Eugen Wollfarth publikoi sot raportin e fundit të OSBE-së për progresin e Shqipërisë. Cili është mendimi juaj?

484
Sigal

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë

Prezenca në Shqipëri

 

RAPORTI I KRYETARIT TË PREZENCËS SË OSBE-SË NË SHQIPËRI

NË KËSHILLIN E PËRHERSHËM TË OSBE-SË, 20 SHTATOR 2012

 

 

SITUATA E PËRGJITHSHME

 Klima politike u përmirësua gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit dhe institucionet kushtetuese bënë progres në rrugën për të rifituar funksionimin e tyre të plotë. Pas vitesh amullie dhe bojkoti politik, si dhe pas demarshesh të përsëritura në lidhje me procesin politik nga Prezenca e OSBE-së dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, progresi në rrugën e reformave filloi me kthimin e plotë të Partisë Socialiste (PS) në Kuvend, në vjeshtën e vitit 2011 dhe me marrëveshjen pasuese, në muajin nëntor, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe të një grupi pune për rishikimin e Rregullores së Kuvendit dhe zgjedhjen, në muajin dhjetor,  të Avokatit të ri të Popullit. Përveç kësaj, në fund të vitit 2011 dhe në fillim të vitit 2012 u miratuan një sërë ligjesh të rëndësishme, që kërkonin një shumicë të cilësuar votash prej tri të pestash, të parat vendime të tilla pas zgjedhjeve të diskutuara parlamentare të vitit 2009. Gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e, madje, në ngecjen e reformave, në një sërë sektorësh. Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu, sërish, si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake. Gjithsesi, dymbëdhjetë muajt e fundit panë disa periudha “ndal dhe ec”. Në perspektivë, çështja kryesore është nëse të dyja palët do të arrijnë të ruajnë impulsin për reforma në vitin 2013, një vit që, për nga forma që po marrin zhvillimet, duket se do të jetë një vit zgjedhjesh parlamentare tejet konkurruese.

 Zgjedhja e Presidentit ishte një ngjarje politike e një profili të lartë për vitin 2012, me shumë raunde votimi të planifikuara në Kuvend, gjatë muajve maj dhe qershor. Asnjë kandidat nuk mori shumicën e kërkuar prej tri të pestash gjatë tri raundeve të para. Dy kandidatë nga Partia Demokratike (PD) – asnjëri prej të cilëve nuk ishte prezantuar zyrtarisht – i tërhoqën kandidaturat e tyre për katër raundet e para, derisa u propozua dhe u zgjodh dhe, në fund, u zgjodh me sukses kandidati Bujar Nishani (PD), Ministër i Brendshëm, në raundin e katërt të votimit me votat e koalicionit qeverisës. Kushtetuta, me ndryshimet e vitit 2008, parashikon zgjedhjen me shumicë të thjeshtë, në raundin e katërt të votimit dhe jo me shumicë të cilësuar, siç kërkohet në tri raundet e para. Ndërkohë që ishte në përputhje me Kushtetutën, procesi i zgjedhjes së Presidentit, i cili zgjati një muaj, nuk çoi në një marrëveshje ndërpartiake për ndonjë kandidat, duke u shoqëruar me akuza reciproke për mungesë vullneti politik dhe u zhvillua në një atmosferë mllefi politik. PS-ja mori pjesë në seancat plenare, por zgjodhi të mos merrte pjesë në asnjë prej proceseve të votimit, duke pretenduar, ndërkohë, se koalicioni qeverisës bëri përpjekje të pakta për të arritur një qasje vendimmarrëse gjithëpërfshirëse ndaj opozitës, sa i përkiste gjetjes së një kandidati konsensual, duke lënë kështu të kuptohej se të tre kandidatët e paraqitur identifikoheshin qartësisht me PD-në. PD-ja argumentoi se PS-ja nuk paraqiti asnjë emër kandidati, pavarësisht se u nxit për ta bërë këtë.

 Në deklaratat e tij të para si President i zgjedhur, Nishani theksoi nevojën për të përmirësuar klimën politike në Shqipëri dhe vullnetin e tij për të punuar mbi interesat partiake. Në përputhje me Kushtetutën, ai hoqi dorë nga anëtarësimi në PD dhe nga gjithë angazhimet e tjera partiake, para se të vinte në detyrë, më 24 korrik, duke u bërë zyrtarisht i pavarur nga çdo parti politike. Në takimin e parë me Prezencën, Presidenti Nishani identifikoi sektorin e drejtësisë dhe mirëqeverisjen si përparësitë e tij kryesore. Ka gjasa që ai të vihet në qendër të disa debateve të tensionuara publike, që nga kjo vjeshtë, në lidhje me disa emërime të mundshme nga ana e tij të Prokurorit të ri të Përgjithshëm dhe të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët emërohen me marrjen e pëlqimit të qartë të Kuvendit. Zgjedhja e Presidentit çoi edhe në disa ndryshime në Këshillin e Ministrave. Ndonëse emërimi i një Ministri të ri të Brendshëm ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e zgjedhjes së presidentit,  ndryshimi i ministrave të partisë së dytë të koalicionit, përfshirë pozicionin e Ministrit të Jashtëm, gjatë kohës së kryesimit të një organizate ndërkombëtare, erdhi mjaft papritur.

 Sa i përket reformës zgjedhore, hapi i parë i prekshëm, që tregoi vullnetin e partive politike për të kapërcyer ngërçin politik, u hodh me arritjen e një marrëveshjeje ndërpartiake, në Kuvend, në muajin nëntor të vitit 2011, për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore. Megjithëse ky komision vuajti nga disa periudha të parashikueshme bllokimi politik, gjë që shtroi nevojën e shtyrjes së mandatit të tij tri herë, ai më, në fund, mundi të prodhonte një tekst të rëndësishëm, i cili gëzoi konsensusin e gjerë të partive kryesore politike. Meritë e madhe u duhet njohur atyre që u përfshinë në këtë proces dhe, kryesisht, dy bashkëkryetarëve, si dhe anëtarëve të grupit të ekspertëve teknikë, nga PD-ja dhe nga PS-ja. Reforma u miratua, përfundimisht, nga Kuvendi, më 19 korrik dhe Kodi i ri Zgjedhor u dekretua nga Presidenti më 16 gusht dhe hyri në fuqi më 1 shtator.

