Fasonët, Vasili-Veliajt e Ahmetajt ‘Të përfshihen paketat e premtuara’

447
Sigal

TIRANE – Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, në interpelancë gjatë seancës së sotme në Kuvend, i ka kërkuar Ministrit të Mirëqënies Sociale Erion Veliaj dhe Ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, një sërë paketash në ndihmë të biznesit fason, të cilat nuk janë parashikuar në buxhetin e vitit 2015, ashtu siç u premtua nga qeveria dhe më konkretisht nga Kryeministri Edi Rama

Në fjalën e tij, Vasili kërkoi nga Ministrat Veliaj e Ahmetaj llogari lidhur me  mospërfshirjen e fondit të punësimit për biznesin fason në vlerën prej 5 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit për vitin 2015, ashtu siç u premtua nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Madje sipas Vasilit ky fond punësimi për biznesin fason, jo vetëm që nuk është shtuar, por ai është edhe më i vogël se viti i kaluar, nga 2.7 në 2 milionë dollarë parashikuar për vitin 2015.

Në këtë kontekst Vasili kërkoi një reagim të shpejtë të këtyre dy institucioneve për aq kohë sa buxheti i vitit të ardhshëm nuk ka mbërritur në Kuvend. Dhe ky korrigjim, sipas Vasilit duhet të vijë në kuadër të nismës për biznesin fason në Shqipëri, që siç theksoi kreu i grupit parlamentar të LSI, është një angazhim Qeveri-Parlament.

“Janë për tu përshëndetur takimet e shumta të Ministrisë me biznesin fason. Më bëri përshtypje edhe takimet e grupit të LSI me fasonët ku vërejtjet dhe shqetësimet e tyre do të merreshin në konsideratë nga Ministria. Megjithatë një nga çështjet themelore, mbetet punësimi i shqiptarëve. Jashtë kësaj optike iniciativa nuk do ta kishte rëndësinë e duhur. Por nisur nga mësipër përbën shqetësim për mua, ku shpjegimet e biznesit nuk janë ezauruese për mua, sepse kemi pasur një prononcim të qartë të kryeministrit Rama se rritje prej 5% e tatim fitimit në biznesin tuaj do të kontribuojë në vetveten. Gjithashtu ka thënë se do të jenë 5 milionë dollarë që do tu vihen atyre që hapin vende pune. Fati ka sjellë që kemi sot projekt buxhetin në dorë, dhe nga Ministria e Mirëqënies Sociale, nuk ka asgjë të veçantë dhe nga këto shifrat e bëra publike nga kryeministri. Fondi është 2 milionë dollarë, jo vetëm që nuk ka futur fondin prej 5 milionë dollarësh për biznesin fason por është edhe më i vogël se një vit më parë, i cili ishte 2.7 milionë dollarë. Besoj që ditët janë përpara dhe jemi në këtë shkëmbim pikëpamjesh dhe idesh dhe këto gjëra që ose janë harruar, të kenë vëmendjen e duhur, sepse ky nuk është një angazhim i qeverisë, por qeveri-parlament. Këtë fakt as nuk duhet harruar dhe reflektimi duhet të jetë i shpejtë.” theksoi Petrit Vasili