Eurodeputetët francez e italianë: Pa ‘pastruar’ krimin dhe korrupsionin, Shqipëria jashtë BE!

456
Ekstremistët e djathtë francezë dhe italianë, kërkojnë ndërprejen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe reformimi të bëhet jashtë BE-së
Parlamenti Europian diskuton sot raportin e Fleckenstein për Shqipërinë. Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian në Bruksel pritet të diskutojë të sot raportin e Knut Fleckenstein për Shqipërinë. Drafti i raportuesit për vendin tonë, pritet të votohet një ditë më pas në Komision, ndërsa dokumenti final miratohet në seancën plenare të Strasburgut, që zhvillohet për 3 ditë, nga 27 prilli deri më 30 prill. Nga burime konfidenciale mësohet se takimi me Komisionerin Hahn pritet të mbahet më 22 Prill. Midis të tjerash, eurodeputetët parashikohen të bisedojnë me të mbi mundësitë e Komisionit për të ofruar asistencë juridike, në rast nevoje, për hetimin e deputetëve të akuzuar; qëndrimet e fundit të Tiranës zyrtare mbi BE-në dhe rajonin; si dhe për ecurinë e vendit në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, të nevojshme për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria para një viti mori statusin kandidat, dhe tashmë para nesh shtrohen reformat, që kanë të bëjnë me procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Në nëntorin e 2015, ishte parashikuar që të jepej ‘drita jeshile’ për hapjen e negociatave, mirëpo deri tani, nuk janë zbatuar reformat, nga qeveria shqiptare që janë dhënë si kusht nga BE-ja. Së pari, klima politike në Shqipëri është ashpërsuar shumë, edhe pse maxhoranca dhe opozita nënshkruan rezolutën e bashkëpunimit. Nga 5 reformat që janë kushtëzuar nga BE-ja, është realizuar vetëm ndarja e re territoriale, ndërsa janë zvarritur reformat në drejtësi e gjyqësor, korrupsioni ende nuk luftohet, edhe pse indeksi i tij është shumë shqetësues. Prandaj, sado dashamirës të jenë BE-ja me ne, vështirë të nisë procedura e hapjes së negociatave për anëtarësim, me moszbatimin e reformave, me krimin që mbizotëron, me korrupsionin që ka paralizuar gjithçka, me një drejtësi tejet të politizuar, saqë ende nuk po emërohen gjyqtarët në Gjykatën e Lartë, etj. 
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry: “Interesat e qytetarëve shtypen nga barra e korrupsionit”
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, para një viti e theksoi me të madhe rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionin, krimit, pavarësisë së gjyqësorit, të drejtat e organizatave joqeveritare, si çështje të mëdha që janë edhe kushtet e integrimit të Shqipërisë, për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE. Ish – Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin e amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, gjithashtu, theksoi, po në atë kohë, se maxhoranca e sotme, nuk duhet të fajësojë paraardhësit, por duhet që akuzat t’i bëjë në Prokurori. 
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry: “Në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore si dhe në Ballkan është shqetësues korrupsioni”.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, në takimin e Mynihut, shkurt 2014, në lidhje me korrupsionin me të cilin po përballen vendet e Europës Juglindore e Qendrore theksoi: “Fakti është që vërejmë një prirje shqetësuese në shumë vende të Europës Qëndrore dhe Lindore si dhe në Ballkan. Aspiratat e qytetarëve të këtyre vendeve po shtypen nën barrën e korrupsionit, interesave oligarkike, interesave që përdorin paranë për të shtypur kundërshtarët politikë, për të blerë, politikanët dhe grupet mediatike dhe për të dobësuar pavarsinë e gjyqësorit, si dhe të drejtat e organizatave joqeveritare”, mbyll analizën e tij Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
Ish-Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin e amerikan të Shtetit, Jonathan Moore: Shteti ligjor konsolidohet duke bërë akuzat në prokurori!
Ish-Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin e amerikan të Shtetit, Jonathan Moore theksoi se shteti ligjor konsolidohet, duke bërë akuzat në prokurori, dhe jo të ankohesh për fajësinë e paraardhësve. Në lidhje me korrupsionin në vendin tonë ai tha se Qeveria dhe Opozita në Shqipëri të bashkëpunojnë dhe se “të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor, do të thotë që kjo të bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet bërë fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”.
Problematika: Reformat në Shqipëri zvarriten, Raporti i Fleckenstein: S’ka negociata për Shqipërinë pa dialog politik
192 amendamentet për draft-rezolutën
Mungesa e dialogut të qëndrueshëm politik mund të pengojë progresin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Ky është thelbi i 24 rekomandimeve të raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, të cilat i janë dorëzuar Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Pas vizitës së tij në Tiranë, në janar të këtij viti, takimeve me përfaqësues të politikës shqiptare, Fleckenstein nuk rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, duke kërkuar zbatimin efektiv të reformave të qëndrueshme mbi 5 prioritetet kyçe që shërbejnë për transformimin demokratik të Shqipërisë dhe i hapin rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE. 
