Fati i marrëveshjes tregtare për Amerikën e Veriut “NAFTA”

470
Presidenti Donald Trump e ka quajtur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), “marrëveshjen më të keqe të arritur ndonjëherë” dhe ka premtuar rinegocimin ose anulimin e saj.
Mbështetësit e marrëveshjes NAFTA thonë se ajo trefishoi volumin e tregëtisë së Shteteve të Bashkuara me Kanadanë dhe Meksikën. Kanadaja dhe Meksika janë dy partnerë kryesorë tregëtarë të Amerikës, Kanadaja, që renditet e para dhe Meksika e treta.
Kundërshtarët e saj thonë se marrëveshja largoi një valë vendesh pune nga SHBA-ja drejt Meksikës, ku kompanitë përfituan nga niveli më i ulët i pagave. Ekonomistët thonë se NAFTA pati më pak ndikim se sa premtuan mbështetësit apo se sa iu frikësuan kundërshtarët, pasi tregëtia në Amerikën e Veriut është vetëm një pjesë e vogël e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja hyri në fuqi në vitin 1994 dhe uli tarifat për shumicën e mallrave të tregtuara ndërmjet të tre vendeve, si dhe krijoi mekanizmin për të eliminuar pengesat rregullatore ndaj tregtisë. Marrëveshja u përqëndrua tek bujqësia, tekstilet dhe prodhimi i automobilëve, si dhe u përpoq të mbronte pronësinë intelektuale dhe të krijonte mundësitë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Marrëveshje të tjera dytësore do të zbatonin parametra mbrojtëse për sektorin e punës dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ekonomistët thonë se marrëveshjet tregtare shpesh janë jopopullore politikisht, pasi humbjet e vendeve të punës përqëndrohen në zonat dhe qytetet industriale, ku të prekurit flasin haptazi kundër saj. Përfitimi nga këto marrëveshje mund të jetë në tërësi më i madh se sa humbjet, por përfitimet shpërndahen më gjerë në ekonomi, duke qenë më të vështira për t’u pikasur dhe më pak të përdorshme në argumentat politike.
I emëruari i zotit Trump për Sekretar të Tregtisë, Wilbur Ross, i tha një komisioni të Kongresit se NAFTA do të jetë temë diskutimi e menjëhershme e administratës.
Ndërsa Uashingtoni mund të njoftojë tërheqjen nga marrëveshja, një analizë në gazetën The New York Times thotë se ka më shumë gjasa që Administrata Trump të kërkojë vendosje rregulloresh ku do të parashikohet që më shumë pjesë këmbimi të prodhohen në vendet anëtare. Një tjetër mundësi do të ishte lejimi i më shumë mallrave nga SHBA-ja drejt Kanadasë dhe Meksikës, pa taksa dhe dokumentacion shoqërues. Një përqasje e tillë e debatueshme do të ndryshonte mënyrën se si mblidhen taksat e vlerës së shtuar nga eksportet amerikane.
Zoti Trump gjithashtu ka kërcënuar se do të vendosë tarifa të mëdha ndaj disa llojesh importesh nga Meksika, dhe sipas një raportimi të Detroit Free Press, ky veprim mund t’i shtojë mbi 2 mijë dollarë vlerës së një makine.
Sigal