Faleminderit shpëtimtarë! Faleminderit Kosovë! Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta: Kosova ishte e para në ndihmë dhe dekoron Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e specializuara të kërkim-shpëtimit. Haradinaj: Ne jemi më të bashkuar se kurrë, nuk ka tërmet që na ligështon

470
Sigal

Presidenti Meta vlerëson Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe njësitë e specializuara të kërkim-shpëtimit

Faleminderit Kosovë! Faleminderit shpëtimtarë!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dje Forcat e Sigurisë së Kosovës, Njësinë Operacionale të Policisë, Ekipin e Zjarrfikësve të Kosovës, Njësinë K9 si dhe të gjithë ekipet e specializuara që nëpërmjet gatishmërisë së lartë, profesionalizmit të spikatur dhe sakrificave të pakursyera gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit, treguan një ndjenjë të pashembullt solidariteti vëllazëror pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Kazermën Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, Presidenti Meta në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues çmoi Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” “Për gatishmërinë e lartë, profesionalizmin e spikatur dhe sakrificat e pakursyera të treguara gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues.” Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi dhe Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për gatishmërinë, profesionalizmin dhe trimërinë e treguar gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim dhe me mirënjohje shtetërore për sakrificat humaniste si dhe për aktet e pashembullta frymëzuese të solidaritetit më të lartë qytetar”. Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës u shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin shtetëror për heroizmin dhe solidaritetin vëllazëror, si dhe në vlerësim e me mirënjohje për sakrificat e pashembullta të bëra gjatë kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019: Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Korporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.

Presidenti Meta: Kosova ishte e para

Në këtë betejë, tashmë me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundur, për të na u gjendur pranë sa më shpejt të ishte e mundur. Por, Kosova ishte e para që u ndodh atje menjëherë në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës. Ekipet tuaja nuk ishin atje vetëm fizikisht dhe profesionalisht, por në radhë të parë njerëzisht, vëllazërisht dhe shqiptarisht duke rrezikuar edhe jetën e tyre për të shpëtuar shumë jetë të tjera. Populli shqiptar do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, Togës së Kërkim-Shpëtimit, Ekipit Mjekësor, Ekipit të Kompanisë për Operacionet Civile, Ekipit për Kiminë, Policisë Ushtarake, Njësisë për Komunikimin, Ekipit për Mbështetjen në Vlerësim të Ndërtimit të Ndërtesave dhe të Rrezikshmërisë, Çetës së Shpëtimit të Trepçës dhe Artanës, Njësisë Zjarrfikëse, Koorporatës Energjetike të Kosovës, që treguan maksimalisht solidarizim, profesionalizëm dhe gatishmëri të jashtëzakonshme. Ju shpëtuat shumë jetë. Ju ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira dhe për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës! Të gjithë qytetarët tanë shprehin mirënjohjen më të thellë e më të përzemërt të mbarë popullit tonë, dhe sidomos të komuniteteve më të goditura për këtë solidaritet shembullor dhe për këtë ndihmë vëllazërore. Me këtë kurajë të pashembullt ju na dhatë forcë edhe ne të gjithëve. Shfrytëzoj këtë rast sot të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë popullin e Kosovës që dha një ndihmë të pakursyer dhe tregoi një gatishmëri të pashoqe, duke dëshmuar edhe një herë zemrën e madhe që e ka karakterizuar gjithmonë. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e fortë dhe e patundur si në kohë të mira, ashtu edhe në momente dramatike. Kosova ka një zemër bujare! Në këtë fatkeqësi edhe njerëzit më të thjeshtë e me mundësi më të pakta ekonomike shprehën gatishmërinë t‘iu dalin në krah motrave e vëllezërve shqiptarë me ndihma nga më të ndryshmet e deri në strehimin e tyre, duke ndarë edhe varfërinë e tyre. Kosova me zemër të madhe, ka edhe bij e bija trima, të përkushtuar dhe profesionistë siç janë të gjithë ekipet, të cilat kam privilegjin t’i takoj dhe t’i nderoj sot këtu. Falënderoj nga zemra gjithsecilin prej jush! Puna dhe solidariteti juaj nuk ka për t’u harruar kurrë! Është e vërtetë se tërmeti i 26 nëntorit tundi fort, si asnjëherë më parë, themelet e mijëra e mijëra ndërtesave në Shqipëri dhe madje i rrëzoi shumë keq shumë prej tyre. Por është po kaq e vërtetë se ai provoi se themelet e solidaritetit tonë mbarëkombëtar dhe mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë. Ndaj dhe një herë faleminderit shumë shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për solidaritetin e tyre të jashtëzakonshëm! E puth në ballë qenin hero të Kosovës!”

DW : Presidenti Meta falënderon njësitet e Kosovës, por nuk harron as qenin hero

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta po qëndron për vizitë në Kosovë. Ai ka vizituar kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, në Prishtinë, ku u prit me nderime të larta nga njësitet ushtarake dhe policore. Me këtë rast ai ka ndarë dekorata në shenjë falënderimi për ndihmën dhe mobilizimin ndaj shqiptarëve të prekur nga tërmeti. Meta ka falënderuar njësitë dhe institucionet, si KEK, Zjarrfikësit e Komunës se Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës…. Presidenti Ilir Meta tha se çdo vend i NATO-s do të ishte i kënaqur me atë që ka shfaqur FSK-ja gjatë ditëve të kërkimimit dhe shpëtimit në Shqipëri. Presidenti Meta puth qenin “hero” të ekipit të shpëtimit të Kosovës. Presidenti Meta nuk harroi të falënderonte edhe qenin hero të FSK-së, i cili shpëtoi disa jetë nën rrënojat e pallateve në Durrës dhe Thumanë. Ai u përkulur duke e puthur në ballë qenin hero.

Presidenti Meta në Prizren, takim me shqiptarët e strehuar nga tërmeti

Presidenti Meta niset drejt Prizrenit par të takuar qytetarët nga Shqipëria që janë strehuar në Kampin e Inovacionit. Presidenti Meta do takohet ne Kampin e Prizrenit me shqiptarët që ju shkatërruan banesat nga tërmeti i 26 nëntorit. Presidenti Meta do interesohet par kushtet e shqiptarëve të prekur nga tërmeti që janë strehuar në Prizren.