Fati i kombit në dorën e një njeriu të vetëm

993
Sigal

Analizë nga Kujtim Drishti/ Mësimi i parë që Historia na la në fund të shkeullit ishte që fatet e vendit janë shumë të rënda për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm. Po jetojmë në një Shqipëri ku vetëm flitet shqip, por asgjë nuk është më e saja. Kemi një vend të pasur. Po për kë? Edhe Afrika është një vend shumë më i pasur, por jo për popujt e saj. Shqipëria po kalon fazat që na kujtojnë atë të kaubojsave në lirinë kaotike ku zotëron ligji i më të fortit. Jemi pa organe kushtettuese dhe ku të tre pushtetet janë kapur nga një dorë prej frikës

Fati i kombit në dorën e një njeriu

Kujtim Drishti

Mësimi i parë që Historia na la në fund të shekullit që shkoi ishte, që fati i kombit nuk duhej lënë në dorën e një njeriu të vetëm. Fatet e vendit janë shumë të rënda për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm. Ky mësim na bën që ne shqiptarët të mos ia besojmë fatet e kombit sistemit raprezentativ, të thënë në shqip, sistemit me përfaqësi të popullit. Ky sistem ka hyrë në një krizë të thellë jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj. Ky mendim do të duket si një herezi kundra demokracisë në kohë që ai mban shqetësimin më të madh për demokracinë. Prandaj të gjithë shqiptarët duhet të mendojnë imagjinojnë krijojnë organizma të afta për të vënë nën kontroll sistemin me përfaqësues, sepse ja sesi ndodh Gjykata Kushtetuese, organi kryesor që filtron veprimet kushtetuese nga ato jo kushtetuese është vënë sot në paralizë. Në paralizë e kanë vënë përfaqësuesit e popullit. Duke i lënë dorë të lirë qeverisë të kryejë veprime pa kontroll.

Historia e Shqipërisë dhe veçoritë e vendit të vogël, lakmi e vendeve të mëdha për pozicionin gjeografik dhe pasuritë natyrore, detyrojnë shqiptarët të lodhur nga tradhtitë e vetë shqiptarëve të shtrojnë problemin e mbi ekzistencës së kombit në mjedisin e ekonomisë së sotshme botërore, ashtu siç nuk kanë nevojë ta shtrojnë kombet e tjera. Por ky problem nuk mund të lihet në dorën e një njeriu të vetëm, i cili shikon zhdukjen e kufijve si një realitet i internacionales komuniste ose si një realitet i mondializimit ekonomik. Ky njeri del me teorinë e mos mbylljes në veten tonë, pa e kuptuar as vetë se çfarë është mbyllja dhe hapja. Teorinë e «mos mbyllje» ai e shoqëron me teorinë «e ndryshimit në vazhdimësi të konceptit të kombit» që na çon në Shqipërinë ku vetëm flitet shqip por asgjë nuk është më e saj.

Demokracia trokiti në derën tonë për të mos na lënë më të bëjmë të njëjtin gabim.

Aktualisht ne jemi përpara mundësive të fundit, që fatet e kombit të mos i lëmë në dorën e një njeriu të vetëm

Asnjë parti nuk e mori këtë mësim që na la Historia në zarfin e saj tek dera, përpara se të largohej. Shefat nuk kishin interes të zhvillonin këtë mësim të madh pranë popullit. Ata nxorën nga zarfi vetëm faqen e parë, me titull «Demokracia është fjala dhe mendimi i lirë»

Por pjesën tjetër të mesazhit ata e lanë në zarf, sepse ata menduan se populli kishte zotëruar lirinë pasi kish dalë nga diktatura më e egër komuniste dhe e dinte shumë më mire se çdo kush tjetër se ç’ishte Liria dhe se këtë gjë nuk mund t’ua mësonte asnjë libër, asnjë kushtetutë; ata e dinin vetë. Dhe në mënyrë të veçantë, më mire nga të gjitha e dinin shefat amatorë të partive.