 Theksi duhet vënë tashmë te zbatimi i plotë dhe me përpikëri i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Ashtu siç bëhet e qartë në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, arritja e kësaj detyre do të kërkojë që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sikurse me përgatitjen dhe përmbushjen e reformës zgjedhore, në fund, përgjegjësia për përgatitjen dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve mbetet më së shumti në duart e drejtuesve kryesorë partiakë. Ata kanë mundësi thuajse të pakufizuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare; po ashtu, kanë kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës. Shpresohet se ata do ta përdorin pushtetin e madh, që u është dhënë, në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në OSBE dhe me aspiratat e qytetarëve shqiptarë.

 Sa i përket reformës parlamentare, ndonëse është arritur një progres i mirë nga grupi i punës për rishikimin e Rregullores, ende nuk ka konsensus për dy çështje kryesore: kthimi i votimit të fshehtë për kandidatët e dekretuar nga Presidenti dhe balancimi i kohës për të folur në Kuvend për kryeministrin dhe kryetarin e grupit kryesor opozitar parlamentar. Është tashmë e rëndësishme të shihet arritja e një marrëveshjeje, në këtë proces, bazuar në standardet parlamentare ndërkombëtare. Më pas, çdo rregull i ri do të duhet të zbatohet plotësisht. Përdorimi nga ana e koalicionit qeverisës të komisioneve hetimore të Kuvendit, njëri prej të cilëve u ngrit në lidhje me ngjarjet e 21 Janarit 2011, i cili u konsiderua nga opozita dhe nga disa ekspertë si një shpërdorim i rëndë i procesit të komisioneve hetimore dhe tjetri lidhur me veprimtaritë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ishte shqetësues. Që të dyja këto komisione duket të jenë ngritur me rezultate të paracaktuara, duke i tejkaluar kështu kompetencat që u jep Kushtetua, e cila lejon vetëm shqyrtimin e një çështjeje specifike dhe jo zëvendësimin e punës së gjyqësorit. Për më tepër, në kundërshti me praktikën e saj dhe me formulimin e qartë të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese u mohoi disa deputetëve legjitimitetin për të ankimuar kushtetueshmërinë e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë. Ky vendim duket se e ka ngushtuar, në mënyrë drastike, të drejtën e pakicës në Kuvend për të vënë në diskutim kushtetueshmërinë e ligjeve, siç parashikohet në Kushtetutë.

 Sa u përket proceseve legjislative, është vënë re një lloj përparimi në mekanizmat e konsultimit të përdorur nga autoritetet kombëtare. Megjithëse përfshirja e shoqërisë civile është përmirësuar vërtet, nevojitet ende një qasje më e strukturuar. Nevojitet të bëhet shumë më tepër për krijimin e një mjedisi politik më gjithëpërfshirës në Kuvend. Mbeten ende për t’u miratuar disa rregulla specifike për konsultimin dhe transparencën në procesin legjislativ, siç parashikohet në “Strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim 2007-2013”. Në përgjithësi, nevojitet ende më shumë transparencë në procesin legjislativ. Ndonëse Kuvendi vazhdon t’i publikojë rregullisht procesverbalet e pjesës më të madhe të mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe të seancave plenare, projektligjet e dërguara nga Këshilli i Ministrave dhe të shqyrtuara nga komisionet rrallë mund të gjenden në faqen e internetit të Kuvendit apo në letër. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për sigurimin e aksesit qysh në fazat e hershme dhe për të rritur transparencën e gjithë procesit të shqyrtimit të projektligjeve. Ndonëse në të gjitha demokracitë moderne, e drejta për të qeverisur është një fakt i pamohueshëm, ekziston gjithashtu qartësisht edhe e drejta e opozitës për t’u përfshirë plotësisht në procesin legjislativ parlamentar dhe për të pasur hapësirë të mjaftueshme politike për të marrë frymë.

 Sa i përket shtetit të së drejtës, përparimi ka qenë relativisht i pakët. Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtare dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës. Ndonëse kjo dobësi vjen, kryesisht, për shkaqe të hershme, si për shembull klientelizmi i përhapur, presioni i pavend mbi institucionet për t’u bindur, si rrjedhojë e betejës së vazhdueshme politike për pushtet, nuk e ka përmirësuar situatën. Shqipëria vazhdoi t’u drejtohet mjeteve legjislative, në vend që të përqendrohet te përmirësimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues. Shteti i së drejtës dhe procesi legjislativ, në veçanti, përfituan nga kthimi i plotë i opozitës në Kuvend. Kjo u manifestua në miratimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, midis të cilave spikasin ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Ky ligj, për të cilin u deshën vite të miratohej, synon të përmirësojë aksesin e publikut në drejtësi dhe të përshpejtojë gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative. Miratimi nga qeveria i strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë 2011-2013 dhe i planit të saj të veprimit shënuan një hap përpara. Përpjekje më të mëdha duhen bërë nga të gjithë aktorët për të përmirësuar funksionimin dhe efikasitetin e gjykatave, duke forcuar, kështu, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

 Miratimi i njëzëshëm i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare shtron rrugën për ngritjen e kësaj konference, organit kushtetues përgjegjës për zgjedhjen e gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ky organ nuk funksiononte që nga viti 2008, kur Gjykata Kushtetuese e shpalli si jokushtetues ligjin për Konferencën Gjyqësore. Ligji i ri parashikon, gjithashtu, që përveç detyrës që Konferenca Gjyqësore Kombëtare ka për të zgjedhur nëntë anëtarë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ajo funksionon tani edhe si një forum diskutimesh për gjyqtarët për tema me interes për sistemin e drejtësisë. Në lidhje me zëvendësimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilëve përfundoi në vitin 2010, Kuvendi as nuk mori në shqyrtim kandidatët e dekretuar nga Presidenti, as nuk kërkoi një zgjidhje të përbashkët me këtë të fundit për procedurën e emërimit, siç u kërkua shprehimisht nga Gjykata, duke cenuar kështu besueshmërinë e Gjykatës. Edhe dorëheqja e një prej nëntë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kufizoi mekanizmin vendimmarrës të Gjykatës, duke e rënduar akoma më tej problemin, përmes lejimit të situatave ku numri i votave kundër dhe atyre pro në marrjen e vendimeve është i barabartë. Një tjetër kandidat i dekretuar nga Presidenti i atëhershëm mbetet i pashqyrtuar nga Kuvendi. Institucionet e Kuvendit dhe Presidenti duhet të gjejnë një zgjidhje koherente për këtë çështje, bazuar në atë që ka kërkuar Gjykata, gjë që ende nuk ka ndodhur.

