Fabian Topollaj: PD po shkon drejt zhdukjes, sot është në pikën më të ulët

466
Si e lexon daljen e Berishës në një deklaratë të fortë kundër Bashës. Pse foli në këtë momente jo më parë?
Sigurisht që problematika në PD ka qenë një proces që ka ardhur në rritje. Ishte e vështirë që të mund të parashikoje që në fillim zhvillimin e ngjarjeve dhe degradimin që pësoi vendimmarrja në PD. Unë kam qenë i sigurt që herët apo vonë Berisha do të reagonte. PD po riskon të shkojë drejt zhdukjes me këtë trend që kanë marrë gjërat në lidership, dhe të gjithë atyre që u dhimbset PD-ja nuk mund të heshtin. Berishës i dhimbset PD-ja ndoshta më shumë se kushdo. Është e vërtetë që një reagim më herët nga ana e patriarkut të PD-së mund të kishte më shumë vlerë, por Berisha është një qenie optimiste, ai nga njëra anë i frikej çarjes së PD dhe dëmtimit të PD në rast të kritikave të tij të ashpra. Nga ana tjetër jam i bindur që, ai as që e mendonte që vendimmarrja politike në PD do degradonte kaq shpejt në këtë gjendje.
A po bën Berisha lojën e të pakënaqurve?
Këtë nuk e thua dot. Nëse ai do bënte lojën e tyre, ai do kish bllokuar zgjedhjet në PD dhe do kish reaguar shumë më herët. Berisha ka luajtur vetëm për mos përçarjen e PD. Ai ka menduar se një mbështetje e kritikëve më herët do bllokonte Bashën në krye të partisë dhe kjo do çonte në shkëputjen e njerëzve të Bashës. Sa për kritikët ai e di që ata janë aq të lidhur me partinë sa e kanë shumë më të vështirë të largohen se Basha. 

A merr kosto PD nga këto deklarata dhe mos riskon përkeqësim të rezultatit?
PD është sot në pikën më të ulët të saj të kuotave politike dhe mbështetjes popullore. Dhe më e keqja është që veprimet e lidershipit të PD po nxisin largimet dhe nuk po bëjnë të kundërtën. Në këtë kuptim asgjë nuk mund ta dëmtojë PD më shumë se sa veprimet e drejtuesve të saj. Sa për deklaratat e Berishës unë mendoj se ato kanë qëllim pikërisht të ndalin hemoragjinë. Berisha po iu kërkon demokratëve të shpëtojnë PD nga interesat klienteliste të një grupi që kanë marrë drejtimin. Ai na tregoi të gjithëve rrugën, vetëm se e bëri të qartë që kjo është maksimumi i tij, ai nuk përfshihet më në asnjë luftë personalisht, qoftë ajo dhe për shpëtimin e PD-së
A ka Berisha përgjegjësi për humbjet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale dhe largimin e të vjetërve?
Përgjegjësia është e lidhur me vendimmarrjen dhe mua nuk më rezulton që listat, e rrjedhimisht largimi i të vjetërve ka pasur dijeninë e Berishës apo keqmenaxhimi i fushatës elektorale vjen si pasojë e vendimmarrjeve të Sali Berishës. Në fakt, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 Berisha që i vetmi midis kandidatëve të PD-së që theksoi nevojën e fokusimit të aksionit politik të PD në goditjen e PS-së dhe jo të LSI-së. Nëse Berisha ka një përgjegjësi është pikërisht kompleksi i tij për të mos ndërhyrë në vendimmarrjen e lidershipit që zëvendësoi Sali Berishën në krye të Partisë Demokratike.
Sigal