Evis Kushi: “Zëri im është zëri i qytetarëve të Elbasanit në Kuvend”

853
Sigal

Në një intervistë për “Telegraf”, deputetja e PS-së Elbasan zonja Evis Kushi, rendit disa prej problematikave që ka sot qyteti i saj, sistemi arsimit të lartë, klasa politike, duke pretenduar dhe premtuar se “kontratën”  në 23 Qershor  “e kam bërë me qytetarët dhe votuesit e mi, dhe do t’i përmbahem asaj deri në fund”.

– Zonja Kushi, cila është e veçanta  dhe sfida e deputetes dhe politikanes së re në Kuvend?

– Sigurisht që kalimi nga jeta akademike në atë politike nuk është një vendim i lehtë, por megjithatë unë do ta konsideroja një hap shumë të rëndësishëm, dhe jo vetëm një mundësi për të dhënë më shumë kontribut për qytetin tim, por edhe një eksperiencë të re dhe interesante në karrierën time profesionale. Deri tani, kam vënë re që është një angazhim plot sfida dhe shumë intensiv, që më merr pjesën më të madhe të kohës. Por, përtej lodhjes, pa dyshim që është edhe eksperiencë e bukur, gjatë të cilës po takoj shumë njerëz dhe po mësoj shumë gjëra të reja që kompletojnë çdo ditë e më shumë njohuritë e mia në fusha të ndryshme të jetës.

– Keni qenë  dekane në Universitetin e Elbasanit. Cilat reforma duhen zbatuar në arsim?

– Është e vërtetë që arsimi i lartë në Shqipëri ka nevojë për reforma të thella, që në fakt qeveria e re i ka në programin e saj, madje ka filluar t’i implementojë ato hap pas hapi. Vitet e fundit është rritur shumë numri i të rinjve që studiojnë nëpër universitete publike apo private, por pas diplomimit mundësitë e tyre për punësim janë shumë të ulëta, e në disa raste gati të pamundura. Prandaj, janë shumë të rëndësishme politikat arsimore që i mundësojnë të rinjve disa alternativa: ose diplomim në universitet, ose formim profesional, ose mundësi punësimi. Gjithashtu, dua të theksoj edhe nevojën për ngritjen e një organizmi të drejtë e të pavarur vlerësimi, akreditimi dhe renditjeje të universiteteve publike dhe private. Njëkohësisht, nuk duhet nënvlerësuar mbështetja e kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë, duke e konsideruar atë si paraprirës të zhvillimit shoqëror, kulturor, ekonomik dhe europian.

– Zonja Kushi, Elbasani ka mjaft probleme sociale, papunësi, varfëri, mungesë investimesh. Si mendoni të realizoni premtimet e fushatës?

– Problemet sociale, papunësia dhe varfëria janë shqetësime jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por në përgjithësi për të gjithë Shqipërinë. Prandaj zgjidhja apo minimizimi i këtyre problematikave kanë nevojë për politika dhe reforma të thella në nivel qendror, që qeveria ka filluar ka filluar tashmë t’i ndërmarrë në çdo fushë. Dua te theksoj për shembull iniciativën më të re të qeverisë për të nxitur investimet e kompanive të huaja në të gjithë Shqipërinë, me qëllim kryesor hapjen e vendeve të reja të punës. Më konkretisht, ne kemi filluar një punë intensive me grupe deputetesh ne tre shtete, që janë Italia, Turqia dhe Greqia, për të vendosur kontakte direkte dhe për të krijuar një paketë lehtësuese për kompanitë e huaja që do të investojnë në Shqipëri. Elbasani do të jetë një nga qytetet që do të trajtohet me prioritet në këtë iniciativë, si për shkak të nivelit të lartë të papunësisë, ashtu edhe për shkak të terreneve apo kapaciteteve të lira që mund të vihen në dispozicion të këtyre kompanive.

– Cila është marrëdhënia juaj me kolegët e tjerë deputetë, dhe a mendoni se ka zëra ndryshe brenda grupit tuaj parlamentar?

– Që në fillim jam pritur shumë mirë nga kolegët e tjerë deputetë të PS dhe kam krijuar marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi dhe shoqërore me ta. PS ka në grupin e saj parlamentar politikanë dhe profesionistë të shkëlqyer, me një eksperiencë të suksesshme në fushat përkatëse, por njëkohësisht edhe individë me integritet dhe vlera të larta njerëzore. Për këtë arsye jam shumë e kënaqur që ndodhem mes tyre. Ndërsa lidhur me zërat ndryshe, unë mendoj që përballja e ideve dhe këndvështrimeve në përgjithësi, jo vetëm midis forcave të ndryshme politike por edhe brenda të njëjtës parti dhe grupi parlamentar, i shërben demokracisë dhe zhvillimit.

– Një mendim tuajin personal lidhur me armët kimike siriane, ishit për Po apo Jo, dhe arsyet?

– Mendoj që qeveria u tregua e matur dhe e drejtë në vendimin e saj. Natyrisht që, ajo pati dëshirën dhe vullnetin politik për të kontribuar në këtë çështje globale, për të cilën rreshtimi i Shqipërisë përkrah SHBA dhe aleatëve të saj do t’ia rriste më shumë vlerat në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, ky qëndrim ishte në përputhje të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe programin e ri qeverisës, për të qenë në krah të aleatëve tanë në çdo përpjekje madhore në shërbim të njerëzimit, lirisë, demokracisë dhe paqes në botë. Por angazhimi në këtë operacion mund të bëhej vetëm nëse do te ishte në përputhje të plotë me mundësitë reale, aftësitë, kapacitetet e brendshme, teknologjinë, si dhe ndjeshmërinë që ka opinioni publik për një çështje të tillë. Dhe qeveria jonë i mori në konsideratë të gjithë këto elemente për vendimin përfundimtar, prandaj nuk ka asnjë dyshim që vendimi ishte i drejtë.

Të gjithëve do t’u jepet mundësia dhe barazia në konkurrime punësimi

– A kanë nisur qejfmbetjet në bazën socialiste lidhur me punësimin e anëtarëve dhe militantëve?

– Unë e mirëkuptoj dhe e justifikoj padurimin dhe presionin e bazës socialiste për punësim, pasi është e vërtetë që në këto 8 vite opozitë ata e kanë patur shumë të vështirë të integrohen në tregun e punës në bazë të aftësive dhe meritave. Sidomos në qytetin e Elbasanit, papunësia është një nga problematikat më shqetësuese që është rënduar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Por ne po përpiqemi vazhdimisht që t’i ndërgjegjësojmë qytetarët për respektimin e reformave dhe procedurave, të cilat i kemi premtuar edhe gjatë fushatës elektorale. Është shumë e rëndësishme të mos përsëriten gabimet e të kaluarës, duke fshirë administratën ekzistuese dhe zëvendësimin e saj me mbështetësit e PS-së. Meritokracia dhe konkurrenca do të jenë kriteret bazë për punësim, duke respektuar çdo profesionist që punon me përkushtim dhe ndershmëri në administratën shtetërore. Do t’i jepet mundësia edhe të rinjve që të konkurrojnë dhe japin kontribut, duke luftuar nepotizmin dhe korrupsionin nëpërmjet një procesi krejtësisht të hapur dhe transparent.