 Në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët. Çfarëdo përmirësimi thelbësor do të varet, kryesisht, nga vullneti politik për të ndërmarrë një reformë gjithëpërfshirëse, me synim arritjen e rezultateve në fushat kyçe të pavarësisë së gjyqësorit, veçanërisht sa i përket emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve, duke përfshirë transferimet e mundshme, ngritjen në detyrë dhe masat disiplinore. Në këtë kuptim, vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ngritjen e një sistemi vlerësimi për kandidatët e mundshëm për kryetar gjykate, si edhe kryerja e inspektimeve të këtyre kandidaturave, mund të konsiderohet si një hap përpara.

 Vendimet e gjykatave marrë në rastin e dy çështjeve me profil të lartë ishin me shumë interes për publikun. Vendimi i shkallës së parë marrë për të ashtuquajturën çështje të Gërdecit, lidhur me shpërthimin në një fabrikë të çmontimit të municioneve, nga i cili mbetën të vrarë 26 vetë në vitin 2008, i dha fund një gjyqi që zgjati më shumë se tre vjet dhe 200 seanca. Gjyqi nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Në veçanti, kohëzgjatja e tepruar e gjyqit, i cili shtyhej shpesh kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ngriti shqetësime të herëpashershme. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, si aktori kryesor që mund të ndreqë rrethana të tilla, vazhdimisht nuk veproi. Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008 nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave.

 Në një tjetër çështje, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash.

 Në fushën e të drejtave të njeriut, ndonëse pjesa më e madhe e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave tashmë ekziston, zbatimi i tij, veçanërisht në lidhje me romët, mbetet i dobët. Mungesa e koordinimit nga ana e shtetit çoi në mosmarrjen e masave të përshtatshme dhe në kohën e duhur për ofrimin e shërbimeve të nevojshme. Romët rrallë futen në kategorinë e atyre që përfitojnë strehim social, pasi ata shpesh punojnë në sektorin informal. Niveli i braktisjes së shkollës nga romët mbetet i lartë. Sa u përket personave me aftësi të kufizuara, ata vazhdojnë të hasin vështirësi në lidhje me aksesin fizik në arsim, kujdes shëndetësor e punësim dhe pjesëmarrja e tyre në jetën publike është, gjithashtu, e kufizuar. Ligji për Personat më Aftësi të Kufizuara mbetet ende projektligj dhe, si rrjedhojë, Kuvendi nuk e ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Këshilli Kombëtar Shqiptar për Personat me Aftësi të Kufizuara nuk funksionon plotësisht dhe pjesëmarrja e tij në vendimmarrjen publike është e ulët, ndonëse organizoi, në fakt, protesta në Tiranë kundër faturave të shtrenjtuara të energjisë elektrike. Në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve, kuadri ligjor u forcua përmes miratimit të akteve nënligjore, që përmirësuan koordinimin institucional. Pavarësisht njëfarë përparimi të arritur, kërkesa ligjore për ngritjen e njësive lokale të mbrojtjes së fëmijëve nuk u përmbush plotësisht. Shpallja publike e organizimit të një veprimtarie të grupimit lesbike, gej, biseksualë dhe transseksualë u pasua nga komente homofobike nga përfaqësues të një partie të vogël të koalicionit, përfshirë zëvendësministrin e Mbrojtjes. Nga ana pozitive, Kryeministri dhe Avokati i Popullit i hoqën menjëherë vërejtje publikisht zëvendësministrit për komentet e tij. Ndonëse Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi hapi një hetim për këtë çështje, përfundimet e tij nuk janë publikuar ende. Në përgjithësi, Komisioneri pati një profil të kufizuar publik përgjatë vitit të fundit, me përjashtim të prezantimit të një strategjie për periudhën 2012-2015 dhe të një plani veprimi.

 Sa i përket Avokatit të Popullit, zgjedhja në muajin dhjetor të vitit 2011 nga Kuvendi e Avokatit të ri të Popullit, pas një procesi transparent të përzgjedhjes së kandidatëve zhvilluar nga PS-ja, pati ndikim shumë pozitiv. Ai ka rritur ndërgjegjësimin e publikut për çështjet e diskriminimit të grupeve të dobëta si, për shembull, në rastin e mbrojtjes së familjeve të pastreha rome në Tiranë. Gjithashtu, ai ka bërë komente mbi projektligje të ndryshme dhe ka dhënë rekomandime në lidhje me praktikat e gabuara administrative dhe keqtrajtimet në vendet e vuajtjes së dënimit. Megjithatë, duket se ka ende një mungesë vullneti nga autoritetet për të zbatuar si duhet rekomandimet e Avokatit të Popullit.

 Në lidhje me reformën e administratës publike, është vënë re një nivel i kufizuar progresi. Administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm. Është për t’u theksuar se një pjesë e madhe e vendeve të punës ende nuk caktohen përmes një procesi përzgjedhjeje në bazë merite. Kombinuar me zëvendësimet e shpeshta të stafit, ky qëndrim paraqet pengesa serioze për ruajtjen e njohurive institucionale dhe për zhvillimin e një sistemi profesional të administratës publike. Një sistem tashmë i centralizuar u centralizua akoma më tej me miratimin e ligjeve që transferojnë katër agjenci shtetërore, përgjegjëse për informacione të klasifikuara, statistika zyrtare, prokurimin publik dhe financimin e projekteve për kërkim dhe zhvillim, në varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit. Ndonëse kjo mund të rrisë efikasitetin administrativ, dobësimi i organit kolegjial të Këshillit të Ministrave, në favor të një personi të vetëm, përbën shqetësim dhe mund të çojë në cenimin e pavarësisë së këtyre institucioneve dhe në keqësimin e transparencës. Komisioni i Shërbimit Civil ka funksionuar vetëm me katër anëtarë nga pesë që kërkon ligji, gjë që mund të cenoje aftësinë e tij për të marrë vendime. Megjithëse Komisioni i përmbushi në mënyrë të efektshme funksionet e tij mbikëqyrëse dhe ato në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, shkalla e zbatimit të vendimeve të tij nga institucionet shtetërore mbetet e ulët, edhe kur vendimet janë lënë në fuqi nga gjykata. Ndonëse Departamenti i Administratës Publike përmbush detyrat e tij për procedurat e rekrutimit, kur bëhet njoftimi përkatës nga organet qendrore të administratës për hapjen e vendeve vakante, ka ende shqetësime në lidhje me miratimin e stafit për vendet e shërbimit civil që merren në punë në bazë të kontratave të përkohshme. Në veçanti, një Urdhër i Kryeministrit që kufizonte emërimet e përkohshme zbatohet pak dhe institucionet shtetërore qendrore shpesh ose nuk kërkojnë miratimin paraprak të Departamenteve për rekrutimet e bazuara në kontrata të përkohshme, ose e shpërfillin mospranimin e tyre.

 Sa i përket reformës penitenciare, megjithëse ligji i ri për mbikëqyrjen elektronike të autorëve të veprave penale mund të zvogëlojë mbipopullimin e burgjeve, plani për vënien e tij në veprim pret të zbatohet. Ka, gjithashtu, shqetësime sa u përket të burgosurve me sëmundje mendore. Ndonëse tashmë është miratuar një ligj për shëndetin mendor, çështja e atyre personave që nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi penale dhe që, me urdhër të gjykatës, duhet t’i nënshtrohen një trajtimi të detyruar, është një çështje që ende nuk është adresuar si duhet. Statusi dhe sistemimi i këtyre personave kërkon vëmendje të menjëhershme, pasi ata nuk duhet të mbahen në sistemin penitenciar. Raportime mbi dhunën e ushtruar në stacionet e policisë, përfshirë edhe një raport të Avokatit të Popullit në lidhje me tortura që pretendohet të jenë bërë nga Policia e Shtetit, mbeten shqetësuese, së bashku me kushtet e këqija fizike të mjediseve të paraburgimit në komisariatet e policisë. Shërbimi i Provës po ecën përpara, por burimet e tij për përballimin e një ngarkese pune në rritje mbeten të kufizuara. Shërbimi i reduktoi suksesshëm kostot dhe pasojat negative të burgimit, por kërkon trajnim të mëtejshëm për punën me autorët e veprave penale dhe për një bashkëpunim më të mirë me gjykatat, prokuroritë, burgjet, autoritetet vendore dhe shoqërinë civile. Memorandumet e mirëkuptimit nënshkruar midis Shërbimit dhe disa njësive të qeverisë vendore, gjatë vitit të kaluar, qenë një tregues pozitiv.

 Reforma e pronës është zhvilluar në mënyrë të copëzuar, të pjesshme dhe, shpesh, kontradiktore që prej vitit 1991. Në fillim të vitit 2012, u miratua një legjislacion i ri, i cili përfshinte ndryshime në ligjet për regjistrimin dhe kompensimin e pronës dhe rishikimin e titujve të tokës bujqësore. Në veçanti, ligji për titujt e tokës bujqësore mund të zgjidhë paqartësi që rrjedhin nga zbatimi i paplotë ose jokonsistent i ligjeve të mëparshme. Në qershor, qeveria miratoi Strategjinë e Reformës së Sektorit të Pronës, e cila synon të sigurojë një plan veprimi afatgjatë për reformën. Veç kësaj, qeveria ka miratuar një sërë aktesh nënligjore për të lehtësuar zbatimin e ligjeve të reja apo ekzistuese. Megjithatë, këto zhvillime kanë ndodhur të shkëputura dhe pa një konsultim publik më të gjerë. Pa politika të qarta, që dalin nga një proces transparent dhe konsultativ, është e paqartë sesi reformat e politikave mund të jenë të qëndrueshme. Interesat konkurrues duhen zgjidhur për të eliminuar konfliktet. Shumë prona nuk mund të regjistrohen me tituj të qartë pronësie për shkak të kufizimeve ligjore, të mungesës së procedurave të përshtatshme dhe të zbatimit jokonsistent të ligjit. Procesi i legalizimit të ndërtimeve është, më së shumti, joefektiv dhe i damkosur nga perceptimi publik si i korruptuar. Padyshim, reputacioni publik i agjencisë shtetërore përgjegjëse për legalizimet është i ulët. Kërkesa të shumta të ish-pronarëve për kthimin apo kompensimin e tokës së shpronësuar nga regjimi i kaluar mbeten të pazgjidhura. Bashkëpunimi midis dhe ndërmjet institucioneve shtetërore përkatëse mbetet i shkëputur, duke sjellë mungesë efikasiteti, dublim të përpjekjeve dhe humbje kohe.

 Në luftën kundër korrupsionit, ndonëse qeveria ka miratuar Planin e ri të Veprimit 2011 –  2013, si pjesë e “Strategjisë ndërsektoriale për parandalimin, luftën kundër korrupsionit dhe për qeverisjen transparente”, mbeten akoma shqetësime në lidhje me kapacitetet administrative për të siguruar zbatimin dhe monitorimin e plotë të Planit të Veprimit. Kuvendi, gjithashtu, miratoi ndryshime në Kodin Penal në lidhje me aktet e korrupsionit nga zyrtarë të huaj dhe vendosi ndëshkime më të ashpra për korrupsionin në sektorin privat. Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive (ILDKP) ka mundur të ekspozojë më tej rastet e konfliktit të interesit dhe të bëjë përparim në zbatimin e procesit të deklarimit të pasurive. ILDKP-ja zhvilloi, gjithashtu, një fushatë sensibilizimi publik gjithëpërfshirëse dhe të orientuar nga përmbajtja për parandalimin e konfliktit të interesit. Me t’u miratuar në Kuvend, një numër ndryshimesh që prekin legjislacionin për ILDKP-në do të lehtësojë më tej përpjekjet e bëra në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dyshuara të korrupsionit. Megjithëkëtë, agjencitë shtetërore përkatëse, në përgjithësi, mbeten të cenueshme nga presioni e ndërhyrja politike dhe vuajnë nga mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore. Shoqëria civile luan një rol të kufizuar në luftën kundër korrupsionit dhe kapacitetet e saj për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe për të ndikuar proceset, në nivel shtetëror, janë të dobëta. Ndërkohë që korrupsioni në nivele më të ulëta ndonjëherë ndiqet penalisht dhe ndëshkohet ligjërisht, në nivele më të larta,  korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë. Kjo kulturë pandëshkueshmërie mund të shpjegojë përse sistemi i drejtësisë ka një reputacion publik kaq të keq. Akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimi në procesin e numërimit të votave kanë përforcuar kulturën e pandëshkueshmërisë. Një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh dhe/ose gjobash të forta dhe të përshtatshme, në rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, do të ishte një masë pozitive për të kthyer besimin e publikut dhe për të demonstruar vendosmëri politike.

