Fane Stefan Tarifa/ Besojini Frontit të Majtë në zgjedhjet lokale

463
Ja shihni ‘thesin’ që ka hapur pushteti aktual! Është ky pushtet i “Majtë” i vetëquajtur si i tillë! Thes me premtime, thes me dhurata dhe me oferta pune, madje edhe me emërime provizore! Ecni me ne, thonë pushtetarët, ecni me Rilindjen, që të gëzoni këto kocka që po ju servirim, ndryshe s’keni asgjë, madje ne ua heqim edhe atë pakëz gjë që ju ka mbetur! Ja dhe opinionet tunduese të së djathtës që merakoset aq shumë për popullin! E djathta kërkon gjoja masa sociale, si ulje çmimesh, ulje taksash,punësime etj, etj, gjëra që kur ishte në pushtet as që i mendonte, pa le t’i bënte! Ja dhe strukja famëkeqe e së “Majtës tumorale”, e atyre rudimenteve majtiste që duke trashëguar emrin si të tilla, vetëm servilosen, bëjnë ndonjë kërkesë në formën e lypsarit të përvuajtur dhe atyre, Padrinove, u bëjnë temena dhe lajka, në premtim të ndonjë kocke sa për ta lëpirë! Kë të besojnë njerëzit e thjeshtë, ata që më së shumti janë të çorientuar nga gjithë kjo propagandë shurdhuese?! A ka vend ende për zhgënjime? A mund të shitet ndërgjegja dhe besimi kaq lirë tek uzurpatorët e përhershëm, tek ata që kanë aq shumë kapitale sa sfidojnë realitetin! Është e njohur aforizma se: Më gënjeve një herë mirë ma bëre, më gënjeve për herë të dytë të thuhet të lumtë, por po vazhdove të më gënjesh përsëri e kam fajin vetë unë që gënjehem! Njerëzit e thjeshtë, bizneset e ndershme, janë në udhëkryq dhe pikëpyetjet rendojnë si makth mbi ta! Çfarë të bëjnë dhe anën e kujt të mbajnë?! A mund të besohet kush në këto rrethana, kur aq shumë janë tallur me këtë popull?! Me gjithë këto premtime boshe të të ashtuquajturës së majtë në pushtet, mashtrimi dhe zhgënjimi doli hapët! Njerëzit që aq shumë shpresonin, ata që aq shumë u mobilizuan për atë ndryshim panë një anë tjetër të medaljes, panë atë anë që kurrsesi nuk e prisnin! E majta që u rivendikua në pushtet i befasoi ndjekësit e vet, sidomos militantët dhe veprimet e tyre ranë ndesh me të gjitha ëndrrat e shpresat e ndjekësve të tyre! U pa se këta pushtetarë, më shumë se kushdo janë vënë në garë me të djathtët se kush gjoja është më “afër interesave të popullit” dhe anatemojnë njeri-tjetrin duke tundur flamurin e antikomunizmit dhe tashmë ju ka dalë boja fare se nuk kanë asgjë të majtë! A janë vërtet të majta ata që struken në strehën e PS dhe partive të tjera të majta? Janë të shumtë ata që dyshojnë, sepse atje struken vetëm krerët që edhe ata janë tepër të paktë dhe struken thjesht për ndonjë interes banal! Jo nuk janë të majtë, se po të ishin të tillë do bashkoheshin, se të majtët vënë në plan të parë interesat e masave të gjera të popullit dhe jo interesat e cekta të krerëve, të këtyre palo krerëve, që janë shkëputur nga populli i vet, që janë plakur si në teori ashtu dhe në gjendjen fizike moshore! Të majtët me sens novator e kanë parë dhe e shohin teorinë si udhëheqje për veprim dhe jo si dogmë, prandaj vazhdueshmërinë e brezave e kanë pasur dhe e kanë si parim udhëheqës! Ata të vetëquajtur të majtë që bazohen vetëm në moshën e tretë, që janë distancuar nga gjaku i ri, tashmë kanë mbetur në rolin e qyqes së vetmuar dhe zëri i tyre mbetet i dobët, pa forcë dhe pa tingull. Të jesh sinqerisht i majtë do të thotë të vësh interesat e çastit në shërbim të atyre të perspektivës dhe të kesh vazhdimësi brezash, gjë që këta krerë aktualë nuk e kanë, por që kanë një vulë dhe një emër të legalizuar në gjykatë dhe me të kapardisen duke tradhëtuar idealet e njerëzve të thjeshtë, madje edhe të atyre që i ndjekin! Ka nga ata të majtë që ende ëndërrojnë për ndonjë post, apo vend pune dhe shesin interesat dhe idealet e ndjekësve të vet në tratativa famëkeqe kundër vetë programeve që kanë shpalosur! Është kjo krizë e së majtës, që i vjen pas midesë së shumti të djathtës, madje po aq edhe partive në pushtet, sepse i përdorin ato (segmentet e majta dhe opinionin e majtë) si ‘mish për top’ për interesat e tyre! Po nuk u nënshtrove atyre, të mëdhenjve, je patjetër arenë sulmesh dhe mjeti më efektiv në kushtet aktuale të një varfërie të skajshme, është vendi i punës, emërimi apo largimi nga një vend pune, gjë që përdoret si gur shahu ndaj atyre që orvaten t’u kundërvihen të fuqishmve, ose edhe të rivalizojnë me ta! O ju të vetëquajtur lidera të forcave të majta! Në rast se keni sadopak dinjitet politik, në rast se ju ngacmon sado pak qënësia e majtë, mos harroni se historia do t’iu gjykojë për këto prapësi tuajat, për këto mbrapshti që ju bëni në koalicione dhe grupime, për përzierjen në çorbën e atyre që deri më tash e kanë maskruar këtë popull! Fronti i Majtë nuk mund të bëhet ortak me të djathtët dhe as me ata që në fakt janë më të djathtë se vetë të djathtët, sepse beson në idealet e pastra dhe sinqeritetin e njerëzve të ndershëm të këtij vendi, se jo të gjithë mund të blihen, prandaj ka dalë si subjekt i pavarur më vehte! Të dashur bashkombas, të gjithë ju që votoni! Besojini më shumë Frontit të Majtë sepse vetëm ai e mban të gjallë shpresën që po ju venitet, se vetëm fronti i majtë do vendosë realisht drejtësi dhe mirëqënie për këtë popull! Vetëm Fronti i Majtë mund të vendosë tek pronari legjitim pronën, aty ku i takon tek pronari popull, atë seri pasurish që e përfitojnë me shumicë të huajt, ndërkohë që populli ynë që është pronar i tyre lëpin gishtrinjtë! Çfarë faji kanë njerëzit e sinqertë që besojnë në idealet e majta që të tradhëtohen pabesisht nga kjo armatë e hipokrite që po hiqet si e majtë? Mos harroni se gjykatësi më i madh është Gjykatësi – Popull dhe të shpresojmë se këtë radhë ai do ta tregojë vlerësimin e vet edhe me votë, në rast se ajo nuk do tjetërsohet nga hajdutët legjitimë, që janë bërë specialistë në procesin e vjedhjes së votës së qytetarëve! 
Sigal