Evropa: Duam prova për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

584
Raporteri gjerman: Zhgënjim për Tahirin, kapni “peshqit e mëdhenj”
Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe Evropën në Bundestag-un gjerman kërkon plotësimin e kritereve
Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe Evropën në Bundestag-un gjerman, deputeti Thorsten Frei, vizitoi Shqipërinë për të verifikuar ecurinë e vendit në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo vizitë ishte në vazhdën e monitorimit të gjendjes në prag të rekomandimeve që Komisioni Evropian pritet të japë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Raportuesi Frei shprehu kritika para shtypit për një seri çështjesh që shqetësojnë opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar mbi përmbushjen e detyrave të përcaktuara nga Komisioni Evropian, në krye të të cilave është lufta kundër krimit të organizuar. “Mungojnë proceset ndaj peshqit e mëdhenj të krimit dhe drogës. Evropa kërkon prova të forta se Shqipëria po e lufton vërtet krimin dhe korrupsionin. Ende nuk po kapet ndonjë peshk i madh, për të treguar vendosmërinë e institucioneve në goditjen e krimit”, tha ai. Reporteri Frei tha se Shqipëria ka përpara 5 detyra kryesore para se të fillojnë negociatat për anëtarësim. Grupi parlamentar CDU-CSU, i partisë së kancelares Merkel, duhet të marrë një vendim çfarë u bë me 5 pikat, por ne kemi shtuar dy pika të tjera: dekriminalizimi i politikës dhe reformën e qëndrueshme zgjedhore. Sipas tij, pika më e rëndësishme është reforma në drejtësi dhe vetingu, por vend kryesor zë lufta ndaj krimit, kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. “Vërtet ka një rënie të kultivimit të bimëve narkotike, por trafikimi dhe shitja vazhdojnë të jenë problem i madh, si thotë policia italiane. Duhet vërejtur me kujdes nëse kjo rënie e kultivimit ka ardhur nga aksionet e policisë, apo thjesht se ka mbiprodhim nga vitet e mëparshme”, tha ai. Reporteri gjerman Frei tha se “imuniteti i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duhej hequr në Parlament pa shumë diskutime të mëdha”, dhe nuk ka arsye pse duhet të mbrohen disa persona nga politika, sepse para ligjit janë të gjithë të barabartë, dhe nuk merr vendime politika, por është çështje e organeve gjyqësore. “Rast i ish-ministrit Tahiri – tha reporteri gjerman – ka vërtet me rëndësi për të parë se sa është gati Shqipëria të trajtojë tema të tilla me peshë nga politika, dhe si do të vazhdojë më tej në këtë rrugë”, tha politikani i partisë së Merkelit. E rëndësishme që të rinjtë të mos largohen nga vendi dhe të shohin perspektivë në këtë vend, tha nënvizoi Frei. Shqipëria duhet të ketë mundësi të tërheqë investime të huaja, të forcojë ekonominë, të ulë nivelin e papunësisë, të forcojë aftësitë konkurruese të ekonomisë, tha ai. Duhet rritur përqindja që zë industria në ekonominë shqiptare, sepse të gjitha këto, tha Frei, janë të rëndësishme për anëtarësim në BE. “Politikanët duhet të diskutojnë për tema themelore dhe jo të merren për individë. Reforma zgjedhore është po ashtu një nga 5 pikat kyçe për fillimin e negociatave. Pranimi i zgjedhjeve duhet të jetë më i mirë. Reforma zgjedhore është në rekomandimet e OSBE. Vitin tjetër ka zgjedhje vendore dhe rekomandimet duhet të zbatohen shpejt, që të rritet besueshmëria e zgjedhjeve”, tha deputeti gjerman.
Pse ka rëndësi qëndrimi i raporterit
Vlerësimet e raportuesit për Shqipërinë në Komisionin Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe Evropën në Bundestag-un gjerman, deputetit Thorsten Frei, janë të rëndësishme, sepse ndryshe nga shtetet e tjera anëtare të BE-së, ku vendimin për hapje negociatash me anëtarë të rinj e marrin qeveritë, në Gjermani këtë vendim e merr Parlamenti, i cili ngarkon deputetë të vet si raportues në këto raste. Që prej të hënës Thorsten Frei zhvilloi takimet me qeverinë, opozitën dhe grupe të ndryshme interesi. 
Sigal