 Imuniteti i deputetëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve mbetet një pengesë kryesore për hetimin e rasteve të supozuara të korrupsionit. Cilado zgjidhje do të kërkojë ndryshime të Kushtetutës dhe, si e tillë, do të kërkojë një marrëveshje të gjerë politike. Në seancën e përbashkët të Këshillit parlamentar për Legjislacionin dhe të komisionit parlamentar të ligjeve, mbajtur më 24 korrik, të gjithë deputetët e pranishëm ranë dakord për nevojën e kësaj reforme. Megjithëse deputetët e PS-së, gjatë kësaj seance të përbashkët, ranë dakord me përmbajtjen e amendamenteve – një projekt i propozuar bashkërisht nga PD-ja dhe PS-ja – ata, gjithashtu, bënë të ditur se nuk do t’i votonin këto amendamente në seancën jashtë radhe të planifikuar për më 6 gusht. Në vend të kësaj, deputetët e PS-së kërkuan që votimi të shtyhej deri në shtator, duke kërkuar që të përfshiheshin, në të njëjtën paketë, ndryshime të tjera kushtetuese që u paraqitën nga PS-ja, por nuk u diskutuan gjatë seancës së përbashkët. Propozimet e PS-së përfshijnë futjen e votimit më shumicë të cilësuar për emërimet në organet kryesore të drejtësisë, si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

 Më 6 gusht, Kuvendi mbajti një seancë plenare të jashtëzakonshme për të diskutuar ndryshimet kushtetuese të propozuara për heqjen e imuniteteve për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Në një debat të zgjatur, deputetët e Partisë Socialiste e përshkruan 6 gushtin si një datë të caktuar arbitrarisht nga shumica qeverisëse për heqjen e imuniteteve në mënyrë të njëanshme dhe deklaruan se nuk do të votonin. Deputetët e Partisë Demokratike mëtuan se i gjithë koalicioni qeverisës dhe deputetët e opozitës tashmë kishin rënë dakord në seancën e përbashkët për përmbajtjen e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imuniteteve dhe, si rrjedhojë, duhej të votonin menjëherë në favor të amendamenteve. Si përfundim, Kuvendi nuk vijoi me votimin e amendamentet kushtetuese të propozuara në këtë seancë. Me rihapjen e Kuvendit, pas pushimit veror, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vendosën, më 6 shtator, të mbanin një dëgjesë, rreth dy javë më vonë, për të shqyrtuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS-ja. Në të njëjtën ditë, si PD-ja ashtu dhe PS-ja theksuan se e konsiderojnë çështjen e imuniteteve të mbyllur dhe se i përmbahen tekstit të miratuar nga Këshilli për Legjislacionin në korrik dhe nuk dëshirojnë të rihapin negociata për amendamentet e dakordësuara. Kësisoj, duket e mundur që Kuvendi të miratojë ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve në të ardhmen e afërt.

 Në luftën kundër trafikimit njerëzor, ishte pozitive të vërehej zbatimi nga ana e qeverisë i “Planit kombëtar të veprimit për luftën kundër trafikimit” dhe bashkërendimi i përpjekjeve të shtetit dhe shoqërisë civile në këtë sektor. Për të parën herë, një grua viktimë e trafikimit u përfshi në skemën e mbrojtjes së dëshmitarit. Megjithëse janë vënë re përmirësime në bashkërendimin institucional të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, problemi i shfrytëzimit të fëmijëve për lypje vijon. Përparim minimal është vërejtur në ndjekjen e rasteve të trafikimit të brendshëm, shpesh të ndjekura penalisht nën dispozitat më të lehta të Kodit Penal, pasi hetimet për trafikimin si krim i rëndë përqendrohen, kryesisht, në fushat e trafikimit transnacional të qenieve njerëzore. Financimi publik për strehëzat e drejtuara nga OJQ-të për viktimat e trafikimit, fatkeqësisht, u pezullua përkohësisht, duke krijuar mbi këto strehëza një barrë financiare, që rrezikon jetëgjatësinë e tyre financiare. Autoritetet duhet t’u përgjigjen prirjeve më të fundit të trafikimit dhe të përmirësojnë identifikimin e personave që mund të jenë trafikuar. Koordinatorja Kombëtare për Antitrafikimin u largua nga pozicioni i saj në mars 2012 dhe, deri më sot, ky post mbetet bosh, duke sjellë një mangësi në vendimmarrjen politike në bashkërendimin e përgjithshëm të përpjekjeve antitrafikim.

 Në luftën kundër krimit, Policia e Shtetit ka shfaqur përmirësim të dukshëm në disa fusha, sidomos në luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe në menaxhimin e kufirit. Janë kryer operacione policore antidrogë intensive, duke sjellë një rritje të konfiskimeve brenda Shqipërisë dhe një rënie në drogat që arrinin të kalonin tranzit. Megjithëse kultivimi i kanabis sativës vijon ende në disa zona, shkalla e kultivimit është ulur ndjeshëm. Megjithatë, policia do të ketë sukses të plotë në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike vetëm me mbështetjen e plotë të autoriteteve vendore dhe komuniteteve të tyre përkatëse. Rezistenca ndaj zbatimit të ligjit është veçanërisht e lartë në një komunë në jug të vendit, ku, si pasojë, përpjekjet e policisë janë intensifikuar, përmes asistencës së shteteve fqinje.

