Evangjelos Venizelos, takon krerët e politikës shqiptare

527
Sigal

Çështjet dypalëshe nuk do të pengojnë vullnetin e Greqisë për të mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë

 Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Greqisë, Evangjelos Venizelos, u ndal  për një vizitë në Shqipëri, në kuadër të mbajtjes së Presidencës greke në Bashkimin Evropian. Gjatë kësaj vizite Venizelos u takua me përfaqësues të politikës shqiptare. Më poshtë do të keni një pasqyrim të takimeve.

 Venizelos-Bujar Nishanit: Politikanët të zbatojnë politikat e duhura, arsye historike për forcimin e marrëdhënieve

 Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangjelos Venizelos.

Gjatë takimit, Presidenti Nishani tha se, “integrimi në BE përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e siguroi zotin Venizelos për vendosmërinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në vazhdimin e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve, duke nënvizuar gjithashtu angazhimin për bashkëpunim të plotë me Presidencën greke dhe gjithë institucionet e partnerët evropianë në synimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Më tej, Presidenti shprehu besimin në angazhimin e Presidencës greke për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ndërsa vlerësoi lart objektivat e Presidencës greke dhe, në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin e Greqisë dhe Italisë për shpalljen e vitit 2014, “Vitin e Mesdheut”. Nga ana e tij, zoti Venizelos tha se, Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe se Greqia do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe përpjekjet diplomatike me partnerët europianë që Shqipëria ta arrijë këtë objektiv në qershor. Kryediplomati Grek nënvizoi se midis dy vendeve tona ka arsye historike e sociale dhe një bazë ekonomike solide për forcimin e marrëdhënieve, ndërsa mbetet që politikanët të vazhdojnë të zbatojnë politikat e duhura në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

 Ilir Meta-Venizelos: Kuvendi angazhim maksimal për frymë dialogu midis palëve

 Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti dje në Kuvend z. Evangelos Venizelos. z. Meta vlerësoi angazhimin e Greqisë në funksion të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe theksoi se Shqipëria mbështetet tek Greqia dhe pesha e saj gjatë Presidencës së Këshillit të BE-së për të avancuar me përmbushjen e prioriteteve të Komisionit Evropian.

Z. Meta shprehu angazhimin për avancimin e reformave të rëndësishme që kërkojnë qytetarët duke rikonfirmuar se, Kuvendi i Shqipërisë do të luajë rolin e tij në funksion të mbarëvajtjes së një fryme dialogu konstruktiv dhe produktiv politik mes palëve.

z. Venizelos, rikonfirmoi angazhimin maksimal të Greqisë gjatë Presidencës së radhës së Këshillit të BE-së, duke vënë në dukje se përshpejtimi i axhendës evropiane të Shqipërisë do të jetë një nga prioritetet kryesore gjatë muajve të ardhshëm. Z. Venizelos vuri në dukje se, përmbushja e prioriteteve të BE-së nga ana e qeverisë shqiptare do të jetë një shtysë e rëndësishme për progresin e vendit dhe nënvizoi se, Greqia e konsideron avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë si kyç për të gjithë rajonin. Z. Meta dhe z. Venizelos ndanë bindjen se roli i diplomacisë parlamentare ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë por përbën një urë solide komunikimi edhe në marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.

 Basha-Venizelos: Duhet konsensus për çështjet themelore të demokracisë

 “Qeveria nuk ka të njëjtin vullnet për integrimin europian, në të kundërt ajo po ndërmerr hapa që bien ndesh me këtë prioritet kombëtar”, u shpreh, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me z. Venizelos. Basha i shprehu z.Venizelos qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike në mbështetje të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE nga Shqipëria, si dhe për avancimin e mëtejshëm në hapjen e negociatave. Kryetari Basha e njohu zotin Venizelos me pakënaqësinë mbarëpopullore për veprimet anti-kushtetuese e antiligjore qe qeveria dhe maxhoranca po ndërmarrin çdo ditë, duke kulmuar me moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Nëpunësin Civil, goditjen ndaj institucioneve të pavarura, shkeljen e konsensusit për çështjet madhore të lidhura edhe me integrimin e vendit. Ministri Venizelos, vlerësoi opozitën shqiptare si faktor themelor të demokracisë në vend dhe përgëzoi Partinë Demokratike për rolin konstruktiv dhe të përgjegjshëm që po dëshmon tashmë si opozitë në Shqipëri, duke veçuar mbështetjen e rëndësishme që po i jep të gjithë procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Venizelos: Samiti i Selanikut në prill, një shans për Shqipërinë

 Shefi i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, deklaroi në një konferencë për shtyp se, në fund të muajit prill do të mbahet një samit i BE-së në Selanik, i cili do të jetë një shans për autoritetet shqiptare për të prezantuar më mirë angazhimet e ndërmarra për çështjen e statusit kandidat dhe për t’i dhënë një shtysë qëllimit të Shqipërisë jo thjesht për marrjen e statusit kandidat në qershor, por edhe për hapjen e shpejtë e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Z.Venizelos, duke iu përgjigjur pyetjes së ATSH-së, theksoi se takimi i Selanikut në fund të prillit ku do të marrin pjesë 28 ministrat e vendeve anëtare të BE-së, është një mundësi më e madhe për përfaqësuesit e qeverisë shqiptare që të prezantojnë angazhimet e ndërmarra për të gjithë vendet anëtare, një muaj para mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të qershorit, kur pritet të merret vendimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Venizelos, theksoi se takimi me me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, , ishte një mundësi e shkëlqyer për të bërë të mundur që çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve të zgjidhen në mënyrën më të mirë. Ai bëri të ditur se çështjet dypalëshe nuk do të pengojnë vullnetin e Greqisë për të mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë.