EUobserver: Shqipëria fillon bisedimet për në BE

582
Komisioni Evropian pritet të deklarojë se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të fillojnë bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që abuzimi me të drejtat e njeriut në Turqi nënkupton që për këtë të fundit bisedimet e anëtarësimit do të mbeten pezull, shkruan EUobserver. “Në bazë të progresit të arritur, Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë”, pritet të deklarojë nesër ky komision në raportin e tij vjetor për zgjerimin, sipas një drafti të parë nga EUobserver. Edhe për Maqedoninë, ky projekt-dokument ka të njëjtën formulë. Ky është rekomandimi i parë për Shqipërinë. Ai vjen 15 vite pasi Shqipëria nënshkroi Paktin e Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe pothuajse 10 vite pasi shteti i Ballkanit Perëndimor, që dikur ishte diktaturë komuniste, u anëtarësua në NATO. Ndërkohë, Maqedonia ka qenë gati për fillimin e bisedimeve që në vitin 2005. Por, vendet e BE-së nuk kanë pranuar asnjëherë ta bënin këtë, sepse Greqia vendosi veton pasi emri i Maqedonisë përfaqëson një pretendim territorial në lidhje me një rajon grek me të njëjtin emër. Rekomandimi, që publikohet sot, vjen në kuadër të shpresave të BE-së se Shkupi dhe Athina janë mjaftueshëm pranë gjetjes së një zgjidhjeje duke i mundësuar Këshillit të BE-së të hapë bisedimet me Maqedoninë në fund të këtij viti. Ai gjithashtu vjen edhe në kuadër të një strategjie të re të Komisionit për të përshpejtuar zgjerimin. Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë gjithashtu për Ballkanin Perëndimor në Luksemburg. “Pritet që ata të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për të lehtësuar dialogun mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe diskutimin e çështjeve të sigurisë në rajon”, sipas një diplomati të BE-së.
Sigal