 Policia e Shtetit ka vazhduar të punojë për shkëmbim informacioni me shërbimet policore të shteteve anëtare të BE-së, duke sjellë një rritje të numrit të operacioneve të përbashkëta për ekzekutimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari kriminale. Megjithëse sistemi ndërkombëtar i informacionit kriminal, MEMEX, përdoret dendur nga të gjithë sektorët në Policinë e Shtetit, transferimi dhe shkëmbimi i të dhënave kriminale me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit kërkon përmirësim të mëtejshëm. Përparim i mëtejshëm është vërejtur në Menaxhimin e Integruar të Kufijve, veçanërisht në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe në lehtësimin e lëvizjes për qytetarët. Punë domethënëse nga Policia e Kufirit dhe Migracionit është dëshmuar në ngritjen e qendrave të përbashkëta të shkëmbimit të informacionit me vendet fqinje. Në luftën kundër krimit kibernetik, me mbështetje të fortë ndërkombëtare, u kryen një numër operacionesh policore të suksesshme, sidomos në lidhje me përdorimin e rremë të kartave të kreditit në internet. Hetimet janë zgjeruar rregullisht jashtë Shqipërisë, në vendet fqinje dhe më tej.

 Një fushë shqetësuese është zhvillimi dukshëm i amullt i shërbimit të ekspertimit mjeko-ligjor në Shqipëri. Kjo fushë ekspertize po ndikon në procesin e duhur ligjor dhe i ofron, jo vetëm Policisë së Shtetit, por dhe institucioneve të prokurorisë dhe atyre gjyqësore, mjetet për të trajtuar të gjitha llojet e krimeve. Ndërkohë që aftësitë e Policisë së Shtetit në përdorimin e teknikave të hetimit të krimeve janë rritur, përftimi dhe këqyrja e provave të ADN-së kërkon zhvillim të mëtejshëm. Shqipëria, gjithashtu, ka nevojë të krijojë një bazë kombëtare të dhënash të ADN-së dhe të zgjidhë çështjen e përdorimit të provave të ADN-së në gjykatë. Veç kësaj, standardi i këqyrjeve balistike dhe të shenjave të gishtave mbetet në dyshim. Pajisjet ekzistuese balistike dhe për shenjat e gishtave janë ose të vjetruara dhe/ose të papërshtatshme për përdorim. Në fushën e këqyrjes së vendngjarjes, Policia e Shtetit ka nevojë për asistencë të mëtejshme në trajnim dhe zhvillim, në mënyrë që të përmbushë më mirë standardet ndërkombëtare. Brenda Policisë së Shtetit, korrupsioni duket se është në ulje, kryesisht falë veprimeve të ndërmarra nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Proceset e ngritjes në detyrë dhe të zhvillimit profesional në polici, përgjithësisht, janë përmirësuar, duke bërë përpjekje të veçanta për t’iu përgjigjur çekuilibrit gjinor ekzistues në shërbimin policor.

 Sa i përket çmilitarizimit, qeveria nisi një plan veprimi, në 2008-n, për të përfunduar procesin për të gjitha municionet konvencionale të tepërta deri më 2013. Një sasi shtesë prej 26 000 tonësh u shkatërrua në 2012-n. Pajisjet dhe skrapi të dala nga ky proces janë shitur dhe një sasi municionesh konvencionale të tepërta është eksportuar, megjithëse nuk duket se të gjitha të ardhurat e përfituara janë futur prapë në sistem për të financuar vazhdimin e procesit të çmilitarizimit. Asgjësimi i lëndëve kimike dhe shkatërrimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL) mbetet një shqetësim. Një numër shumë i konsiderueshëm, por deri më tani ende i panjohur AVL-sh, duhet çmilitarizuar, me rrezikun që këto armë mund të keqpërdoren apo të trafikohen.

 Në reformën rajonale, zhvillimi i përgjithshëm mbetet i përzier. Aktualisht, nuk ka një vizion strategjik të miratuar, asnjë plan veprimi dhe asnjë metodë për të matur progresin. Gjithashtu, ka një mungesë të mekanizmave konsultues midis qeverisë vendore dhe shoqërisë civile për hartimin e politikave, si dhe një mungesë transparence në vetë procesin e vendimmarrjes. Për ato kompetenca që janë deleguar, detyrat janë transferuar shpesh brenda një kohe të shkurtër dhe pa përgatitje të plotë. Në të njëjtën kohë, burimet financiare të disponueshme për qeveritë vendore nuk kanë mbajtur të njëjtin hap me rolet e tyre të zgjeruara. Ndër sfidat kryesore përfshihen zbatimi i politikave kombëtare për planifikimin e territorit dhe menaxhimin e ujërave dhe mbetjeve, pasi këto janë përgjegjësi që qeveritë vendore nuk janë të gjendje t’i ndërmarrin. Prandaj, një vlerësim gjithëpërfshirës i kapaciteteve financiare, institucionale dhe administrative të qeverive vendore duhet të bëhet pjesë e pandashme e çdo procesi decentralizimi. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë mbetet e ndarë politikisht dhe, si pasojë, nuk ekziston asnjë organ ndërpartiak për të përkrahur interesat e përbashkëta të qeverive vendore.

 Në qeverisjen mjedisore, ndërkohë që janë vërejtur zhvillime pozitive në përafrimin e legjislacionit të mjedisit me standardet ndërkombëtare, ndikimi i pritshëm ishte më pak se optimal për shkak të mungesës së akteve nënligjore përkatëse. Ende nuk është krijuar një fond mjedisor për të përftuar burime financiare për mbrojtjen e mjedisit. Kjo mangësi në burime doli në pah me paaftësinë e Agjencive Rajonale të Mjedisit për të siguruar inspektime të përshtatshme në terren dhe përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë të konsultimit publik për të gjitha investimet. Lëshimi i licencave të shumta në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës pa një vlerësim strategjik të ndikimit në mjedis solli ankesa nga grupe mjedisore, të cilët i kërkuan qeverisë që t’i drejtojë të gjitha projektet përmes një analize të tillë për të mbrojtur mjedisin. Megjithëse është vërejtur përparim me miratimin e një strategjie kombëtare për mbetjet dhe në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, financimi i nevojshëm për ta zbatuar strategjinë nuk ishte i dukshëm. Megjithatë, nisma e një grupi individësh për të kërkuar një referendum të përgjithshëm për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve në lidhje me importin e mbetjeve shfaqi nevojën për të rishikuar dispozitat që rregullojnë mbajtjen e referendumeve. Në një vendim i cili u pa gjerësisht nga shumë veta si i diskutueshëm, pas certifikimit të 50 000 firmave të kërkuara, KQZ-ja vendosi t’ia përcjellë kërkesën Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit jo më  herët se në janar 2013. Vendimi u bazua në një dispozitë të paqartë dhe disi kontradiktore të Kodit Zgjedhor, e cila duket se kërkon shtyrjen e kërkesës. Kjo bëri që grupet mjedisore të kërkonin një moratorium për importin e mbetjeve deri në mbajtjen e referendumit dhe të apelonin zyrtarisht pjesën e vendimit të KQZ-së që përcaktonte kohën e përcjelljes së kërkesës. Më 31 gusht, Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë apelin me argumentin që kërkesës i mungonte baza ligjore.

