Eurodeputetët, shqetësim për deportimin e turqve nga Kosova

496
Njëzetetetë deputetë të Parlamentit Evropian u kanë dërguar një letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, nëpërmjet së cilës shprehin shqetësim për arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja. Në letrën që ishte nismë e deputetit të Parlamentit Evropian, Igor Sholtes, njëherësh raportues për Kosovën dhe deputetes Rebeka Harms, thuhet se “në fillim të muajit prill, u alarmuam për rastin e gjashtë shtetasve turq që u ndaluan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi si pasojë e lidhjeve të tyre të pretenduara me lëvizjen ‘gyleniste’. Lejet e tyre të qëndrimit janë anuluar pa asnjë procedurë ligjore dhe u deportuan pa asnjë gjykim apo kontakt me avokatët e tyre në kundërshtim me parimet e sundimit të ligjit. Ne kritikojmë ashpër këto ngjarje të rënda”. Në letër theksohet se deputetët ishin alarmuar edhe pas njoftimit të presidentit turk (Rexhep Taip) Erdogan se më shumë njerëz do të ekstradohen nga Kosova në Turqi. “Meqë Kosova është pjesë e procesit të pranimit, ajo duhet t’i ndjekë standardet evropiane. Sundimi i ligjit është parim themelor i Bashkimit Evropian. Jemi të shqetësuar se është harruar tërësisht se vendet janë moralisht dhe ligjërisht të detyruara të respektojnë konventat dhe protokollet ndërkombëtare, që janë hartuar për të mbrojtur dinjitetin themelor njerëzor dhe janë zbatuar për shekuj me radhë nga civilizimi ynë. Ne duhet të përpiqemi për një shoqëri gjithëpërfshirëse e jo për një që ekstradon njerëz mbi bazën e lidhjeve të dyshuara politike”. Në letër kërkohet “me ngulm” që të respektohen të gjitha procedurat ligjore në pajtim me parimet dhe standardet evropiane. Të gjitha veprimet e ndërmarra nga autoritetet lokale të Kosovës duhet të respektojnë sundimin e ligjit dhe promovimit të respektit universal dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin apo ekstradimin janë në kundërshtim me këto parime.
Sigal