Fatjon Fana: Shkarkimet pjellë e marrëveshjes Rama-Basha, gjithçka e parapërgatitur

383
Dy partitë e mëdha politike pas firmosje së marrëveshjes dhe nisjes së fushatës elektorale, kanë nisur edhe fushatën e spastrimeve nga detyra të kundërshtarëve të tyre
Arjan Hoxha, ish- shef i krimit ekonomik në Policinë e kryeqytetit, menjëherë pas emërimit të tij në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka nisur “spastrimin” politik. Mesditën e së shtunës, me propozimin e tij dhe firmën e Ministrit të Drejtësisë Gazmend Bardhi, u larguan nga detyra pesë drejtor burgjesh dhe tre kryeregjistrues. Ajo që duket qartë në këtë vendim për largim të menjëhershëm nga detyra, është fakti se, të gjithë të pushuarit janë emëruar nga forca politike LSI, e cila pas firmosjes për bashkëqeverisje me Partinë Socialiste në vitin 2013, mori disa drejtori dhe ministri. E, burgjet dhe Ministria e Drejtësisë që nga 2013 u drejtuan nga përfaqësues të zgjedhur nga kjo forcë politike. Por, ndërsa LSI vazhdon ende të jetë në qeveri, kjo e fundit, përmes ministrave teknik, ka filluar “luftën” ndaj saj. E jo vetëm kaq. Pas largimit nga detyra, një prej drejtorëve të shkarkuar, Fatjon Fana, i cili prej disa muajsh ishte nën drejtimin e burgut të sigurisë së lartë Jordan Misja ose i quajtur ndryshe 313, foli për gazetën “Telegraf”. Ai e konsideron gjithçka një skemë të parapërgatitur me hollësi dhe si pjellë e marrëveshjes Rama-Basha. 
Zoti Fana, ju jeni një nga pesë drejtorët e institucioneve të vuajtjes së dënimit, shkarkuar me firmën e Ministrit teknik të Drejtësisë, Gazmend Bardhi. Si e mësuat lajmin?
Ishte një gjë krejt e papritur. Ditën e shtunë të gjithë drejtorët e burgjeve, pra 21 drejtorët e Institucioneve të Ekzekutimeve Penale në Vend, ishim në mbledhje në orën 12:00 me Drejtorin e Përgjithshëm Teknik të Burgjeve, Arjan Hoxha. Ishte një mbledhje, e cila zgjati pak. Na foli për punën, për mënyrën se si funksiononin rregullat dhe nëse kishte probleme në burgje. Ishte nja takim ashtu sikundër thashë më lart, vetëm për punën. 

A ju komunikua ndonjë informacion lidhur me fushatën?
Po. Na u kërkua që të ishim të kujdesshëm, të mos bënim fushatë në burgje dhe të mos merrnim pjesë në takimet elektorale. Por interesant ishte fakti ,se ne sapo dolëm nga mbledhja, nuk kishte kaluar as pesë minuta, mësuam përmes medias se ishim shkarkuar. Pra, dua të them, se ne sapo ishim shpërndarë dhe kishim hipur në makina për të shkuar në detyrë, mësuam shkarkimin. 

E keni marrë me shkrim motivacionin e shkarkimit?
Nuk na ka ardhur asnjë shkresë. Them ,se e kam mësuar lajmin vetëm përmes medias. Madje unë i kam çuar menjëherë një mesazh për të mësuar të vërtetën, por nuk kam marrë ende përgjigje. Unë them me bindje, se gjithçka ka qenë e parapërgatitur, pasi ne nuk na është thënë asgjë për shkarkimin. Është për t’u çuditur fakti, se sa në foli për problematikat, pas pesë minutash në vjen shkarkimi. 

Do kërkoni shpjegim për mënyrën e shkarkimit?
Patjetër. Do bëj kallëzim penal ndaj drejtorit teknik të burgjeve, Arjan Hoxha. Është e turpshme mënyra sesi ai ka vepruar. Thuhet, se ne paskemi qenë pjesë e fushatës së LSI-së. Por nga ana tjetër, ai vet ka bërë një gabim shumë të rëndë dhe nuk mund të ishte në atë detyrë. Një ditë para se të emërohej drejtor, ka shpërndarë statusin e kandidatit të Partisë Demokratike, Isuf Çela. Pra një drejtor që shpërndan statusin e deputetit të PD-së, propozon shkarkimin tonë pas asnjë motivacion. Unë do ta ndjek çështjen në rrugë ligjore. Një gjë më habit më shumë: Mënyra se si vepruan me shumë shpejtësi. Ata duhet të kishin pritur të paktën 3-4 ditë nga mbledhja dhe më pas të kishin se çfarë të thoshin. Por firmosja e shkarkimit vetëm pesë minuta pasi ne dolën nga zyra, lë të kuptosh se e gjitha ishte e përgatitur. 

Ju jeni ende në detyrë, apo u larguar menjëherë?
Unë nuk kam shkresë zyrtare dhe vazhdoj të jem në detyrë. Por dua të them, se me veprimin që është bërë, pra shkarkimin tonë, është krijuar kaos. Ndërsa ne jemi në detyrë, Drejtori Teknik i Burgjeve dërgon në të gjitha institucionet e vuajtes së dënimit shefat e policisë dhe u jep direktiva për mbarëvajtjen e punës. Pra që nga dita e shtunë, në të gjitha burgjet ku drejtorëve u është komunikuar shkarkimi vetëm me gojë, janë vendosur të gatshëm shefat e policisë, me qëllim parandalimin e ndonjë problematike. Por ky është një gabim i madh, sepse ne jemi shkarkuar vetëm me njoftim me gojë dhe nga media. 

Si e konsideroni një vendim të tillë?
Paaftësi totale dhe një gabim shumë i madh që bëhet me burgjet. Gabimi do të thosha që e ka zanafillën që nga marrëveshja. Që aty ishte një përmbysje e madhe. Në asnjë mënyrë nga ajo marrëveshje nuk duhej të ishte bërë pazar me burgjet. Nëse do të ishin dhënë të gjitha institucionet e tjera PD-së, burgjet jo, pasi një veprim i tillë në prag fushate ndikon negativisht edhe brenda sistemit, mund të sjellë pakënaqësi dhe pasiguri. Nuk ka rëndësi se cila forcë politike e drejton një ministri apo drejtori. Drejtorët janë profesionistë. Kështu unë jam ushtarak dhe nuk kam lidhje me partitë politike, pavarësisht se si mund të jetë krijuar përshtypja. Në këto kushte që ndodhemi nuk mund të parashikojmë asnjë situatë që mund të ndodhë në burgje. 

Zoti Fana, gjatë kësaj periudhe ishte përgatitur infrastruktura e duhur në institucion për të realizuar votimin me të paraburgosurit në 25 qershor?
Patjetër që po. Në bazë të urdhrit të kryeministrit, ne kemi bërë gati të gjithë infratrukturën. Janë bërë gati listat e të paraburgosurve që do të votojnë në 25 qershor.