 Në reformën e medias, ka pasur përmirësime në rritje sa i përket lirisë së medias. Dënimet me burg janë hequr për gazetarët e akuzuar për fyerje dhe/ose shpifje dhe ndryshimet legjislative siguruan që zyrtarët shtetërorë të mos i padisin gazetarët për raportime për punën e tyre. Gjithsesi, Kuvendi nuk arriti ta dekriminalizonte fyerjen dhe shpifjen siç synohej fillimisht. Projektligji për të përmirësuar rregullimin e medias së transmetuar është ende pezull, mes të tjerash edhe sepse grupet e interesit e kanë lidhur me procesin e dixhitalizimit, i cili është vonuar. Transmetuesit kryesorë, përfshirë transmetuesin publik, e përdorën këtë vonesë për të emetuar transmetime numerike të paautorizuara duke përdorur frekuenca të pazëna, duke rënduar kështu një situatë ligjore tashmë të ndërlikuar. Autoritet rregullator i medias u akuzua për marrjen e vendimeve të motivuara politikisht që shënjestronin transmetues të caktuar dhe për marrjen e vendimeve menaxheriale arbitrare në lidhje me asetet e agjencisë. Për më tepër, autoriteti rregullator nisi një anketë për etikën në transmetim në faqen e internetit, gjë që shkelte qartë kompetencat dhe mandatin e tij si arbitër asnjanës. Media e shkruar, po ashtu, vuan nga mungesa e profesionalizmit. Shumë tituj gazete subvencionohen nga bizneset jomediatike të botuesve të tyre, të cilët i përdorin këto botime si mjete ndikimi mbi establishmentin politik. Cilësisë së gazetarisë i kushtohet vëmendje minimale; një numër i madh gazetarësh profesionistë janë zëvendësuar nga të porsadiplomuar pa përvojë, shumë prej të cilëve nuk janë paguar për muaj të tërë. Si rezultat, po dalin më pak raporte investigative si në median e shtypur ashtu dhe në atë të transmetuar. Kjo prirje është përkeqësuar më tej nga një ndjenjë dorëzimi nga ana e popullsisë sa i përket padobisë së raportimit të mirë investigativ, duke qenë se shumë raste mashtrimi dhe keqbërjeje të denoncuara në media nuk ndiqen nga organet ligjore. Aty ku rastet vihen nën ndjekje penale, të dyshuarit me profil të lartë shpesh kalojnë pa u ndëshkuar.

 Sa i përket gjinisë, me përjashtime të pakta, numri i grave në qeverinë qendrore dhe vendore, si dhe në pozicione të larta politike të partive, mbetet i ulët. Mbetet për t’u parë nëse kuotat gjinore në Kodin Zgjedhor të porsarishikuar do të zbatohen plotësisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kauza e fortë që ka ngritur një koalicion OJQ-sh për gjininë për të futur rregullin “një në çdo tre kandidatë të jetë grua në gjithë listën” do të mbetet në axhendën politike pasi të kenë kaluar zgjedhjet parlamentare. Megjithëse Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore ka ndihmuar në forcimin e makinerisë kombëtare të gjinisë, vetëm një numër i vogël pikash kontakti për barazinë gjinore në nivel qeverie janë caktuar me kohë të plotë dhe me terma reference të qartë, siç parashikohet në ligjin për barazinë gjinore. Sa u përket rasteve të dhunës në familje, duhet përmendur pozitivisht se ndryshimet në Kodin Penal tani parashikojnë ndëshkime më të ashpra. Megjithatë, çështja e dhunës në familje mbetet një shqetësim shumë serioz, duke pasur parasysh raportimet e vazhdueshme për dhunë brutale kundër grave, përfshirë disa raste vrasjeje.

 Sa i përket shoqërisë civile, tabloja mbetet e përzier sa i përket aftësisë për të përmbushur rolin e saj si një partner strategjik i plotë në vendimmarrje përmes vendosjes së dialogut me qeverinë dhe sa i përket veprimtarive të saj financuese. Dialogu mes shoqërisë civile dhe qeverisë ka nevojë të përforcohet në mënyrë të qëndrueshme. Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, e financuar nga shteti që nga themelimi i saj, ka shpërndarë një sasi të kufizuar fondesh për OJQ-të, por varësia nga donatorët mbetet e konsiderueshme. Karta e Shoqërisë Civile, një dokument politik bashkëpunimi, i cili përcaktonte rolin dhe mandatin e shoqërisë civile në raport me organet shtetërore, nuk është zbatuar tërësisht. Kapaciteti i shoqërisë civile ka nevojë të forcohet në mënyrë të konsiderueshme, veçanërisht në zonat rurale. OJQ-të më aktive mbeten së tepërmi të përqendruara në Tiranë, shumica prej tyre duke pasur struktura të brendshme, anëtarësim dhe kapacitete të dobëta. Kryetarët e disa OJQ-ve mbeten ose, të paktën, perceptohet se janë, politikisht të anshëm. Një perceptim i tillë, qoftë i vërtetë apo i imagjinuar, kufizon aftësinë e OJQ-ve për të forcuar legjitimitetin e tyre në rritjen e sensibilizimit publik dhe në përmbushjen e rolit të tyre të rojtarit. Megjithëkëtë, shoqëria civile ishte aktive në monitorimin e zgjedhjeve vendore dhe në dhënien e komenteve mbi Kodin Zgjedhor, përfshirë kuotat gjinore.

