Familjarë të politikanëve, anëtarë të bandës së tritolit

440
Sigal

Përveç komunikatës policore, duhen sqaruar lidhjet familjare e fisnore të të arrestuarve me politikanë të Majtë në Vlorë e Tiranë

Situata e rëndë e kriminalitetit, rritja e krimit dhe përdorimi masiv i tritolit bëri që tek qytetarët të krijohej ndjenja e pasigurisë dhe e panikut, duke na kujtuar ditët e zeza të 1997-s. Kjo situatë e rëndë e shoqëruar, edhe me pasoja në humbje jetësh hodhi idenë se po vinte koha që ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri duhet të largohej në mënyrë vullnetare, pasi reforma e tij është pjesë e dështimeve. Sigurisht që, qëllimi ynë apo shqetësimi qytetar nuk ka të bëjë kurrsesi me dekurajimin në luftën kundër krimit dhe kriminelëve. Qëllimi ynë është dhe ka të bëjë me faktin e vetëm që punonjësit e paaftë dhe bashkëpunëtorët e policisë me krimin të shkojnë padrejtësisë dhe rendi të normalizohet sa më shpejt. Por që të arrihet kjo, duhet që lidhjet nepotike që kanë uzurpuar Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme sipas “Pemës”, Tahiri, të shkëputen urgjentisht  dhe të aftit të zënë vendin që u takon. Në të kundërt, sukseset e policisë do të mbeten sporadike dhe pjesë e shout mediatik të Saimirit, i cili ashtu sikurse lyen flokët me xhel, po ashtu nuk duhet të harrojë këshillat e sinqerta dhe profesionale të atyre, që vërtetë e duan rendin dhe suksesin e forcave të Policisë së Shtetit.  Por le t’i kthehemi rastit të djeshëm, kur një grup banditësh dhe kriminelësh janë ndaluar dhe gjatë kontrollit të banesave janë gjetur bomba me telekomandë  dhe janë një ogur i mirë për të gjetur fillin se kush i bën vrasjet, për të arritur më vonë, edhe në faktin se kush i porositi këta. Me pak fjalë, krimi dhe kriminelët si dhe ata që mbajnë gjallë këta banditë, duhet të japin llogari për çdo veprim mafioz që kanë kryer. Por a është e vërtetë që këta të gjithë kanë bërë këto krime dhe a do të farkëtohen, sepse larg qoftë, mos na del si ajo e para pak ditësh kur arrestohet një i arratisur nga burgjet greke dhe policia i faturon edhe “Vjedhjen e Babagjyshave”, duke thënë se, pranoj edhe grabitjen tek TEG-u. Përfundimi? U nxituam,- thotë policia dhe i arrestuari thotë që, as që kam dijeni për një gjë të tillë. E pra, duhet përgjegjësi dhe mbi të gjitha përgjegjshmëri, pasi më mirë një kriminel i lirë sesa një i arrestuar i pafajshëm. Dje, gjithë shqiptarët dhe sidomos Tirana dhe Vlora dy nga qytetet më të prekura nga vrasjet mafioze dhe shpërthimet e tritolit, u lumturuan dhe u gëzuan për operacionin spektakolar të policisë. Madje, duhet motivuar ky aksion dhe duhen thënë fjalët më të ngrohta dhe më të mira për ata specialistë që drejtuan dhe arritën këtë sukses.  Kryesore është që, këta njerëz të arrestuar të jenë vërtetë ata që kanë kryer krime dhe të tjerët të jenë mbështetësit e vërtetë. Por policia duhet ta çojë deri në fund aksionin dhe të gjejë se kush janë nxitësit dhe për llogari të kujt i bënin krimet mafioze këta banditë. Por që të arrihen këto, duhet transparencë dhe se politika që i nxit, të ndëshkohet në të njëjtat përmasa sikurse edhe politikanët që i fshehin këta kriminelë. Dje policia përmendi emra dhe aktivitetin e të arrestuarve, përmendi krimet që kanë bërë dhe materialet që përdornin për krimet. Por policia harroi të thoshte se cilat janë lidhjet familjare, nepotike të disa prej të ndaluarve, me funksionarë të Partisë Socialiste në Vlorë apo Tiranë!? A kanë dijeni dhe a ka lidhje midis vrasjeve dhe grupeve rivale të politikës. A kanë lidhje bizneset dhe konkurrenca, jo vetëm në Vlorë, por edhe në Tiranë e Durrës. Nëse ne kërkojmë të jemi të sinqertë me veten dhe qytetarët duhet të bëjmë më transparente lidhjet e ngushta të disa prej kriminelëve me drejtuesit e lartë të politikës dhe administratës së zonave, ku ndodhën rastet kriminale. Këtë gjë duhet të sqarojë politikisht ministri Sajmir Tahiri, sado të hidhura të jenë faktet dhe sado të rëndësishëm të jenë njerëzit e implikuar. Në të kundërt, ne do vazhdojmë të gënjejmë veten dhe tritoli, që shpërtheu dje mbrëma në  makinën e një tregtari italian do bëjë punën e vet, pasi kriminelët e vërtetë, sorollaten dhe qëndrojnë në pritje të gjahut të radhës.