Asnjeri prej tyre nuk nxori një libër, që do të ishte një tekst bazë i pedagogjisë së moralit demokratik. Udhëheqësit e të dy partive, të qenë vetë ish-komunistë ose bij komunistësh vazhduan me urrejtjen, në vend që të bënin një apel për pajtim kombi, gjë që na e detyronte fakti që ne ishim pak në numër si popull. Dhe mbetëm më pak akoma në tokat tona. Nga pikëpamja ekonomike ky vizion do të kishte sjellë një rentabilitet shumë më të lartë dhe një mirëqenie që do ta vendoste Shqipërinë në vendet e denja për zgjuarsi dhe pasuri.

Asnjë udhëheqës nuk nxori një tekst bazë për të shpjeguar se mendimi dhe fjala e lirë ishin vetëm themelet e një ndërtese, pa të cilën edhe mendimi edhe fjala e lirë do të humbiste në kotësi. Dhe kjo bëri që parlamenti të bëhej skena e përplasjes së sedrës “kush je ti e kush jam unë”, në vend të përplasjes së argumenteve, skena e sharjeve të ndyra në vend të shqetësimit për ekonominë, kulturën. Dhe kjo krijoi skenën e mungesës së Etikës si justifikim fëminor i fjalës së lirë, pa menduar se Etika mbron njerëzimin nga liria e kaosit, e cila mbyt vetë lirinë.

Ata improvizuan duke huazuar metoda të vjetra. Asnjeri nga këta shefa nuk krijoi brenda shtetit organizmat që kontrollonin zbatimin e Kushtetutës. Kushtetuta u çante kokën atyre sidomos me pavarësinë e tre pushteteve; Për këtë arsye në aspektet më themelore të saj ata përqendruan të tre pushtet në personin e tyre. Edhe Ligjin edhe Ekzekutimin edhe Drejtësinë.

Kështu Kulti i shefit dhe mungesa e drejtësisë që kontrollon veprimet e shefave në lidhje me kushtetutën u bënë mekanizmat e njeriut të vetëm që mban fatet e vendit në dorën e tij.

Po tê hetosh veprimet e tyre, lista e thyerjes së Kushtetutës është bërë vërtetë shqetësuese, madje në këtë listë gjen dhe veprime në fushën politike dhe ekonomike që është pak të thuash se mbajnë dyshime për interesa të kundërta me ato të kombi. Dhe këto veprime janë të mbuluara me një opacitet total përpara popullit. Por jo vetëm përpara popullit por edhe anëtarëve të partisë që ngritën dorën për ta, në votim.

Shqipëria është një vend i pasur. Por për kë?

Edhe Afrika është një vend shumë më i pasur.

Por jo për popujt e saj.

Teoria e «mos mbylljes» dhe e «ndryshimit në vazhdim të konceptit të kombit» e hyrë në modë kohët e fundit nuk jep përgjigje pyetjes se «për kë do shërbejnë pasuritë e Shqipërisë?

Ndërkohë që Shqipëria nuk mund të bëjê vetëm, pa kombet e tjera, ndërkohë që ajo është e hapur si asnjë komb tjetër, kjo teori ndërtohet pikërisht për të mos i dhënë përgjigjen që meriton kjo pyetje, sepse në fakt nuk ekziston sot asnjë forcë e vërtetë që të dojë të mbyllë Shqipërinë siç e kish mbyllur Enver Hoxha.

Problemi sot nuk është: Të hapemi apo të mbyllemi. Problemi sot është, si do të hapemi pa dëmtuar veten? Teoria e «mos mbylljes» fsheh shtrimin e këtij problemi.

Për të argumentuar nevojën e shtrimit të kësaj pyetjeje është e nevojshme ta lidhim atë me konceptin e njeriut qe mban i vetëm fatet e kombit në dorën e tij, sepse dihet që lobet e huaja kanë interes të mos negociojnë me demokracinë, por me njeriun e vetëm që vendos.

Le të marrim shembullin e më poshtëm që është një shembull për nxënës.