Problematikat, sipas Raportit Fleckenstein
– Lufta kundër korrupsionit.
– Depolitizimi i gjyqësorit.
– Përshpejtimi i çështjes së 21 janarit.
– Lufta kundër krimit të organizuar.
– Kuvendit të Shqipërisë i kërkohet për të prezantuar rekomandimet e ODIHR-it dhe KQZ-së.
– Kuvendit të Shqipërisë i kërkohet të hartojë një projekt-ligj për të hapur arkivat e shërbimeve sekrete dhe organizatave të tjera të sigurisë të shtetit të kohës komuniste.
– Kërkohen përpjekje të mëtejshme për respketimin e të drejtave të minoriteteve dhe veçanërisht të komunitetit, rom.
– Eurodeputetët kërkojnë gjithashtu progres në mbrojtjen e të drejtave të pronës, të cilat konsiderohen ende si të kufizuara.
“Drejtësia shqiptare përballet me probleme të tilla, si politizimi i organeve të saj, shkalla e kufizuar e llogaridhënies, korrupsionit në nivel të lartë, infiltrimi nga qarqet kriminale, mungesa e burimeve dhe numri i shumtë i lëndëve të pazgjidhura”, thuhet në amendamentet për gjyqësorin. Aty kërkohet gjithashtu forcimi i kornizës disiplinore për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, si dhe përmirësimi i efikasitetit të gjykatave. Në këto amendamente shprehet gjithashtu shqetësim lidhur me dobësinë e gjyqësorit shqiptar për të luftuar kundër korrupsionit brenda strukturave të veta. Kërkohet trajnim i përbashkët i specializuar për prokurorët, gjykatësit dhe oficerët e policisë. Korrupsioni mbetet ende një shqetësim shumë i madh në draft-rezolutë dhe të gjitha amendamentet lidhur me këtë fenomen. Lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, shprehet shqetësimi për problemin e madh që përbën krimi i organizuar dhe trafiku i drogës, pavarësisht përparimeve në shumë aspekte të luftës kundër krimit të organizuar”. 
Abdi Baleta, diplomat: Janë bërë bozë me dekriminalizimin, duket sikur flasim me veten!
Nuk dua të merrem fare me Brukselin, se duket sikur u ‘krehim bishtin’ atyre. Shqipëria nuk e ka marrë vesh hiç, le të rrijë rehat. Janë bërë bozë këta me dekriminalizimin dhe duket sikur flasim me veten. 
Prof. Dr. Tritan Shehu, ish-Ministër i Jashtëm: Dekriminalizimi ka mbetur një proces në letër
Vullneti dhe dëshira, kërkesa jonë është që të hapen negociatat sa me shpejt. Ky është një proces shumë pozitiv e jetik, jo vetëm për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët, por edhe për rajonin. Hapja e negociatave do të forcojnë monitorimin e komunitetit ndërkombëtar, të BE-së ndaj vendit tone. PD-ja është për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë, pavarësisht nga problemet tona të brendshme. Shqipëria ka shumë probleme, por ne kërkojmë të mbështetim çdo kërkesë, çdo vullnet për të hapur sa më shpejt negociatat. Ne i kërkojmë BE-së, që të hapë negociatat, si dhe të shtojë monitorimin për Shqipërinë, të forcojë kontrollin ndaj Shqipërisë, garanci për zhvillimet e mëtejshme. Dekriminalizimi është pikë parësore dhe thelbesore në axhentën e PD-së. Kjo është dhe një kërkesë nga rezoluta e përbashkët maxhorancë-opozitë, e realizuar ne bashkëpunim me PE. Ky fatkeqësisht, deri tani ka mbetur një proces i shkruar në deklaratë dhe jo me ecuri konkrete e as i montuar. Ky duhet të realizohet edhe për këto zgjedhje lokale, si edhe për këtë parlament të sotëm. Për dekriminalizimin ka nevojë vetëm për vullnet politik. Ky është një proces jetik për të sotmen dhe të nesërmen e vendit tonë. Disa ekstremistë, disa antieuropianistë dhe disa radikalë, janë ata që nuk e duan integrimin e Shqipërisë në BE. E djathta franceze e Sarkozisë, ajo italiane e Berluskonit si dhe Partitë Popullore Europiane në përgjithësi, e duan Shqipërinë si pjesë e Europës, e nxitin dhe e mbështetin integrimin e saj në BE. Të tjerët, siç janë ekstremistët francezë të Le Penit dhe “Liga e Veriut” në Itali janë shumë larg konceptit të së dDjathtës europiane. 
Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE: Ajo çfarë po shohim në Shqipëri nuk është një tablo e këndshme!
Po i ndjek këto zhvillime. I lexoj agjencitë e lajmeve, por unë nuk mund të vlerësoj nga këtu dhe për këtë më duhet të flas me disa partnerë në Shqipëri, sesi e shohin ata atje. Së bashku me kolegun e PPE-së, Kukan kemi vendosur të diskutojmë këtë situatë me Komisionerin Hahn dhe deri atëherë nuk jam në gjendje për të thënë se kush ka, ose jo, të drejtë. Unë mund t’iu them vetëm se ajo çfarë po shohim për momentin nuk është një tablo e këndshme dhe shpresoj me të vërtetë se, pas hetimeve të qarta, sa më të shpejta sigurisht por dhe intensive, ne do të kemi një tablo më të qartë.
“Front National” dhe “Lega Nord” kërkojnë ndërprejen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë
Deputetët e dy grupeve në PE kërkojnë ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Francezët e “Front National” të Marine Le Pen dhe italianët e “Lega Nord” i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë amendamentesh. “Lega Nord” është e drejpërdrejtë në kërkesën e saj duke thënë: “Duke pasur parasysh dobësinë e vazhdueshme të gjyqësorit, korrupsionit në shkallë të lartë, prezencën e fortë të krimit të organizuar, mungesën e mbrojtjes së minoriteteve, diskriminimin kryesisht të grave, mungesën e transparencës në financimin e medias, duke konsideruar rritjen e papunësisë dhe çështjet që lidhen me kushtet e tregut të punës, si dhe nga ana tjetër, se KE nuk ofron ndonjë anëtarësim të ri në BE gjatë pesë viteve të ardhshme, kërkojmë pezullimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në BE”, thuhet në amendamentet e italianëve. Marine Le Pen dhe tre eurodeputetë të tjerë të :Front National” kërkojnë që Shqipëria të reformohet jashtë BE –së.
Erisa Zykaj: Në shtypin belg e institucionet europiane, epërsinë e kanë marrë “bëmat” e krimit e korrupsionit në Shqipëri
Gazetarja shqiptare në Bruksel Erisa Zykaj, shkruan se në shtypin belg, si edhe në institucionet europiane, këto 3 muaj, kanë marrë epërsi “bëmat” e krimit e korrupsionit. Por, Shqipëria, sipas gazetares, nuk është e politikanëve, por e pyetarëve dhe Shqipëria, ka lindur Nënë Terezën, Skënderbeut, e jemi pasardhës të Ilirëve. “Aspak e lehtë të përballesh me imazhin e vendit tënd në shtypin belg, në institucionet europiane dhe shtetet anëtare ! Këto tre muajt e fundit epërsinë e kanë marrë ‘bëmat’ e krimit dhe korrupsionit. Një imazh të cilin secili prej nesh përpiqet t’a sfidojë dhe ndryshojë përmes arritjeve në fusha të ndryshme, rezultateve befasuese të studentëve shqiptarë në Universitet më prestigjioze në Europë. Performancë e shkëlqyer e shumë artistëve shqiptarë në botë. Spikatje të ekonomistëve, juristëve dhe doktorëve shqiptarë në projekte ambicioze europiane dhe botërore. Punë e palodhur e çdo shqiptari për arritjet personale, por edhe për të përfaqësuar sa më denjësisht vendin e tij. Asnjë nënë, baba apo fëmijë nuk e kupton pse diskrimininohet në aeroportet e Europës edhe pse ne përfitojmë që prej 5 vitesh nga lëvizja e lirë afatshkurtër në zonën Shengen, asnjë student s’e kupton pse vuan për të marrë një vizë për studime, apo edhe thjesht për turizëm përtej Atlantikut, asnjë shqiptar nuk e kupton pse e shohin shtrembër, kur ai prezantohet si shqiptar dhe i duhet vazhdimisht të provojë që ai nuk është ‘kriminel’! Fatkeqësisht në perceptimin e shteteve anëtare, ato që mbeten janë ngjarjet ‘e papara’ të pasqyruara nga shtypi europian! Në brendësi secili prej nesh do të thërrasë fort: ‘O botë, shqiptarët nuk janë shëmbëlltyra e politikës. Ne jemi pasardhësit e Ilirëve, po aq të lashtë sa Greqia e Lashtë, ne jemi bijtë e Skënderbeut, toka shqiptare ka lindur femra, si Nënë Tereza e shumë e shumë burra të tjerë dheu, që ju nuk i njihni . Shqipëria u përket qytetarëve dhe jo vetëm poltikanëve”. 
Sigal