Falsifikon dokumentet dhe fsheh 2 milionë euro pasurie, ILDKPKI kallëzim penal ndaj gjyqtarit Gjin Gjoni

460
Sigal

Sikundër kishte paralajmëruar vetëm dy ditë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka bërë dje publik një tjetër emër zyrtari për fshehje të pasurisë. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, njëherësh anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni. Ndaj këtij subjekti ILDKPI ka ngritur kallëzim penal për fshehje pasurie dhe falsifikim të dokumenteve. ILDKPKI gjithashtu, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme edhe ndaj bashkëshortes së tij Elona Çaushi, noteres, Margena Çela, noteres, Gentiana Shkodra për veprat penale të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsionit. Përsa i përket problemeve të konstatuar, bazuar në nenin 15 germa “b”, neni 17 germa “ç” të ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publikë”, i ndryshuar, ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për shkeljet e konstatuara. Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar nisjen e hetimit të brendshëm administrative për të nxjerrë shkaqet dhe përgjegjësitë që kanë bërë të mundur, që një çështje e tillë me prova të qarta të ardhura nga institucionet shtetërore, të mos ndjekë rrugën ligjore, por të mbyllet si e rregullt, pa probleme dhe në përputhje me ligjin. I pyetur nga Zëri i Amerikës, Gjoni e konsideroi absurde të gjithë këtë situatë dhe faktin se ai nuk është thirrur për asnjë lloj shpjegimi nga Inspektorati, por e ka marrë vesh denoncimin ndaj tij vetëm nga mediat. Ai shpjegoi se pasuritë i takojnë bashkëshortes së tij dhe janë krijuar para se ata të martoheshin. Sipas gjykatësit Gjoni, e gjitha kjo është një farsë politike, që përmes tij të goditet Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të justifikohen ndërhyrjet që sipas tij shumica kërkon të realizojë në Drejtësi.