 PIKAT KRYESORE TË PROGRAMIT

 Prezenca u përqendrua në promovimin e demokratizimit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, në konsolidimin e institucioneve demokratike në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së dhe vazhdoi punën në fushat e reformës legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronës, reformës zgjedhore, reformës rajonale administrative, rritjes së kapaciteteve të parlamentit, antitrafikimit dhe antikorrupsionit, zhvillimit të medias, promovimit të qeverisjes së mirë, zhvillimit të shoqërisë civile dhe asistencës policore.

 Sa i përket Demokratizimit, Prezenca siguroi mbështetje për Kuvendin në përmbushjen e reformës zgjedhore dhe kontribuoi në përmirësimin e legjislacionit që rregullon operimin e transmetuesve, krahas mbështetjes për përpjekjet e qeverisë për të nisur zbatimin e procesit të dixhitalizimit të medias. Në mbështetjen për Kuvendin, përmirësimi i  infrastrukturës fizike të sallave të komisioneve për të rritur aksesin publik shënoi një hap drejt një transparence parlamentare më të madhe. Prezenca ofroi mbështetje përmes trajnimeve për mekanizmat e barazisë gjinore në të gjitha nivelet. Përfshirja qytetare u nxit, gjithashtu, përfshirë asistencën dhënë personave me aftësi të kufizuara.

 Sa i përket Qeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Prezenca mundësoi një dialog të strukturuar mes qeverive vendore. Një bashkëpunim më i madh mes Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe shoqërisë civile u inkurajua përmes veprimtarive të ndryshme që vinin në dukje masat kundër korrupsionit. Qeveria u mbështet në rishikimin e strategjisë së saj për reformën e pronës, përmes mbledhjes dhe analizimit të të dhënave të lidhura me pronën dhe mundësimit të pjesëmarrjes së publikut në procesin e regjistrimit të pronave. Rrjeti i qendrave të informacionit Aarhus u përdor si platformë për çështjet mjedisore të lidhura me informacionin dhe pjesëmarrjen publike. U mbajtën seminare në nivel vendor për komitetet rajonale të antitrafikimit dhe inspektoratet e punës për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e punës.

 Sa i përket Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut, Prezenca ofroi asistencë teknike për institucionet shtetërore, si Ministria e Drejtësisë dhe komisioni parlamentar i ligjeve, në përmirësimin e legjislacionit si Kodi i Procedurës Penale, ligji për gjykatat administrative dhe ligji për mbikëqyrjen elektronike të autorëve të veprave penale, duke marrë pjesë në grupe pune ministeriale dhe duke dhënë komente këshilluese. U asistuan ministri të ndryshme të linjës në zbatimin e axhendave të tyre të reformave dhe u kontribua në ngritjen e kapaciteteve të disa institucioneve shtetërore, si Policia e Shtetit, Komisioni i Shërbimit Civil dhe Shërbimi i Provës. Nisur nga një vlerësim i gjyqeve civile të vëzhguara, u siguruan rekomandime për rritjen e efikasitetit të procedurave gjyqësore, në përputhje me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë.

 Sa i përket Bashkëpunimit për Çështjet e Sigurisë, Prezenca e ka mbështetur Policinë e Shtetit në disa fusha, përfshirë me një sërë seminaresh trajnuese të përqendruara te hetimi i krimeve të kryera nga të miturit dhe me një trajnim strategjik për diversitetin. Prezenca mbështeti Ministrinë e Drejtësisë në vlerësimin e nevojave për mbikëqyrjen elektronike të autorëve të veprave penale në Shqipëri dhe siguroi trajnim për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme për teknikat moderne të hetimit, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe kodin e etikës. Prezenca ofroi trajnim të specializuar në krimin kibernetik, krimin ekonomik, menaxhimin e rendit publik, misionet policore ndërkombëtare dhe dhunën në familje. Nxitja e konceptit të bashkëpunimit ndërkufitar midis Shqipërisë dhe të gjitha vendeve fqinje ka vazhduar, gjithashtu, përmes mbajtjes së takimeve të rregullta të përbashkëta ndërkufitare. Asistencë teknike dhe financiare është siguruar për procesin e çmilitarizimit.

RRUGA PËRPARA

 Ndërsa Shqipëria po përgatitet të kremtojë njëqindvjeçarin e saj si shtet modern, në 2012-n, fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s ka nisur fill pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në qershor. Zgjedhjet më të fundit të përgjithshme të 2009-s dhe ato për qeverinë vendore të 2011-s dëshmuan periudha para dhe paszgjedhore tejet të polarizuara dhe të politizuara, të cilat janë ende shumë të gjalla në kujtesën politike të publikut.

Nisur nga kjo përvojë, në ndërthurje me zhvillimet aktuale të përshkruara këtu, mund të pritet që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të shohin një garë shumë të egër. Duke mbajtur parasysh që dita e votimit, me të ngjarë, do të jetë në fund të qershorit 2013, i tërë cikli i zgjedhjeve, përfshirë procesin e apelimeve paszgjedhore dhe përsëritjen, gati të pashmangshme, të zgjedhjeve në një numër zonash, mund të zgjasë deri në fund të shtatorit. Megjithëkëtë, qeveria e re nuk do të konstituohet zyrtarisht përpara seancës së parë plenare të legjislaturës së re, e cila tradicionalisht planifikohet të mbahet në javën e parë të shtatorit. Kjo përkon pak a shumë me kohën kur duhet të dalë raporti i ardhshëm për Këshillin e Përhershëm. Në pjesën më të madhe të dymbëdhjetë muajve të ardhshëm, shumica e vëmendjes kombëtare – e publikut, e medias dhe e klasës politike konkurruese – do t’i kushtohet fushatës politike. Vëmendja e publikut të gjerë do të përqendrohet më shumë në pyetje si kush do t’i fitojë zgjedhjet, sesa si të çohet përpara me sukses axhenda komplekse dhe kërkuese e reformave.

 Duke parë më tej drejt së ardhmes, vlen të vihet në dukje se Shqipëria, gjithashtu, po përgatitet të rrisë kapacitetet e saj për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi ndërkombëtare në nivele dhe formate të ndryshme, përfshirë kryesimin e organizatave ndërkombëtare. Pritet që përpjekjet në këtë drejtim të vijojnë.