arben Malaj të kthehet në familjen tonë të madhe socialiste për të dhënë kontributin e tij të çmuar në fitoren e pashmangshme që po afron.

– Bashkimi PS-LSI çfarë rryme politike ka përcjellë te njerëzit, me të cilët ju bashkëbisedoni përditë,  çfarë ju thonë konkretisht?

 – Është një temë tashmë e tejkaluar dhe e sqaruar. Futja eLSI-së në koalicion solli edhe bashkimin përfundimtar të së majtës shqiptare dhe nevojën e bashkimit të të gjitha votave opozitare për largimin me votë nga pushteti të qeverisë së Sali Berishës. Ky bashkim i shërben më shumë qëllimit tonë për të arritur një fitore të tillë në këto zgjedhje që të bëjmë të mundur edhe realizimin e atyre reformave që kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar në kuvend.

Ja përse shqiptarët duhet të votojnë PS-në

– Për cilat arsye elektorati duhet t’i  japë votëbesimin e vet PS-së?

 – Së pari, sepse janë lodhur nga mashtrimet 8-vjeçare të kësaj qeverie sepse shohin në ç’gjendje mjeruese i ka zhytur qeverisja ata vetë dhe gjithë shqiptarët. Sepse kuptojnë që Vlora është e harruara e madhe. Së dyti, sepse banorët e Vllahinës, Sevasterit, Lumit të Vlorës, Orikumit  dhe të gjithë zonave të tjera jetojnë e punojnë në kushtet e mungesës së plotë të infrastrukturës dhe degradimit të asaj ekzistuese. Nuk jetojnë as në standardin e para viteve ‘90, ku në çdo qendër të banuar kishte furnizim normal me ujë, qendra shëndetësore e shkolla në çdo fshat. Së treti, sepse ne kemi një program të qartë, konkret, me afate kohore. Kemi folur gju më gju me njerëzit, ua dimë hallet dhe kërkesat. Kemi bërë studime dhe projekte për t’i realizuar dhe do ti realizojmë. U kemi premtuar dhe treguar si dhe kur do u bëjmë akset kryesore rrugore dhe gjithë rrugët lidhëse që çojnë në çdo fshat, si dhe kur do të rindërtojmë e ndërtojmë ujësjellësit, si dhe kur do të mbështeten me më pak taksa, si do i mbështesim me naftë me çmim të ulët, me projekte për bujqësinë, agro-turizmin, peshkimin, turizmin arkeologjik, historik dhe të bukurive natyrore, si do t’u çojmë përsëri arsimimin dhe përkujdesjen shëndetësore e sociale te pragu i shtëpive. Së fundmi, njerëzit do të kenë mundësi të punojnë. Nisja e menjëhershme e projekteve afatshkurtra dhe ato afatgjata do të hapin vende pune sapo të nisim nga qeverisja. Gjithashtu, gjithë projekti ynë ekonomik e financiar në shërbim të bujkut e blegtorit duke u lehtësuar barrën fiskale. Në bazë të studimeve e projekteve tona, do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në sektorin publik e privat në atë zonë!

– Faleminderit!