Artikulli i gazetares se njohur Claudia Patricolo me titull: “Ekonomia shqiptare nuk po përfiton nga rezervat më të mëdha të naftës në zonë (ku ndodhet: shën. im) i botuar më 28 nëntor 2017 në Emergineurope, zbulon një të vërtete që i afrohet asaj të Afrikës.

Kur Shqipëria është vlerësuar nga Shoqata Shqiptare e Energjisë, se ka rezerva që kalojnë 277 milionë fuçi nafte dhe se zona Patos-Marinëz-Kolonjë është zona më e madhe e naftës në kontinentin evropian, Klaudia Patricolo pyet e habitur presidentin e shoqatës, Z. Erlet Shaqe: « përse atëherë vendi nuk po përfiton nga industria e naftës?»

Përgjigja e këtij djali të ndjeshëm, poet tridhjetëvjeçar është po aq e pa ndjeshme nga boshti kryesor i pyetjes: « kjo varet nga mënyra se si janë bërë marrëveshjet», se « shoqëritë e huaja të naftës nuk duan të marrin përsipër koston e shfrytëzimit dhe, për pasojë Shqipëria ka fituar më pak se 2% të vlerës së prodhimit.»

Kjo në një farë mënyre është të paguash shoqëritë e huaja që ata të marrin naftën tonë dhe ne të dalim me 2% të fitimit. Ndoshta ai ka të drejtë por fakti që i përgjigjet pyetjes shqetësuese me ftohtësi burokratike pa hapur asnjë perspektivë, është shqetësues.

Ja se për kë janë pasuritë e Shqipërisë!

Kjo është përgjigja e «politikes reale» por kjo përgjigje nuk shpalos ëndrrën e shqiptarëve, as objektivin e tyre. Më shume shqetësim mban pyetja e Klaudia Patrikolos se sa përgjigja e shqiptarit. Lobet mund të kenë më shume fitime në komunikim me një njeri që i vetëm mban fatin e kombit në dorë, se sa me një popull sovran qe ka krijuar të gjitha mekanizmat e zbatimit të sovranitetit të tij. Përndryshe Shqipëria do të kthehet në një Afrikë të vogël në gjirin e Evropës. Vendit iu desh për tridhjetë vjet të ripërsërisë historinë e konceptimit në barkun e nënës të një shoqërie që quhet shoqëria kapitaliste, duke kaluar, ashtu siç kalon fetusi i njeriut në rritjen e tij, të të gjitha fazat e evolucionit të qenieve shtazore, të zbuluara nga shkenca: fazat ku ne fillim i ngjan peshkut, pastaj derrit, pastaj njeriut. Kështu dhe Shqipëria po kalon fazat që na kujtojnë atë të kaubojsve në lirinë kaotike ku zotëron ligji i më të fortit prej tyre, pa ekuilibrin që u vendos më vonë. Kjo fazë e parë është faza e zhvillimit të iniciativës private, por pa drejtësinë e vendosur, sepse kaubojsit me mekanizmat e tyre opake pushtuan dhe drejtësinë. Kjo fazë është në mbarim. Ajo na kushtoi 30 vjet, më shumë se gjysma e epokës së diktaturës, por shumë, shumë më pak se ç’i kushtoi në histori Amerikës. Prandaj ne kemi të drejtë të shpresojmë në zgjuarsinë dhe vullnetin e të gjithë shqiptarëve. Jam i sigurt që populli më kupton drejt. Shpresoj që edhe anëtarët e të dy partive të më kuptojnë aq drejt sa më kupton populli. Shefi nuk është drejtësia. Pa organizmin e shëndoshë të Drejtësisë nuk mund të ketë shpresa. Këtë proces do ta ndalojnë ose frenojnë vetëm forcat egoiste që duan të nxjerrin sa më shume fitim nga Shqipëria jonë e pasur. Por populli nuk mund të jetë sovran po nuk nguli këmbë të ndërtojë aparatet e demokracisë që do të japin kuptim sovranitetin e tij të shpallur nga Kushtetuta. Le të kujtojmë edhe një herë mësimin që na la historia e shekullit XX: Fatet e vendit nuk duhet të lihen në dorën e vetëm një njeriu.