Fati i 18 qershorit, në dorën e Kolegjit Zgjedhor

495
Alma ÇUKA

Listat e kandidatëve në Kolegjin Zgjedhor, Kume: Zgjedhjet e 18 qershorit një farsë
Opozita ka hapur një “front” të ri kundër KQZ. Depoziton në Kolegjin Zgjedhor animimin ndaj vendimit të KQZ për pranimin e listave të kandidatëve. Kërkon shfuqizimin dhe me këtë rast bërjen e zgjedhjeve “nul”
Kemi hyrë në një situatë tejet të vështirë për sa i përket krizës që ka mbërthyer klasën politike dhe gjithë vendin. Kundërshti të forta në KQZ mes opozitës dhe përfaqësuesve të së majtës. Kundërshti edhe ndaj vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili në 29 prill vendosi të pranoi listat e kandidatëve për deputet të depozituara nga partitë e regjistruara për zgjedhjet e 18 qershorit. Sot ku është shkurtuar afati që na afron me ditën e zgjedhjeve jemi përpara një situate të turbullt. Njohës të ligjit dhe Kodit Zgjedhor japin mendime të ndryshme për situata të njëjta. Opozita dorëzoi në Kolegjin Zgjedhor ankimin kundër miratimit të listës së kandidatëve. Por si e sheh ish-kryetari i KQZ Kristaq Kume këtë situatë? Çfarë thotë ai nëse Kolegji pranon kërkesën e opozitës dhe shfuqizon vendimin për listat e kandidatëve? Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, Kume jep mendimin e tij juridik. Shprehet edhe për mënyrën sesi është arritur deri në këtë pikë. 
Zoti Kume, opozita ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ e cila pranoi listat e kandidatëve për deputet të dorëzuara në 29 prill nga partitë e regjistruara në zgjedhje. Si do të procedohet më tej nëse Kolegji shfuqizon vendimin e KQZ?
Është shumë e qartë se në qoftë se Kolegji do vendos të hedh poshtë vendimin e KQZ të marrë për listat e kandidateve te subjekteve zgjedhore, atëherë jemi përpara faktit se zgjedhjet në 18 qershor nuk mund të bëhen. Kjo për faktin se sistemi zgjedhor tek ne parashikon që zgjedhësi të votojë për subjektet politike dhe në të njëjtën kohë subjektet politike kanë detyrimin që t’i paraqiten zgjedhësit me listën e kandidatëve të tyre. Por nëse Kolegji Zgjedhor i thotë jo listave, atëherë në mungesë të tyre nuk mund të kryhet votim. Pra shkurt, në zgjedhje nuk mund të shkohet dhe të votohet për një subjekt. Nese Kolegji Zgjedhor mendon se KQZ ka marrë një vendim në kapërcim të kushtit të parashikuar në Kodin Zgjedhur dhe për pasojë do ta bëjë nul jemi në kushtet kur zgjedhjet nuk mund të zhvillohen.
Si mund të veprohet pas këtij momenti?
Pas kësaj një ndër mundësitë që KQZ mund të veproj është të deklaroj të pavlefshëm procesin zgjedhur dhe pastaj për analogji KQZ i referohet dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat rregullojnë procesin. Duhet thënë se maksimumi që nga KQZ mund të pritet një datë tjetër për zgjedhjet është 25 qershori. Por për mendimin tim edhe kjo nuk mund të zgjidhte situatën. Mund të lëvizte data, por në këto kushte nuk kemi listat e kandidatëve. Nga ana e saj KQZ nuk mund të rishqyrtoj kërkesat për regjistrimin e kandidatëve, pasi kjo nuk parashikohet në asnjë dispozitë. Edhe në rastet kur KQZ i referohet dispozitës që ka të bëjë me përsëritjen e zgjedhjeve, dispozita nuk thotë që KQZ të shprehet për kandidatët.
Kush mund t’i japë zgjidhje këtij ngërçi?
Për mua zgjidhjet duhet të kërkohen në Kuvend. Kuvendi nuk është i shpërndarë por është në detyrë deri në shtator. Ai në një mbledhje të jashtëzakonshme të tij duhet të shqyrtoj situatën dhe ti jap zgjidhje problemit. Në qoftë se Kolegji Zgjedhor do ta konsideroj të mirëqenë vendimin KQZ për regjistrimin e kandidatëve, problemi është në rregull, vazhdon procesi.
Çfarë nuk është në rregull atëherë, ku çalon problemi?
Unë nuk jam i bindur për atë se çfarë do të realizoj ky proces. Për mua janë dy qëndrime që duhen mbajtur. E para apriori mospjesëmarrja e partive të opozitës në zgjedhje do të thotë që në këtë proces të demotivohen pothuaj gjysma e zgjedhësve shqiptar. E dyta pas procesit duhet parë rezultati i zgjedhjeve, pjesëmarrja do të jetë një tregues për reagimin e zgjedhësve shqiptar ndaj këtij procesi, që me këto kushte të deri sotme, konsiderohet pa frikë si një farsë zgjedhore, ka votim por jo zgjedhje. Në qoftë se i referohemi asaj se çfarë ka ndodhur gjatë 25 viteve ku shqiptari është i ndarë në dy kampe të djathtë dhe të majtë, nuk mundet që në këto zgjedhje t’i hiqet e drejta votuesit të djathtë për tu drejtuar kutive të votimit. 
A mendoni se kjo situatë mund të çojë në destabilizim të vendit?
Që situata të dalë jashtë kontrollit, këtë nuk di ta them, por di të them atë që procesi zgjedhur si i tillë nuk është duke u zhvilluar në përputhje dhe sipas pritshmërive. Që do të thotë që si një proces që duhet t’i jap një mësim të gjithë shtetasve me të drejtë vote, ta përdorin këtë të drejtë. Fakti që kemi hyrë në një proces ku opozita nuk bënë pjesë, bënë që procesi të devijoj ndjeshëm nga objektivi kryesor i tij që është mundësia që u jepet shtetasve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Sigal