Faktet/ Edi Ramës i intereson humbja me Beketin, ja “gafat” e qeverisë shqiptare në Arbitrazh

659
Sigal

Qeveria e Edi Ramës jo vetëm që ka humbur, por as nuk ka pasur vullnetin për të fituar përballjen në Arbitrazhin ndërkombëtar me biznesmenin italian, Francesko Beketi, i cili tashmë do të marrë 110 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për kapriciot e kryeministrit.

Arsyeja pse shteti shqiptar humbi është e lehtë për t’u analizuar dhe faktet do të jepen në vijim. Ajo që krijon pikëpyetjet më të mëdha është “përse” shteti shqiptar zgjodhi të humbiste përballë Beketit.

Pse humbi Shqipëria përballë Beketit
Në fund të Prillit 2019, Arbitrazhi Ndërkombëtar pranoi paditë e ish-pronarit të Hydro srl, kompania që kishte marrë me koncension hidrocentralin e Kalivaçit, si edhe kishte në pronësi televizionin “Agon Channel”.

Këto aktivitetet të Beketit u sekuestruan nga autoritetet shqiptare, në vijim të faturave të pashlyera tatimore dhe akuzave për “pastrim parash” ndaj biznesmenit, nënës së tij Liljana Kondomiti dhe dy bashkëpunëtorëve të tjerë të tyre.

Në vitim 2016, në vijim të sekuestrove të vendosur nga shteti shqiptar, Francesko Beketi ngriti padi ndaj shtetit shqiptar në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Konflikteve të Investimeve (ICSID).

Në bazë të procedurave të ICSID, të ratifikuara nga Parlamenti Shqiptar në vitin 1991, shqyrtimi në Arbitrazhin ndërkombëtar kryhet nga 3 arbitra, sipas formulës-njëri e zgjedh pala paditëse (Beketi), një e zgjedh pala e paditur (Shteti Shqiptar) dhe i treti, i cili kryen edhe rolin e kryetarit, zgjidhet nga dy arbitrat e parë.

Në çështjen “Hydro srl kundër Shqipërisë”, shteti shqiptar ka zgjedhur si arbitër britanikun Ian Glick. Në bazë të të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Bankës Botërore, z. Glick rezulton të ketë një përvojë tejet modeste në procedurat e arbitrimit ndërkombëtar. Ai kishte marrë pjesë në proces Arbitrazhi vetëm një herë të vetme, para se ai të zgjidhej nga autoritetet shqiptare për t’i përfaqësuar në padinë e Beketit.

Përballë tij gjendej arbitri i zgjedhur nga Beketi, zvicerani Charles Poncet, i cili kishte një aktivitet të pasur arbitrazhi ndërkombëtar, pasi kishte marrë pjesë në nëntë raste të tjera.

Ndërkohë, dy arbitrat e zgjedhur nga palët, vendosën si kryetar australianin Michael Pryles, një “ujk i vjetër” i procedurave ndërkombëtare, me rreth 20 pjesëmarrje në Arbitrazh.

Duket qartë që zgjedhja e arbitrit nga shteti shqiptar, një avokat pa përvojë në çështje të kësaj natyre, kishte predispozitën për t’i dhënë mundësinë Beketit që të fitonte.

Pra, shteti shqiptar kishte vendosur të humbte përballë Beketit. Por përse?

Përse i interesonte humbja Edi Ramës
Prej disa ditësh, Edi Rama dhe qeveria e tij kanë zgjedhur të mos japin asnjë koment për humbjen kolosale të 110 milionë eurove përballë Francesko Beketit. Kryeministri po luan rolin e “fajtorit” që nuk ka çfarë të thotë.

Në fakt, e vërteta është shumë më ndryshe dhe ajo gjendet tek rrjedhojat e vendimit të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

1. Me këtë vendim, Francesko Beketi largohet përfundimisht nga tregu shqiptar. Ai arkëton plot 110 milionë euro dhe u lë rrugë të lirë biznesmenëve të tjerë italianë, të lidhur me qeverinë dhe “lojtarë” të tjerë pranë qeverisë, të cilët ndiheshin të kërcënuar nga hegjemonia ekonomike e Beketit në Shqipëri.

2. Largimi i Beketit nga tregu shqiptar, sidomos nga hidrocentrali i Kalivaçit, i jep mundësinë qeverisë shqiptare që të vijojë procedurat e nisura prej dy vjetësh me kompaninë “Fusha” shpk, një ndër bizneset më të afërta të qeverisë së Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në fund të vitit 2017, kohë kur çështja ishte ende në shqyrtim në Arbitrazhin Ndërkombëtar, qeveria shqiptare ia kaloi koncensionin e hidrocentralit të Kalivaçit kompanisë “Fusha” shpk. Pra, duket qartë që, ende pa u mbyllur procedurat në Arbitrazh, shteti shqiptar kishte caktuar pasardhësin e Francesko Beketit dhe “Hydro srl” në atë sipërmarrje gjigande.

Ndaj,largimi i Beketit dhe kompanisë së tij nga koncensioni i Kalivaçit ishte shndërruar në domosdoshmëri për qeverinë shqiptare, pavarësisht kostove.

3. Sa për kostot e vendimit, kjo duket se nuk është aspak problem për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Shuma kolosale prej 110 milionë eurove, e cila do të shkojë për llogari të Francesko Beketit, do të paguhet nga taksat e qytetarëve. Pra, edhe ajo shumë, siç ka ndodhur për vendimmarrje të tjera të gabuara të qeverisë së Ramës, rëndon mbi qytetarët.bn